TË FUNDIT

Nuk e dinte vargun e parë të himnit zviceran, por fiton pasaportën: Gjykata Federale i del në krah mësueses gjermane

Një mësuese gjermane 49-vjeçare do ta marrë pasaportën zvicerane, pasi Gjykata Federale vendosi se komuna e Freienbachut, në kantonin Schwyz, ia kishte refuzuar padrejtësisht kërkesën për natyralizim.

Rasti i saj mori vëmendje pasi gruaja nuk kishte arritur t'u përgjigjej saktë të gjitha pyetjeve gjatë intervistës për marrjen e shtetësisë, përfshirë edhe pyetje rreth njohurive për Zvicrën.

Sipas gazetës zvicerane Blick , gruaja kishte aplikuar për shtetësi në vitin 2025, së bashku me bashkëshortin dhe dy fëmijët.

Derisa anëtarët e tjerë të familjes e fituan shtetësinë, kërkesa e saj u refuzua nga komuna me arsyetimin se nuk ishte integruar mjaftueshëm në shoqërinë zvicerane.

Një prej argumenteve të autoriteteve ishte se njohja e gjuhës gjermane nuk duhej të konsiderohej si dëshmi e integrimit, pasi ajo e kishte gjuhë amtare dhe nuk kishte mësuar dialektin zviceran, transmeton Telegrafi.

Megjithatë, Gjykata Federale nuk u pajtua me këtë vlerësim.

Sipas gjykatës, njohuritë gjuhësore nuk mund të shpërfillen vetëm pse një person i ka fituar pa vështirësi të veçanta. Po ashtu, angazhimi i saj në shoqata muzikore dhe sportive duhej të merrej parasysh, edhe nëse këto aktivitete i zhvillonte në kuadër të përkujdesjes për fëmijët.

Gjykata vlerësoi se gruaja kishte plotësuar një pjesë të konsiderueshme të kritereve të integrimit dhe se mangësitë në njohuritë për vendin nuk ishin arsye e mjaftueshme për t'ia mohuar shtetësinë.

Në vendimin e saj, Gjykata Federale rrëzoi ankesën e komunës dhe konfirmoi se mësuesja duhet ta marrë pasaportën zvicerane, njësoj si pjesa tjetër e familjes.

Vendimi është marrë më 23 shtator 2026, ndërsa rasti u bë publik në fund të tetorit.

Ai rikthen në vëmendje kriteret e natyralizimit në Zvicër dhe rëndësinë e vlerësimit të përgjithshëm të integrimit, në vend të përqendrimit vetëm te mangësitë gjatë një testi apo interviste. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *