TË FUNDIT

Aksion i madh policor në Kumanovë, në shënjestër grupi kriminal i njohur, dyshohet për zhvatje, fajde dhe pastrim parash

Prania e shtuar e njësive speciale të policisë mëngjesin e sotëm në rrugët e Kumanovës, sipas informacioneve jozyrtare, paralajmëron një aksion të gjerë policor, gjatë të cilit Sektori për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit pranë Byrosë së Sigurisë Publike po punon për zbardhjen e veprimtarisë së një grupi të organizuar kriminal, të përbërë nga persona të njohur në botën e krimit në Kumanovë.

Bëhet fjalë për një grup që, sipas dyshimeve të organeve hetimore, ka vepruar për një periudhë të gjatë në territorin e Kumanovës dhe më gjerë, duke përdorur dhunë, kërcënime dhe shantazhe. Grupi dyshohet se është përfshirë në zhvatje, fajde, pastrim parash dhe legalizim të të ardhurave të tjera të përfituara nga veprimtari kriminale.

Sipas informacioneve jozyrtare, si organizator i grupit dyshohet një person i njohur me nofkën “Shtuka”, ndërsa në mesin e anëtarëve të tij dyshohet se ka edhe persona të tjerë nga Kumanova.

Në kuadër të aksionit, përveç kontrolleve në disa lokacione të lidhura me të dyshuarit, nën hetim janë edhe një zyrë noteriale dhe një këmbimore, ku po verifikohen lidhjet e mundshme me aktivitetet kriminale që janë objekt i hetimit.

Sipas informacioneve jozyrtare, gjatë bastisjeve të deritanishme janë gjetur mjete financiare, automjete dhe dokumentacion.

Aksioni është rezultat i një pune të gjatë operative dhe hetimore të policisë, në koordinim me Prokurorinë Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

Hetimet synojnë zbulimin dhe goditjen e strukturave kriminale që për një kohë të gjatë kanë cenuar sigurinë publike dhe, përmes dhunës dhe veprimtarive të tjera kriminale, dyshohet se kanë siguruar përfitime të kundërligjshme materiale.

Policia dhe Prokuroria ritheksojnë edhe një herë vendosmërinë e tyre se nuk ka individë apo grupe të paprekshme dhe as të mbrojtura.

Nuk ka vend për krijimin e miteve të paprekshmërisë dhe as për struktura kriminale që besojnë se, përmes ndikimit, kërcënimeve dhe dhunës, mund të qëndrojnë mbi ligjin.

Ligji vlen për të gjithë. Institucionet janë aty për ta zbatuar atë, pa selektivitet dhe pa asnjë lëshim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *