Jasharaj flet për ofendimet ndaj tij: Mi përmendnin dhëmbët, u detyrova t’i vë e t’i mbaj me zor
Jasharaj flet për ofendimet ndaj tij: Mi përmendnin dhëmbët, u detyrova t’i vë e t’i mbaj me zor
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka folur për ofendimet, linçimet dhe përqeshjet me të cilat është përballur gjatë kohës së grevës në shkolla.
Ai ka deklaruar se shumë nga veprimet që ka ndërmarrë, nuk i përkasin natyrës së tij, pasi që sipas tij në realitet është shumë më i thjesht dhe më modest se sa që paraqitet në media.
“Mund të ketë sulme edhe në të ardhmen, por unë nuk mërzitem. Por, i kisha lutë eksponentët e partisë në pushtet edhe partive që vijnë në të ardhmen, të merren vetëm me mua nëse gaboj, të ma thonë dhe e pranoj publikisht. Mos të merren me fjali të ulëta, me ofendime personale të pamjes etj. Mediat e dinë se një kohë kanë qenë ‘hit’ edhe dhëmbët e mi, ‘i ka, s’i ka’, ato ironitë ‘t’i mbledhim nga një euro t’ja qesim’, dhe u detyrova pa dëshirën time t’i vë dhëmbët që i mbaj t’ju them të vërtetën më shumë për inat të dikujt dhe me zor ngase nuk më rrinë mirë se kam probleme me trupat e jashtëm”, ka thënë Jasharaj në një intervistë për lajmi.net.
Ai ka potencuar se të njëjtin veprim e ka bërë edhe për veshmbathje, ku po kujdeset më tepër, ndërsa ka thënë se sa i përket natyrës së tij, ai nuk ndihet mirë fare me “komplete” sepse nuk është i kujdesshëm.
“Ndihem si njeri i huaj, jam mësuar me një jetë të thjeshtë, më modeste”, ka thënë Jasharaj.
Ai ka thënë se ka pasur tendenca ta fotografojnë edhe në publik duke pirë kafe apo çaj, andaj edhe ushqehet në shtëpi.
Jasharaj ka deklaruar se shteti është munduar të hulumtojë rreth deklaratave të tij dhe pasurisë së tij, por që nuk është bërë publike kurrë pasi që nuk është gjetur asgjë dyshuese apo e pavërtetë. /Lajmi.net/