Kuzhinieri italian u pushua nga puna pasi refuzoi të vendoste ananas në picë
Një kuzhinier italian është pushuar nga puna në një restorant në Brisbane të Australisë, pasi kishte refuzuar të përgatiste pica me ananas, duke e cilësuar këtë si “fyerje ndaj kulturës së tij”.
Davide Tamburella u largua nga puna në maj, nga restoranti tashmë i mbyllur La Costa, rreth dy javë pas një takimi me drejtuesit, të cilët kishin paraqitur një sërë ankesash për sjelljen e tij.
Ndër arsyet e përmendura ishte edhe refuzimi i tij për të përgatitur pica me proshutë dhe ananas për mysafirët në një organizim. Në atë kohë, kuzhinieri kishte deklaruar se udhëzimet e menaxhmentit nuk duhej të zbatoheshin nëse ato ishin fyese për kulturën e tij.
Rasti u bë publik pasi Tamburella iu drejtua Komisionit Australian për Punë të Drejta (Fair Work Commission), duke pretenduar se ishte pushuar padrejtësisht, transmeton Telegrafi.
Në vendimin e publikuar të martën, komisioni theksoi se kuzhinieri kishte refuzuar të vendoste ananas në pica sepse, siç thuhet në dokument, “ai konsideron se, si italian, vendosja e ananasit në picë është fyerje ndaj kulturës së tij”.
Komisioni vuri në dukje gjithashtu se kjo ishte hera e tretë brenda katër vjetësh që Tamburella kishte refuzuar përdorimin e këtij fruti në pica. Në rastet e mëparshme, ai i kishte kërkuar shefit të tij që të informohej se sa e rëndësishme është për italianët të mos vendosin ananas në picë.
Queensland, shteti ku ndodhej restoranti, konsiderohet si qendra kryesore e prodhimit të ananasit në Australi dhe siguron të gjithë sasinë e këtij fruti që kultivohet komercialisht në vend.
Në zonën e Sunshine Coast, turistët ndalojnë shpesh për t'u fotografuar pranë monumentit “The Big Pineapple”, një model gjigant prej tekstil me fije qelqi, 16 metra i lartë, i cili është shpallur objekt i trashëgimisë dhe është kthyer në një simbol lokal.
Megjithatë, ankesat ndaj kuzhinierit nuk kishin të bënin vetëm me picën. Në vendim përmenden edhe përdorimi i gjuhës fyese, mënyra e komunikimit dhe “përshkallëzimi i frustrimit në vendin e punës”.
Dokumenti përshkruan edhe një incident të ndodhur në prill të këtij viti, kur Tamburella kishte thyer disa eshtra në dorën e djathtë pasi kishte goditur një parmak metalik.
Kuzhinieri shpresonte që restoranti t'i mundësonte sponsorizimin e një vize pune për punëtorë të kualifikuar, e cila do t'i hapte rrugën drejt qëndrimit të përhershëm në Australi. Por, pas pushimit të tij nga puna, restoranti e ndërpreu këtë proces, sipas asaj që u bë e ditur gjatë shqyrtimit të rastit.
Megjithatë, Tamburella e humbi kërkesën për pushim të padrejtë nga puna, pasi aplikimi i tij ishte dorëzuar jashtë afatit të përcaktuar.
Drejtori menaxhues i restorantit, Elliot Ingram, i tha gazetës “Daily Mail” se “kjo histori ka shumë më tepër sesa një mbushje për picë”.
Në profilin e tij në LinkedIn, kuzhinieri përshkruhet si një profesionist që gjatë karrierës është përqendruar në “ofrimin e ushqimit të jashtëzakonshëm” dhe “përmirësimin e performancës së biznesit”.
Tre muaj më parë, ai kishte publikuar edhe një letër drejtuar kuzhinierëve, me temën “respektimi i përbërësve”.
Sipas profilit të tij në LinkedIn, Tamburella tashmë punon në një tjetër restorant në Brisbane. BBC-ja ka kontrolluar menynë e këtij restoranti dhe ka konstatuar se aty nuk ofrohet picë me ananas. /Telegrafi/
