TË FUNDIT

Gjermania synon ta bëjë patentën më të lirë, kursimet mund të arrijnë deri në 1.000 euro

Bundestagu gjerman voton sot për reformën e re të autoshkollave, e cila synon të ulë kostot e marrjes së patentë-shoferit dhe të modernizojë procesin e aftësimit të shoferëve.

Sipas propozimit të Ministrisë së Transportit, reforma parasheh më shumë mundësi për mësim teorik online, reduktim të burokracisë dhe ndryshime në numrin e orëve të detyrueshme praktike të vozitjes.

Aktualisht, marrja e patentës së kategorisë B në Gjermani kushton mesatarisht rreth 3.400 euro.

Ministri i Transportit, Steffen Bilger, ka deklaruar se përmes ndryshimeve të propozuara kandidatët mund të kursejnë disa qindra euro, ndërsa në rastet më të favorshme kursimi mund të arrijë deri në 1.000 euro.

Një nga ndryshimet kryesore është heqja e detyrimit për ndjekjen fizike të mësimit teorik. Në të ardhmen, kandidatët do të mund ta përvetësojnë materialin edhe përmes aplikacioneve dhe platformave digjitale.

Ndryshime parashihen edhe në pjesën praktike. Deri më tani, kandidatët për patentën e kategorisë B duhet të kryejnë 12 vozitje të posaçme, që përfshijnë rrugët jashtë qytetit, autostradën dhe vozitjen gjatë natës.

Me reformën e re nuk do të ketë më numër të përcaktuar paraprakisht, pasi numri i orëve do të varet nga aftësitë e kandidatit dhe vlerësimi i instruktorit, shkruan Deutschlandfunk , transmeton Telegrafi.

Gjithashtu, propozohet që kandidatët, pasi të kalojnë provimin teorik dhe të kryejnë së paku gjashtë orë praktike në autoshkollë, të mund të ushtrojnë vozitjen edhe me persona të afërt, si prindërit, nëse plotësohen kushtet e përcaktuara.

Reforma parasheh edhe shkurtimin e provimit praktik për kategorinë B, nga 55 në 40 minuta, si dhe publikimin online të çmimeve dhe përqindjeve të kalueshmërisë së autoshkollave, në mënyrë që kandidatët të kenë mundësi të krahasojnë ofertat.

Megjithatë, propozimi ka hasur në kritika nga përfaqësues të instruktorëve të vozitjes, të cilët paralajmërojnë se mësimi online dhe ushtrimi me persona që nuk janë instruktorë profesionistë mund të ndikojnë në cilësinë e përgatitjes dhe sigurinë në trafik.

Pas votimit në Bundestag, reforma duhet të marrë edhe miratimin e Bundesratit. Ndryshimet kryesore pritet të hyjnë në fuqi më 1 korrik 2027. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *