TË FUNDIT

Dy Burra në Kërkim Për Ekzekutimet në Sarajevë të vitit 1992

Kërkimi i drejtësisë për tetë rezervistë serbë të Ushtrisë Popullore Jugosllave (JNA), të cilët u ekzekutuan në një park të Sarajevës në vitin 1992, është shoqëruar nga dëshmi tejet kontradiktore dhe gabime në procesin gjyqësor.

Tashmë, dy burra të identifikuar si ekzekutorët pohojnë se janë bërë “kurbanë” për veprimet e të tjerëve. Sipas tyre, vrasjet në “Veliki Park” mbeten të pazgjidhura, të mbështjella me mister për shkak të dëshmive kontradiktore dhe dështimit të gjykatave boshnjake për të dëgjuar versionin e tyre, siç raporton tashmë Balkan Insight.

Rezervistët e JNA-së po shkonin drejt Ilidzhës, në periferinë perëndimore të Sarajevës, kur mjeti transportues me të cilin udhëtonin u prish në lagjen Dobrinja. Ishte data 22 prill 1992. Lufta kishte filluar vetëm pak javë më parë dhe Sarajeva ndodhej në ditët e para të një rrethimi që do të bëhej më i gjati në historinë e luftërave moderne.

Të bllokuar, rezervistët u kapën nga burra nën komandën e Davor Matiçit, i cili vepronte në komunën Novi Grad të Sarajevës. Fillimisht ata u dërguan në stacionin policor në Novi Grad dhe më pas në Shtëpinë e Policisë në qendër të Sarajevës.

Përballë, në parkun “Veliki Park”, ata u vranë me armë zjarri në mes të ditës. Gjashtë nga tetë viktimat nuk janë gjetur kurrë.

Nedzad Herenda, tani 73 vjeç dhe banues në Holandë, thotë se pothuajse çdo ditë gjatë prillit të vitit 1992 e kalonte në Shtëpinë e Policisë, në një zyrë në bodrum ku oficerët e Sigurimit Shtetëror boshnjak merrnin në pyetje ushtarët dhe snajperistët e kapur.

Ai e hedh poshtë pretendimin se ka qenë pjesëtar i njësisë speciale “Bosna”. Herenda kujton se më 22 prill dëgjoi të shtëna armësh dhe mendoi se mund të ishte një sulm këmbësorie. Dolli jashtë dhe arriti pikërisht kur të shtënat kishin pushuar.

“Ato fjalë ndoshta më kushtuan shtrenjtë,” tha Herenda për BIRN-in nga shtëpia e tij në Holandë. Teksa po kthehej brenda, një oficer policie në hyrje e pyeti se pse ishin vrarë ata burra? Herenda u përgjigj se ata kishin marrë atë që meritojnë. Në gjyqin e zhvilluar 25 vjet më vonë, i njëjti oficer policie deklaroi se kishte kuptuar fjalët e Herendës si pranim se ai kishte marrë pjesë në ekzekutim.

“Isha i pranishëm, shumë afër, pashë mjaft gjëra,” tha Herenda për BIRN-in. “Por askush nuk mund të më ketë parë duke e bërë këtë, sepse, në fund të fundit, unë nuk e bëra.”

Edvin Jusiçi, tani 54 vjeç dhe jetues në Gjermani, thotë se u përpoq të shpëtonte një nga viktimat, dhe për shkak të kësaj përpjekjeje, u qëllua në këmbë. Plumbi ndodhet ende në këmbën e tij, pak poshtë gjurit.

“Matiçi dyshohet se u bërtiti njerëzve të tij që të hapnin zjarr mbi rezervistët, ‘dhe edhe mbi këtë bastardin’,” tregon Jusiçi. Ai identifikoi gjithashtu Matiçin dhe Sulejman Babiçin, të mbiquajtur “Memko”, si pjesë e një grupi prej katër deri në gjashtë personash që qëlluan.

“Herenda nuk kishte asnjë lidhje me këtë. Madje nuk e pashë kurrë,” i tha Jusiçi BIRN-it. Jusiçi tha se më vonë u vu nën presion që të mos fliste për atë që kishte parë. Ai u largua drejt Gjermanisë, ku në vitin 2001 iu dha azili dhe më vonë shtetësia.

