Gjykata e Pejës thyen heshtje, si arsyetohet urdhri mbrojtës që rezultoi fatal për Arlindën
Aktvendimi për urdhrin mbrojtës për Arlinda Zekajn, në të cilin shkruhej edhe për ndarjen e shtëpisë me Jeton Sylajn, pavarësisht se ky i fundit kishte precedent penal, është ndër dokumentet që tashmë janë në posedim të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK).
Këtë e ka bërë të ditur kryetari i Gjykatës Themelore në Pejë, Shemsedin Haxhijaj.
“Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor ka autorizuar Drejtorin e Inspektimit. Realisht, kanë ardhur dy inspektorë, i kanë marrë shkresat e lëndës dhe do të dalin me një raport të detajuar e të analizuar, nga momenti kur është dorëzuar kërkesa e deri kur ka marrë epilog”, ka theksuar Haxhijaj për RTVDukagjinin.
Përmes telefonit, Haxhijaj ka komentuar edhe vendimin kundërthënës, duke thënë se kufizimet ishin kërkesa të palëve.
“Në raportet civile, gjyqtari që e ka në trajtim lëndën është i lidhur vetëm me kërkesën e palës. Vetëm atë që kërkon pala, në këtë rast Zyra për Mbrojtjen e Viktimave dhe avokatja e të ndjerës, mund ta marrë parasysh, dhe nuk mund të ndërmarrim asgjë jashtë kërkesës së tyre. Gjyqtari ka vendosur në përputhje me kërkesën që ka pasur”, ka deklaruar ai.
Përmes një komunikate për media, KGJK-ja ka konfirmuar se kryesuesi Rrustem Thaqi, të hënën, kishte autorizuar Drejtorin e Njësisë për Inspektim Gjyqësor për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme. Raporti i është dorëzuar KGJK-së gjatë ditës.
“Me datën 17 shtator 2026, znj. Arlinda Sylaj Zekaj i është drejtuar me kërkesë Kryetarit të Gjykatës Themelore në Pejë, ku ka shprehur pretendimet se gjyqtari i çështjes ka vendosur kundërligjshëm dhe pas afateve ligjore. Kryetari i Gjykatës në Pejë, po të njëjtën ditë, me datën 17 shtator 2026, i është drejtuar gjyqtarit të çështjes me kërkesë që të informohet lidhur me çështjen, si dhe me veprimet e ndërmarra. Po të njëjtën ditë, gjyqtari i çështjes është përgjigjur në kërkesën e Kryetarit. Ndërsa, me datën 20 tetor 2026, Kryetari i Gjykatës, me shkresën GJA.nr.197/26, i është përgjigjur znj. Arlinda Sylaj Zekaj, duke i sqaruar të gjitha veprimet e ndërmarra nga Gjykata në lidhje me rastin”, thuhet në komunikatë.
Sipas komunikatës, në gjetjet e tjera të Njësisë së Inspektimit Gjyqësor thuhet se emri i Albert Sylajt, të dyshuarit për vrasjen e Arlindës, nuk figuron në asnjë shkresë të lëndës. Po ashtu, në Këshill nuk është gjetur asnjë kërkesë e adresuar nga viktima.
Megjithatë, para se të vritej, Arlinda kishte dërguar një letër për ndihmë në adresë të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), i cili më pas i ishte drejtuar kryeprokurores në Pejë.
Në KPK janë në pritje të raportit nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, për të vazhduar me hapat e mëtejmë.
“Ju njoftojmë se Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) është duke përcjellë me vëmendje rastin në fjalë. Në këtë drejtim, përgjegjësia eventuale e prokurorëve trajtohet në përputhje me dispozitat e Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, duke respektuar procedurat dhe kompetencat e përcaktuara me ligj, pas pranimit të njoftimit apo kërkesës nga autoriteti kompetent.
Këto dispozita nuk i japin KPK-së mandat dhe kompetencë për shqyrtimin e mënyrës së trajtimit të rasteve penale në mënyrë të drejtpërdrejtë, sipas detyrës zyrtare. Deri më tani, KPK-ja nuk ka pranuar kërkesë zyrtare nga autoriteti kompetent për trajtimin e kësaj çështjeje. Në rast të pranimit të një kërkese apo informacioni zyrtar që kërkon veprim brenda kompetencave të tij, KPK-ja do ta trajtojë atë në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi”, thuhet në përgjigjen e KPK-së.
Rasti i vrasjes së Arlinda Zekajt tashmë i është kaluar Prokurorisë Themelore në Prishtinë, me vendim të kryeprokurorit të shtetit, Zejnulla Gashi.
Arlinda, e cila e kishte raportuar ish-bashkëshortin për dhunë në familje, kishte paralajmëruar institucionet e drejtësisë për rrezikun me të cilin përballej.
Ajo u vra nga ish-kunati i saj, Albert Sylaj, i cili u arrestua një ditë më parë.
