Arkin Jahiji zyrtarisht fitues në Bërvenicë, KSHZ-ja rrëzon ankesën e VMRO-DPMNE-së
Arkin Jahiji i AKI-së është zyrtarisht fitues i zgjedhjeve lokale në Komunën e Bërvenicës, pasi Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) hodhi poshtë ankesën e VMRO-DPMNE-së për parregullsi në një vendvotim në fshatin Çellopek.
Ankesa kishte të bënte me vendvotimin 2038, ku Jahiji kishte shënuar epërsi të thellë ndaj kandidatit të VMRO-DPMNE-së, Stojançe Radiçevski. Nga gjithsej 411 votues, 391 votuan për Jahijin, 13 për Radiçevskin, ndërsa shtatë fletëvotime u shpallën të pavlefshme.
Sipas raportimeve, kontestimi lidhej me rastin e një gruaje të moshuar, e cila gjatë votimit ishte shoqëruar nga djali i saj. Duke u bazuar në këtë rast, VMRO-DPMNE kërkoi anulimin e votimit në të gjithë vendvotimin.
Megjithatë, ankesa nuk mori asnjë votë në mbledhjen e sotme të KSHZ-së, duke i hapur rrugë konfirmimit përfundimtar të fitores së Arkin Jahijit, i cili në zgjedhje kishte fituar me 265 vota epërsi.
