Barcelona zyrtarizon rinovimin e kontratës me Raphinhan
Barcelona ka zyrtarizuar rinovimin e shumëpritur të kontratës me kapitenin e skuadrës, Raphinha, duke siguruar vazhdimësinë e yllit brazilian në “Camp Nou” deri në vitin 2030.
Me marrëveshjen e mëparshme që skadonte në vitin 2028, gjigantët katalunas kanë vendosur të blindojnë të ardhmen e një prej futbollistëve më të rëndësishëm të skuadrës. Rinovimi i ri vjen si rezultat i paraqitjeve të jashtëzakonshme të Raphinhas dhe rolit të tij gjithnjë e më të madh në projektin sportiv të klubit.
Përveç zgjatjes së kontratës, Barcelona i ka rritur ndjeshëm edhe pagën brazilianit, duke reflektuar statusin e tij në skuadër dhe kontributin e madh që ka dhënë gjatë këtij sezoni.
Raphinha, 29-vjeçar, po kalon një periudhë fantastike nën drejtimin e trajnerit Hansi Flick.
A true statement of intent. Our beloved captain will continue to lead the project until 2030. 💙❤️ https://t.co/qTlvqvUuvg — FC Barcelona (@FCBarcelona) November 5, 2026
Ai ka pësuar një transformim të rëndësishëm në aspektin taktik, duke u aktivizuar në rolin e qendërsulmuesit, ku ka treguar efikasitet të jashtëzakonshëm para portës kundërshtare.
Në 12 ndeshje të zhvilluara këtë sezon, braziliani ka regjistruar 19 gola dhe tri asistime, statistika që dëshmojnë ndikimin e tij të madh në lojën e Barcelonës.
Raphinha ka arritur tashmë të fitojë një vend të veçantë në historinë e klubit, falë rolit të tij kyç në ringritjen e katalunasve gjatë tri sezoneve të fundit.
Nën drejtimin e Flick, Barcelona ka rikthyer dominimin në futbollin spanjoll, duke fituar dy tituj radhazi të La Ligas./ Telegrafi /