Dëshmitarët në gjyqin kundër Dragan Viçiqit, Jusuf Pushinës, Nermin Uzunoviçit dhe Mladen Çovçiqit, të cilët u shpallën të pafajshëm në vitin 2022, dhanë dëshmi kontradiktore.

Një dëshmitar i mbrojtur, anëtar i njësisë së Matiçit, i identifikuar vetëm si “Dëshmitari A” i tha gjykatës se e pa Herendën duke qëlluar të tetë të burgosurit nga një distancë prej vetëm dy metrash, ndonëse fillimisht nuk ua kishte treguar këtë hetuesve. Amir Medzhiçi, rezervist në njësinë e Viçiqit, gjithashtu deklaroi se Herenda ishte i vetmi që qëlloi.

Por ata nuk bien dakord se si u zhvilluan ngjarjet. Dëshmitarë të tjerë e vendosën Herendën pranë vendngjarjes, por nuk thanë se ai kishte qëlluar. Dy anëtarë të njësisë së Viçiqit dhe sekretari i njësisë thanë se kishin dëgjuar që vrasësit ishin ose njerëzit e Matiçit, ose ata të Jusuf “Juka” Prazinës.

Trupi gjykues i apelit vuri në dukje se, ndonëse shumë dëshmitarë i identifikuan Herendën dhe Jusiçin si vrasësit, asnjëra nga dëshmitë e përmendura nuk e identifikoi Jusiçin si personin që hapi zjarr.

Në vitin 2006, një prokuror ndërkombëtar, i ngarkuar me hetimin në emër të Prokurorisë së Bosnjës, i tha avokatit të Herendës se besonte se ai ishte shndërruar në një “kokë turku” të mundshëm, për të larguar dyshimet nga vrasësit e vërtetë.

Philip Alcock, prokurori ndërkombëtar, shkroi në emailin e vitit 2007 se pas një viti hetimesh, ai “nuk kishte folur me askënd që pretendonte se e kishte parë vetë atë duke kryer krimin”. Sipas tij, provat ishin thjesht dëshmi të dëgjuara nga të tjerë.

“Në këtë fazë të hetimit tim, ai duket se është një ‘kokë turku’ e mundshme,” shkruante Alcock, “i përmendur për të larguar dyshimet nga autorët e tjerë, të cilët kanë më shumë gjasa të jenë fajtorët e vërtetë.”

Herenda dhe Jusiçi mbeten persona në kërkim, të paaftë për t’u kthyer në Bosnjën e tyre të lindjes. Një urdhërarrest i Interpolit rëndon mbi ta. Holanda refuzoi ta ekstradonte Herendën, me arsyetimin se ai nuk do të kishte një gjykim të drejtë në Bosnje. Autoritetet gjermane refuzuan ta dorëzonin Jusiçin, duke argumentuar se ai ishte shtetas gjerman.

Nga tetë ushtarët e vrarë në Veliki Park, janë gjetur pjesërisht mbetjet e vetëm dy prej tyre, të zhvarrosura dekada më vonë në një varr masiv në Visoko, pothuajse 30 kilometra larg vendit ku u vranë. Gjashtë persona mbeten ende të zhdukur.

Tetë personat ishin: Gjorgje Bjelica, 20 vjeç; Vlajko Goluboviç, 22 vjeç; Nedeljko Vujiçiq, 23 vjeç; Zoran Markoviç, 34 vjeç; Miladin Vukmanoviç, 34 vjeç; Stevan Gjokanoviç, 39 vjeç; Milivoje Laloviç, 41 vjeç; dhe Dragomir Gjeriç, 48 vjeç.

Në entitetin e Bosnjës, Republika Srpska, data 22 prill shënohet si Dita e Serbëve të Zhdukur nga Sarajeva dhe rajoni i Sarajevë-Romanijës.

Sasha Gjokanoviç, djali i Stevan Gjokanoviçit, tregoi se familja i kaloi dekadat duke kërkuar mbetjet e tij, “por pa asnjë rezultat”. Jusiçi tha se do ta mirëpriste një bisedë me të afërmit e burrave që u vranë. “Do t’iu shprehja ngushëllimet e mia dhe do t’u thoja se më vjen keq që, për fat të keq, nuk arrita t’i mbroj ata njerëz.” /KosovaNews/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *