POLITIKATË FUNDIT

BE-ja planifikon t’u japë nxënësve, certifikata për ‘njohuri mbi inteligjencën artificiale’

Bashkimi Evropian planifikon të prezantojë një certifikatë për "njohuritë mbi Inteligjencën Artificiale" (IA) për nxënësit, me shpresën për të adresuar ndikimin e teknologjisë që zhvillohet me shpejtësi në fushën e arsimit.

"Kjo do t'i ndihmojë nxënësit e rinj të kuptojnë se si funksionon IA, të verifikojnë informacionin që ajo u ofron, të dallojnë manipulimet dhe të dinë se kur duhet ta ndërpresin përdorimin e saj", u shpreh nënkryetarja e Komisionit Evropian, Roxana Minzatu.

Brukseli njoftoi se synon ta prezantojë këtë certifikatë të re për nxënësit 15-vjeçarë duke filluar nga viti shkollor 2027-2028.

Ky projekt vjen në një kohë kur mësuesit dhe nxënësit në mbarë botën po përballen me ndikimin e IA-së në shkolla.

Duke qenë se statistikat më të fundit të PISA 2025 tregojnë një rënie të vazhdueshme të aftësive bazë – ku rreth një në çdo tre 15-vjeçarë në BE shfaq rezultate të dobëta në lexim-shkrim dhe matematikë – Brukseli synon të përdorë IA-në për të ndihmuar mësuesit dhe nxënësit në procesin e të mësuarit.

Edhe pse BE-ja nuk i kontrollon politikat arsimore të shteteve anëtare, ajo po mbështet nismat për të studiuar mënyrat se si IA mund të zbatohet në mënyrë të sigurt në procesin mësimor për fëmijët.

Sipas Brukselit, përmirësimi i njohurive mbi IA-në për të rinjtë dhe mësuesit – duke përfshirë kuptimin e funksionimit të saj dhe rreziqet që ajo mbart – do të forcojë kapacitetin e tyre për të mësuar.

Njëkohësisht, Brukseli po promovon legjislacion për të kufizuar qasjen e adoleshentëve të rinj në rrjetet sociale.

Minzatu theksoi se këto dy nisma nuk janë në kundërshtim me njëra-tjetrën.

"IA ka potencialin për të forcuar ndjeshëm procese të caktuara arsimore, siç janë mbështetja në mësimdhënie (tutoring) dhe të mësuarit e personalizuar", tha ajo.

"Këto janë mënyra të përdorimit të teknologjisë dhe IA-së që nuk kanë asnjë lidhje me algoritmet e platformave që krijojnë varësi". / Telegrafi /

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *