Kosova dhe Banka Botërore nisin zhvillimin e parqeve eko-industriale
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) dhe Banka Botërore kanë arritur marrëveshje për zhvillimin e parqeve eko-industriale në Kosovë. Projekti synon krijimin e kushteve më të mira për bizneset, zgjerimin e kapaciteteve prodhuese dhe forcimin e infrastrukturës industriale në vend.
Sipas njoftimit të Qeverisë, bashkëpunimi me Bankën Botërore dhe Bashkimin Evropian parashikon financimin e nismës rajonale në bashkëpunim me Korporatën Financiare Ndërkombëtare (IFC), ndërsa prioritetet e marrëveshjes përfshijnë avancimin e kornizës ligjore dhe rregullative, përgatitjen e projekteve dhe mobilizimin e investimeve, si dhe promovimin ndërkombëtar të zonave industriale për tërheqjen e investitorëve strategjikë.
Në një fjalë rasti, kryeministri Albin Kurti tha se zhvillimi i parqeve eko-industriale është në përputhje me orientimin strategjik të Qeverisë për një ekonomi qarkore dhe konkurruese.
“Shtylla e parë e programit tonë qeverisës i kushtohet ekonomisë qarkore dhe konkurruese. Prandaj, nisja e projektit për zhvillimin e parqeve eko-industriale është në linjë të plotë me orientimin tonë strategjik dhe lidhet drejtpërdrejt me mënyrën se si do të zhvillohet me industri dhe ekonomi e Republikës sonë në vitet në vijim”, tha ai.
Kryeministri foli edhe për zhvillimin ekonomik të vendit, duke theksuar rritjen e Prodhit të Brendshëm Bruto (PBB), krijimin e vendeve të reja të punës dhe rritjen e eksporteve.
Sipas njoftimit të kryeministrisë, gjatë pesë viteve të fundit ekonomia e Kosovës ka shënuar rritje të ndjeshme. Bruto Produkti Vendor është rritur mesatarisht me nga 1 miliard euro në vit, ndërkohë që më herët nevojiteshin tre vjet për një rritje të tillë.
Në të njëjtën periudhë janë krijuar mbi 85 mijë vende të reja pune, eksporti i shërbimeve është gati trefishuar, ndërsa investimet e huaja direkte kanë kaluar për herë të parë vlerën prej një miliard eurosh.
Megjithatë, Kurti e cilësoi deficitin tregtar si një nga sfidat kryesore të ekonomisë së Kosovës.
“Në të njëjtën periudhë, pra gjatë këtyre pesë viteve të fundit, mbi 85 mijë vende të reja të punës janë krijuar, eksporti i shërbimeve gati është trefishuar, ndërkaq investimet e huaja direkte kanë kaluar për herë të parë vlerën prej 1 miliard eurosh. Përkundër rritjes ekonomike që kemi shënuar, na duhet të pranojmë që deficiti tregtar mbetet një nga sfidat kryesore të ekonomisë sonë. Gjatë vitit 2025 Kosova importoi mallra në vlerë prej 7 miliard eurosh, ndërsa eksportoi rreth 1 miliard euro. Edhe në vitin 2026, pavarësisht rritjes së eksportit, hendeku tregtar po vazhdon të jetë i madh”, ka thënë ai.
Sipas tij, një nga synimet kryesore është që një pjesë e produkteve që aktualisht importohen të prodhohen në Kosovë, ndërsa parqet industriale do t’u ofrojnë bizneseve hapësirën dhe infrastrukturën e nevojshme për zgjerimin e veprimtarisë.
“E ne duam që sa më shumë mallra që sot i blejmë nga jashtë të prodhohen në Kosovë. Prandaj, parqet industriale i shohim si një nga mekanizmat që mund të na ndihmojnë në arritjen e këtij qëllimi. Aty u ofrojnë bizneseve vendore hapësirën dhe infrastrukturën e nevojshme për t’i zgjeruar kapacitetet prodhuese, ndërsa krijojnë kushte më tërheqëse për investitorët e huaj që dëshirojnë të zhvendosin një pjesë të veprimtarisë së tyre prodhuese në vendin tonë. Për ne është me rëndësi që investimet e tilla të sjellin jo vetëm kapital, por edhe vende të reja pune, teknologji, njohuri dhe mundësi për bashkëpunim me furnizuesit vendorë”, tha Kurti.
Kryeministri theksoi gjithashtu rëndësinë e diasporës në tërheqjen e investimeve dhe krijimin e lidhjeve ndërmjet bizneseve kosovare dhe tregjeve ndërkombëtare.
