Kthehet në Itali pavarësisht ndalesës pesëvjeçare, arrestohet shqiptari 32-vjeçar
Një shtetas shqiptar 32-vjeçar është arrestuar në Occhiobello të Italisë, pasi dyshohet se është kthyer në vend pavarësisht ndalesës pesëvjeçare për hyrje, të vendosur pas dëbimit të tij.
Sipas BTZ , shqiptari ishte dëbuar nga Italia në maj të vitit 2026, ndërsa ndaj tij ishte vendosur ndalesa për t'u kthyer deri në vitin 2031.
Rasti u zbulua gjatë kontrolleve të zakonshme të territorit nga karabinierët e Occhiobellos, të cilët ndaluan një automjet me dy persona të huaj brenda.
Për shkak të një problemi të përkohshëm teknik me sistemet informatike të policisë, verifikimi i dokumentacionit të tyre përfundoi vetëm disa orë më vonë, transmeton Telegrafi.
Kontrollet në bazat e të dhënave të autoriteteve italiane zbuluan se pasagjeri 32-vjeçar kishte qenë subjekt i një vendimi dëbimi, të nxjerrë në dhjetor të vitit 2025 nga prefekti dhe kuestori i Ferrarës.
Pas konstatimit se ai ishte kthyer në Itali pa autorizimin përkatës, karabinierët e gjetën në banesën e një familjari dhe e arrestuan nën dyshimin për shkelje të rregullave të emigracionit.
Megjithatë, Prokuroria e Rovigos urdhëroi lirimin e tij në pritje të seancës për vërtetimin e arrestimit.
Ky vendim u mor pasi 32-vjeçari rezulton se është në procedurë për mbrojtje ndërkombëtare dhe se vendimi i dëbimit mund të jetë pezulluar deri në përfundimin e shqyrtimit të kërkesës së tij.
Autoritetet italiane pritet të kryejnë verifikime të mëtejshme për statusin e procedurës së mbrojtjes ndërkombëtare dhe vlefshmërinë e vendimit të dëbimit ./Telegrafi/
