TË FUNDIT

Të moshuarit presin me orë të tëra pensionet para Alta Bankës në Manastir, ndërhyn disa herë Ndihma e Shpejtë

Ndihma e Shpejtë sot ndërhyri disa herë para hapësirave të Alta Bankës në Manastir, pasi disa qytetarëve të moshuar, të cilët për orë të tëra ishin të detyruar të prisnin në radhë të gjata për të hyrë në bankë, iu përkeqësua gjendja shëndetësore. Disa prej tyre më herët kishin marrë porosi SMS se në periudhën nga ora 08:00 deri në 12:00, do të mund të tërhiqnin para të gatshme në sportelet e bankës. Turmat e mëdha e bënin pritjen shumë të vështirë dhe të mundimshme për këta persona, shumica e të cilëve ishin në moshë të shtyrë.“Kam ardhur t’i tërheq paratë për kujdesin shëndetësor. Nuk ka pagesë për këtë kujdes dhe po presim prej kohësh. Na thanë se do të na i japin sot pasdite”, tha një qytetar.

Zemërimi i qytetarëve ishte i madh, pasi pavarësisht premtimeve se sot do të paguhej edhe ndihma sociale, ata thonë se nuk arritën t’i tërhiqnin paratë dhe do të duhet të vijnë një ditë tjetër. Edhe sot nuk ishte e mundur të tërhiqeshin para nga bankomatët e bankës.

“Pse nuk e mbajnë premtimin që dhanë? A ka ndihmë sociale? Nuk ka. Vetëm për ata që nuk kanë kartela bankare, për askënd tjetër nuk ka asgjë”, tha një qytetar tjetër.

“Unë kam kartelë, por nuk mund t’i marr 10.000 denarët e mi. Bankomati më refuzon vazhdimisht. Çfarë të bëj? Nuk kam marrë asnjë denar nga pensioni. Më thotë në bankomat se jam refuzuar, se PIN-i është i pavlefshëm. Kjo është turp. Të paktën t’i marr ato 10.000 denarë”, theksoi qytetari.

“Me vështirësi e mora pensionin. Na dhanë nga 20.000 denarë. Çfarë do të bëjmë me ato para nuk e di, pjesën tjetër e mbajtën”, thotë një qytetar tjetër.

“E mora pensionin, gjithçka është në rregull, pas një pritjeje të gjatë”, theksoi qytetari.

“Po presim për pensionin. Mbrëmë njoftuan se mund të tërhiqen nga 20.000 denarë, ndërsa për pjesën tjetër nuk e di kur. Nuk kam kartelë, paratë i marr me letërnjoftim”, tha një qytetar.

“Na thanë se sot të gjitha sportelet do të ishin të hapura për pensionet dhe ndihmën sociale që t’i tërhiqnim paratë. Por shihni çfarë po ndodh, nuk ka ndihmë sociale, nuk dihet kur do të ketë, ndërsa ne të varfrit ku t’i gjejmë paratë?”, tha qytetari.

“Në vend të pensionit prej 35.000 denarësh, më kanë shënuar 24.000 denarë dhe tani nuk mund t’i marr. Nuk mund t’i tërheq as nga bankomati”, thotë një qytetar.

“Nuk më pranuan dhe më thanë të vij nesër, ndërsa bashkëshortja është në spital dhe duhet të paguaj. Ajo po pret atje që të paguaj dhe ta marr në shtëpi. Nuk kam telefon. Është turp ajo që po bëjnë”, theksoi një qytetar.

“Unë dhe bashkëshortja ime të dy marrim pension, por mezi arrita të marr 20.000 denarë, që ta dërgoj atë në spital”, thotë një qytetar tjetër.

Qytetarët kërkojnë që shteti dhe Banka Popullore urgjentisht ta zgjidhin rastin për pensionistët dhe t’i transferojnë automatikisht në banka të tjera, prej nga do të vazhdojnë t’i marrin rregullisht pensionet e tyre. Kryetari i Komunës së Manastirit, Toni Konjanovski njoftoi se në mbledhjen e Këshillit Lokal Ekonomiko-Social do të diskutohet për masat e mundshme që vetëqeverisja lokale mund të ndërmarrë për mbrojtjen e interesave të qytetarëve. Ndërkohë, opozita në Manastir kërkon mbledhje të jashtëzakonshme të këshillit. Sipas tyre, mosmbajtja e një mbledhjeje tregon se komuna nuk kujdeset për qytetarët dhe ndërmarrjet publike./Alsat.mk.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *