TË FUNDIT

Durmishi: Vlerësimi pozitiv i Komisionit Evropian, dëshmi e progresit në politikat ekonomike

Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, ka përshëndetur vlerësimin pozitiv të Komisionit Evropian për progresin e Maqedonisë së Veriut në politikat për ndërmarrjet dhe industrinë, duke theksuar se reformat për përmirësimin e klimës së biznesit dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik mbeten ndër prioritetet kryesore të Ministrisë.

Durmishi theksoi se raporti i Komisionit Evropian evidenton rritjen ekonomike prej 3,5 për qind, ndërsa vëmendje e veçantë i kushtohet masave për mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, investimeve dhe krijimit të vendeve të reja të punës.

Një ndër arritjet e rëndësishme është miratimi i Strategjisë për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe zbatimi i planit të saj të veprimit. Komisioni Evropian ka veçuar si hap pozitiv edhe bashkimin e strukturave mbështetëse për bizneset në agjencinë INOVA.

Nën drejtimin e ministrit Durmishi, Ministria e Ekonomisë dhe Punës po i kushton rëndësi të veçantë lehtësimit të procedurave administrative dhe uljes së barrës financiare për bizneset. Në këtë drejtim, raporti evidenton miratimin e planit për thjeshtimin e 50 procedurave administrative dhe nisjen e uljes së 9 tarifave parafiskale.

Këto masa synojnë t’u kursejnë ndërmarrjeve kohë dhe shpenzime, duke krijuar kushte më të favorshme për zhvillimin e tyre dhe rritjen e konkurrueshmërisë.

Ministri Durmishi ka theksuar gjithashtu përkushtimin për forcimin e kapaciteteve institucionale dhe zbatimin e masave që burojnë nga Plani i Rritjes.

“Vlerësimi i punës sonë nga Komisioni Evropian na jep edhe më shumë vullnet për t’i përvjelur krahët dhe për të vazhduar punën, gjithmonë në shërbim të qytetarëve”, është shprehur ministri Durmishi.

Ministria e Ekonomisë dhe Punës do të vazhdojë me reformat që synojnë krijimin e një mjedisi më të favorshëm për bizneset, tërheqjen e investimeve dhe hapjen e vendeve të reja të punës, në funksion të zhvillimit ekonomik të Maqedonisë së Veriut dhe përafrimit me standardet evropiane.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *