Shqiptari në qendër të vrasjes mafioze në Itali, arrestohet personi i katërt për ekzekutimin që tronditi Barlettën
Një shqiptar 41-vjeçar dyshohet se organizoi dhe kreu vrasjen e 26-vjeçarit Francesco Diviesti në Barletta, në kuadër të një lufte për kontrollin e trafikut të drogës. Në pranga ka rënë edhe një 56-vjeçar italian, i dyshuar për mbështetje logjistike dhe përfshirje në fshehjen e krimit.
Një tjetër arrestim është regjistruar në kuadër të hetimeve për vrasjen me tipare mafioze të 26-vjeçarit Francesco Diviesti, ngjarje që tronditi zonën e Barlettës në Itali në prill të vitit 2025, raporton agjencia italiane e lajmeve Ansa.
Në pranga ka rënë një 56-vjeçar italian nga Minervino Murge, i cili dyshohet se ka ndihmuar autorët e krimit, duke u siguruar mbështetje logjistike për ekzekutimin dhe fshehjen e gjurmëve.
Në qendër të hetimeve është shqiptari 41-vjeçar Igli Kamberi, i cili dyshohet nga autoritetet italiane si personi që drejtoi vrasjen, me qëllim forcimin e kontrollit mbi aktivitetet e trafikut të drogës në Barletta.
Sipas hetimeve të koordinuara nga Drejtoria Anti-Mafia e Distriktit të Barit, Kamberi dyshohet se kreu vrasjen në bashkëpunim me Antonio Lanotte, 25 vjeç, dhe Nicola Dibenedetto, 21 vjeç. Të tre ishin arrestuar në maj të vitit të kaluar.
I arrestuari i fundit, Francesco Sassi, akuzohet për bashkëpunim në vrasje me paramendim, shkatërrim dhe fshehje të kufomës, si dhe posedim të paligjshëm të armëve të zjarrit.
Sipas dosjes hetimore, ai dyshohet se ka siguruar gomat që u përdorën për t'i vënë flakën trupit të viktimës, si dhe ka ndihmuar në fshehjen e armëve dhe shkatërrimin e kufomës, transmeton Telegrafi.
Francesco Diviesti u zhduk mbrëmjen e 25 prillit 2025, pas një konflikti jashtë një lokali në Barletta. Katër ditë më vonë, trupi i tij u gjet në një banesë të braktisur në fshat, në territorin e Canosa di Puglia.
Sipas rindërtimit të hetuesve, 26-vjeçari u dërgua në një zonë të izoluar të Alta Murgia, ku u qëllua pesë herë me dy pistoleta. Më pas, trupi i tij u dogj me goma, në një përpjekje për të zhdukur gjurmët e krimit.
Hetimi ka zbardhur gjithashtu se vrasja dyshohet të ketë qenë pjesë e një përplasjeje për kontrollin e tregut të drogës në Barletta, ku shqiptari Igli Kamberi dyshohet se kërkonte të konsolidonte supremacinë e tij kriminale.
Për zbardhjen e ngjarjes kanë qenë të rëndësishme edhe deklaratat e një personi që dyshohet se ka bashkëpunuar me drejtësinë.
Arrestimi i fundit u krye nga efektivët e Drejtorisë Anti-Mafia në Bari, në bashkëpunim me Skuadrën Fluturuese të Andrias. /Telegrafi/