“Në tërheqjen e këtyre investimeve, mërgata jonë ka një rol të posaçëm. Në Gjermani, Zvicër, Francë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vende të tjera, kemi shumë ndërmarrës me origjinë nga Kosova që kanë ndërtuar biznese të suksesshme dhe që mund të bëhen urë lidhëse mes ekonomisë sonë dhe tregjeve ndërkombëtare. Ato mund të sjellin në Kosovë jo vetëm kapitalin dhe përvojën e tyre, por edhe partnerët e tyre të biznesit dhe rrjetet e bashkëpunimit. Kosova ka disa përparësi për investime të tilla: është pozita e saj gjeografike, afërsia me tregun e Bashkimit Evropian, fuqia punëtore e kualifikuar, rinia shumë gjuhëshe dhe e talentuar, si dhe politikat fiskale konkurruese të cilat padyshim që krijojnë kushte të mira për zhvillimin e veprimtarisë prodhuese. E me rritjen e prodhimit vendor mund të zëvendësojmë një pjesë të mallrave që importojmë dhe të rrisim eksportin e produkteve tona Made in Kosova”, tha ai.
Në këtë kontekst, Kurti përmendi edhe planin prej një miliard eurosh për prodhim dhe industri, i cili, sipas njoftimit qeveritar, është hartuar në dialog të vazhdueshëm me sektorin privat dhe prodhuesit vendorë dhe synon të lehtësojë financimin e investimeve në kapacitete të reja prodhuese dhe zgjerimin e veprimtarisë ekonomike.
“Ky plan, i hartuar në dialog me bizneset dhe i bazuar në nevojat e tyre, synon të lehtësojë financimin e investimeve në kapacitetet e reja prodhuese dhe zgjerimin e veprimtarisë ekonomike. Së bashku me zhvillimin e parqeve eko-industriale, plani pritet të krijojë kushte më të mira për investime, rritje të prodhimit vendor dhe krijimin e vendeve gjithnjë e më të mira të punës”, theksoi ai.
Kryeministri u ndal edhe te rëndësia e zhvillimit të një industrie më moderne, me shfrytëzim më efikas të burimeve dhe ndikim më të vogël në mjedis, duke theksuar se parqet eko-industriale do të shtrihen në të gjitha rajonet e Kosovës, përfshirë edhe veriun e vendit.
“Përveç krijimit të kushteve për investime dhe zgjerimit të prodhimit, rëndësi të veçantë ka edhe mënyra se si zhvillohet ky prodhim. Në këtë drejtim parqet eko-industriale krijojnë mundësi për një industri më moderne, më efikase, me shfrytëzim më të mirë të burimeve dhe me ndikim më të vogël negativ në mjedis. Ato plotësojnë përpjekjet tona për të rritur përdorimin e energjisë së ripërtëritshme dhe për t’i përgatitur bizneset për kërkesat gjithnjë e më të larta në tregun evropian. Zhvillimi i parqeve industriale do të shtrihet në të gjitha rajonet e Kosovës pa përjashtim, përfshirë edhe dy parqe në pjesën veriore të vendit tonë. Pas vendosjes së rendit dhe ligjit në veri të Ibrit, po e zhvendosim gradualisht vëmendjen drejt zhvillimit ekonomik, krijimit të vendeve të punës dhe përmirësimit të jetesës së qytetarëve të cilët jetojnë atje”, shtoi Kurti.
Në fund, Kurti vlerësoi bashkëpunimin me Bankën Botërore dhe Bashkimin Evropian në realizimin e projektit.
“Në fund dua të theksoj rëndësinë e bashkëpunimit me grupin e Bankës Botërore dhe Bashkimin Evropian për realizimin e projektit të parqeve eko-industriale, si dhe shpreh mirënjohjen tonë për përkrahjen e tyre në këtë proces”, tha ai.
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se marrëveshja shënon një hap të ri drejt zhvillimit të qëndrueshëm industrial, duke synuar krijimin e hapësirave moderne për prodhim, inovacion dhe investime.
Ajo ka theksuar se industria e së ardhmes nuk duhet të matet vetëm me sasinë e prodhimit, por edhe me efikasitetin në shfrytëzimin e burimeve dhe ndikimin në mjedis.
Sipas Kusari-Lilës, përmes këtij bashkëpunimi synohet avancimi i infrastrukturës industriale, përdorimi i energjisë së ripërtëritshme, zhvillimi i ekonomisë qarkore dhe bashkëpunimi ndërmjet ndërmarrjeve për ripërdorimin e materialeve dhe reduktimin e mbetjeve.
Ministrja ka bërë me dije se eko-parqet industriale synojnë gjithashtu të tërheqin investime private, të rrisin eksportet dhe të krijojnë vende të reja pune, duke përfshirë edhe mundësi më të mëdha për gratë dhe të rinjtë.
Ajo ka përmendur edhe potencialin që ka Kosova për të mobilizuar nga 1.2 deri në 1.5 miliardë dollarë investime private dhe për të krijuar nga 61 mijë deri në 87 mijë vende të reja pune, bazuar në raportin e IFC-së dhe Bankës Botërore për sektorin privat në vend.
Sipas saj, suksesi i këtij projekti do të matet me investimet e realizuara, vendet e reja të punës, rritjen e eksporteve dhe uljen e ndikimit mjedisor të industrisë.
