Komuna angazhon “Pastrimin” dhe Ndërmarrjen Banesore për mirëmbajtjen e shkollave
Komuna e Prishtinës ka arritur marrëveshje me Sindikatën e punëtorëve grevistë, ndërsa puna e tyre e rregullt pritet të rifillojë gjatë javës së ardhshme.
Në një njoftim për qytetarët dhe prindërit, Drejtoria e Arsimit ka bërë të ditur se veprimet e nevojshme administrative tashmë janë ndërmarrë dhe pagesat e para për punëtorët janë realizuar të enjten.
Pjesa tjetër e pagesave, sipas njoftimit, pritet të përfundojë deri të martën.
Ndërkohë, deri në rikthimin e punëtorëve teknikë në vendet e tyre të punës, pastrimi dhe mirëmbajtja e shkollave do të mbulohet nga Ndërmarrja Publike Banesore dhe ndërmarrja “Pastrimi”.
Drejtoria e Arsimit do të koordinojë dhe mbikëqyrë zbatimin e këtyre masave, me qëllim të sigurimit të kushteve të përshtatshme higjienike për nxënësit dhe mësimdhënësit.
Komuna ka theksuar se shëndeti dhe siguria e fëmijëve mbeten prioritet, ndërsa ka shprehur pritjen që procesi mësimor të vazhdojë normalisht.
“Shqetësimet tuaja për higjienën në shkolla janë edhe shqetësimet tona. Shëndeti dhe siguria e fëmijëve mbeten prioriteti ynë”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Arsimit.
Kjo marrëveshje vjen pas grevës së punëtorëve teknikë, e cila kishte shkaktuar probleme me mirëmbajtjen dhe higjienën në shkollat e kryeqytetit.
