E morën me veturë, e dërguan pranë një pylli dhe e grabitën nën kërcënimin e thikës, arrestohen dy persona në Lipjan
Dy persona janë arrestuar nga Policia e Kosovës, nën dyshimin se janë përfshirë në një rast grabitjeje që kishte ndodhur më 24 tetor 2026 në Lipjan.,
Sipas policisë, dy të dyshuarit janë arrestuar më 4 nëntor dhe me vendim të prokurorit, janë dërguar në mbajtje.
Rasti kishte ndodhur më 24 tetor, rreth orës 10:15, kur një person dyshohet se ishte marrë me veturë nga dy të dyshuar, një mashkull dhe një femër.
Sipas raportit fillestar policor, viktima ishte dërguar në një lokacion pranë një pylli, ku nën kërcënimin e thikës i ishin grabitur disa gjësende personale
Pas grabitjes, të dyshuarit e kishin lënë viktimën në atë lokacion dhe ishin larguar në drejtim të panjohur. “Viktima, pasi është marrë me veturë nga të dyshuarit, është dërguar në një lokacion afër një pylli, ku nën kërcënimin e thikës i kanë grabitur disa gjëra që i kishte me vete”, thuhej në raportin fillestar të Policisë. Pas hetimeve, policia ka njoftuar se më 4 nëntor janë arrestuar dy persona të dyshuar për këtë rast.
Të dyshuarit janë dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit, ndërsa rasti është cilësuar si “Grabitje”