Shefi i Bashkëpunimit të BE-së në Kosovë, Hubert Perr, gjatë fjalës së tij në prezantimin e marrëveshjes për zhvillimin e parqeve eko-industriale, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet ministrive dhe komunave për realizimin e këtij projekti.
“Të dyja ministritë, ajo e Tregtisë dhe ajo e Mjedisit, që janë të pranishme sot këtu, si dhe zotëri kryeministër, dëshmojnë jo vetëm rëndësinë që i kushtoni këtij projekti, por edhe faktin se e përfaqësoni plotësisht konceptin e parqeve industriale. Të dyja ministritë dhe komunat duhet të punojnë së bashku për ta realizuar dhe për ta promovuar këtë koncept”, tha ai.
Ai foli edhe për Planin e Rritjes të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor dhe rëndësinë e qasjes në tregun evropian.
“Por qasja në tregun evropian nuk ju ofrohet si në një pjatë të argjendtë, duke ju thënë se keni një zonë të mbrojtur dhe qasje të plotë në të. Përkundrazi, kjo kërkon konkurrencë të madhe, sepse përndryshe mund të ketë pasoja negative nëse nuk e mbroni më tregun tuaj dhe në të ardhmen fitoni qasje në tregjet evropiane. Në praktikë, është tregu ai që vendos nëse jeni në gjendje të tërhiqni investitorë, të eksportoni mallra dhe të prodhoni produkte për tregun e Kosovës, në vend që t’i importoni ato”, u shpreh ai.
Përfaqësuesi i BE-së vlerësoi se parqet eko-industriale janë të rëndësishme për zhvillimin e një ekonomie më të qëndrueshme dhe konkurruese.
“Prandaj, mendoj se rëndësia e parqeve eko-industriale është e jashtëzakonshme, sepse ato ju mundësojnë të dëshmoni përkushtimin tuaj për një ekonomi më të qëndrueshme dhe më konkurruese. Ky është një koncept që po zbatohet edhe në Bashkimin Evropian. Pra, nuk po ju rekomandojmë një qasje që e konsiderojmë të mirë vetëm për Kosovën, por një qasje që po përpiqemi ta zbatojmë edhe në vendin tim, në Austri”, tha ai.
Perr u ndal edhe te sfidat e konkurrencës ndërkombëtare dhe rëndësia e mbrojtjes së mjedisit, duke theksuar se zhvillimi ekonomik duhet të shoqërohet me vende pune dinjitoze dhe politika të qëndrueshme.
“Nuk është e lehtë, apo jo? Gjithmonë bëhet fjalë për përpjekjet për të konkurruar me vende dhe tregje të tjera, të cilat ndoshta nuk i vendosin standardet mjedisore në plan të parë, gjë që ndikon edhe në kosto. Por, në fund, duhet të mbështesim atë që në Evropë përbën një koncept themelor të Marrëveshjes së Gjelbër: që për të ardhmen tonë dhe të fëmijëve tanë të lëmë pas një planet ku ka rritje ekonomike, vende pune dinjitoze dhe mbrojtje të mjedisit”, theksoi ai.
Në fund, ai bëri të ditur se Bashkimi Evropian po e financon këtë nismë rajonale në bashkëpunim me Korporatën Financiare Ndërkombëtare (IFC), duke kërkuar që Kosovës t’i kushtohet vëmendje e veçantë, në mënyrë që të përfitojë nga programi.
“Dhe kemi mundësi për ta bërë një gjë të tillë. Mendoj se, përmes konceptit të parqeve eko-industriale, po bëjmë gjënë e duhur. Prandaj, BE-ja po e financon këtë nismë rajonale në bashkëpunim me IFC-në. Kemi kënaqësinë të kemi partnerë kaq kompetentë, si një institucion me përvojë dhe kapacitete të jashtëzakonshme për ta zhvilluar një nismë të tillë. Jemi të kënaqur të shohim se sa shumë e keni mbështetur këtë iniciativë. Kosova mund t’i bashkohet kësaj nisme. Siç e thashë, do ta inkurajoja edhe IFC-në që t’i kushtojë vëmendje të veçantë Kosovës, në mënyrë që ajo të përfitojë pjesën e saj nga ky program”, përfundoi ai.
Ndërkaq, menaxherja e Bankës Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, Carole Megevand, tha se përmes eko-parqeve industriale synohet të adresohen disa nga barrierat me të cilat përballen bizneset, veçanërisht në menaxhimin dhe shfrytëzimin efikas të burimeve natyrore.
Sipas saj, synimi është që produktet e prodhuara në Kosovë të fitojnë më shumë hapësirë dhe të njihen më gjerësisht në tregjet ndërkombëtare, nën identitetin “Made in Kosova”.
“Përmes parqeve eko-industriale synojmë të adresojmë apo të zbusim disa nga barrierat me të cilat përballen bizneset. Këtu përfshihen efikasiteti në shfrytëzimin e burimeve natyrore, energjisë dhe ujit, si dhe menaxhimi i mbeturinave. Të gjitha këto do të kontribuojnë në një menaxhim më efikas të burimeve”, tha ajo. /KosovaNews/
