Vuçiq ra, pasanikët e korruptuar ikin në Rusi dhe Arabinë Saudite: Milionat po transferohen?
Në Serbi ka nisur një verifikim gjithëpërfshirës i veprimeve të prokurorive shtetërore, vetëm pak ditë pas fitores zgjedhore të Listës Studentore dhe humbjes së Partisë Përparimtare Serbe (SNS) të Aleksandar Vuçiqit.
Kryeprokurorja e Shtetit, Zagorka Dolovac, ka nxjerrë një udhëzim shtrëngues me të cilin u urdhërohet të gjitha prokurorive në Serbi t’i mundësojnë komisionit të posaçëm të Prokurorisë së Lartë të Shtetit qasjen në lëndë.
Komisioni pesëanëtarësh tashmë ka mbërritur në Prokurorinë e Lartë Publike në Beograd — institucion ky që gjatë protestave studentore u gjend nën shënjestrën e kritikave për shkak të trajtimit të kundërshtarëve të pushtetit të atëhershëm të Vuçiqit, raportojnë portalet Nova.rs dhe gazeta Danas.hr, transmeton INA.
Kandidati i Listës Studentore, Nemanja Gjuriq, konfirmoi në një intervistë për N1 se komisioni ka nisur verifikimin e lëndëve në Prokurorinë e Lartë Publike në Beograd, e cila drejtohet nga Nenad Stefanoviq, transmeton tportal.
Në fokus lëndët “Tenda”, “Topi zanor” dhe “Senjak”
Mes lëndëve të para që komisioni ka kërkuar gjenden rastet e njohura si “Tenda”, “Topi zanor” dhe “Senjak”, raporton gazeta Danas. Vëmendje e veçantë i është kushtuar veprimeve të prokurorisë gjatë protestave studentore, përfshirë arrestimet e veprimtarëve.
Po verifikohen gjithashtu urdhrat për përgjim dhe ligjshmëria e marrëveshjeve për pranimin e fajësisë që Prokuroria e Lartë Publike në Beograd ka lidhur me të pandehurit, si dhe nëse masat e posaçme hetimore, si vëzhgimi i komunikimeve, janë zbatuar në përputhje me ligjin, njofton Nova.rs.
Prokuroria e Lartë Publike në Beograd konfirmoi se u ka mundësuar prokurorëve qasje në të gjithë dokumentacionin e kërkuar dhe deklaroi se nuk bëhet fjalë për një procedurë të pazakontë.
Gjuriq: “Pres arrestimin e zyrtarëve të lartë shtetërorë”
Nemanja Gjuriq vlerëson se fitorja zgjedhore e Listës Studentore ka hapur hapësirë për veprim më të pavarur të institucioneve të drejtësisë. Ai thekson se Lista Studentore nuk ushtron presion mbi prokurorinë, por dëshiron të dërgojë mesazhin se tani ato mund të punojnë në përputhje me ligjin.
“Nëse deri më tani kanë ekzistuar disa lidhje, pranga dhe kufizime, nëse dikush i është frikësuar përfaqësuesve të pushtetit ekzekutiv, ky është momenti për të dërguar mesazhin se prokuroritë nga sot mund të punojnë lirshëm”, tha Gjuriq. “Pres në ditët në vijim arrestime të caktuara të zyrtarëve të lartë shtetërorë”, shtoi ai.
Gjuriq u bëri thirrje edhe qytetarëve që të mbledhin dokumentacion për paligjshmëritë e mundshme që kanë vërejtur në institucionet publike, ndërmarrjet, shkollat, kopshtet e fëmijëve dhe spitalet.
Nisja e kontrollit vjen në një moment të ndjeshëm kur ende pritet ngritja e parlamentit dhe formimi i qeverisë së re. Megjithëse Vuçiq e pranoi humbjen zgjedhore, institucionet kyçe shtetërore vazhdojnë të udhëhiqen nga zyrtarë të emëruar gjatë pushtetit të tij.
Pasanikët e korruptuar po ikin masivisht me avionë privatë?
Kurir-i serb në ndërkohë ka raportuar se shumë pasanikë brenda natës i kanë kthyer krahët Vuçiqit, ndaj të cilit ishin besnikë përderisa “grumbullonin miliona euro” nga punët fitimprurëse. Disa prej tyre dyshohet se e kanë braktisur tashmë vendin, ndórsa të tjerë po bëhen gati ta nxjerrin paranë jashtë vendit, tha për Telegrafin serb një burim i mirëinformuar.
Sipas informacioneve jozyrtare që qarkullojnë në rrjetet shoqërore, në dy ditët e fundit është shënuar një qarkullim i shtuar ajror, ndërsa nga aeroporti “Nikola Tesla” është shënuar ngritja e avionëve privatë drejt vendmbërritjeve në Emiratet e Bashkuara Arabe, Rusi apo strehëza tatimore.
“Sapo Vuçiq tha se lista ‘Serbia e Bashkuar’ i ka humbur bindshëm zgjedhjet, kaploi një panik i përgjithshëm mes pasanikëve të korruptuar. Individë po mbyllin me shpejtësi llogaritë, po kalojnë pronësinë e kompanive te persona të tretë dhe po përpiqen të shesin nxitimthi paluajtshmëri luksoze në Beograd dhe në vendndodhje të tjera të zgjedhura”, tha burimi për Telegrafin serb, duke shtuar se bëhet fjalë për njerëz që kanë krijuar “pasuri marramendëse gjatë 14 viteve të fundit”.
“Ata edhe gjatë kohës së fushatës zgjedhore u dërgonin sinjale përfaqësuesve të Listës Studentore, por nuk morën ndonjë përgjigje konkrete se a do të jenë shënjestër e verifikimit të pasurisë. Disa madje ofruan shuma të mëdha parash për fushatën, me kusht që të mbeteshin anonimë, me çka përpiqeshin të siguroheshin për të dyja rezultatet e mundshme zgjedhore, mirëpo nuk dihet nëse kanë arritur t’ia dalin”, shtoi ai burim.
Kandidati i Listës Studentore, akademiku Radomir Saiçiq, vlerësoi se gjatë periudhës së ndërrimit të pushtetit do të jetë me rëndësi të parandalohet nxjerrja e kapitalit dhe e dokumentacionit nga vendi, si dhe keqpërdorimi i institucioneve.(INA)
