Kim Kardashian pretendon se iu drejtua arma në kokë gjatë udhëtimit në Afrikë, për shkak të Kanye Westit
Kim Kardashian pretendon se gjatë një udhëtimi në Afrikë, në vitin 2018, një person i drejtoi armën në kokë. Sipas një libri të ri, incidenti ndodhi pasi ish-bashkëshorti i saj, Kanye West, dyshohet se u bë paranojak dhe alarmoi policinë lokale.
Këto pretendime janë përfshirë në librin e ri të gazetarit Jonathan Van Meter, me titull “Citizen Kim: The Woman Who Created the Future” , i cili u publikua të martën. Sipas Page Six , autori shkruan se në tetor të atij viti marrëdhënia mes çiftit ishte përkeqësuar në mënyrë të pakthyeshme.
Në librin e tij, Van Meter citon Farnaz Farjam, producente ekzekutive e emisionit “Keeping Up with the Kardashians”, e cila i ka rrëfyer se gjatë atij udhëtimi e kishte kuptuar se sa e rënduar ishte marrëdhënia mes Kim Kardashianit dhe Kanye Westit.
“Po xhironin në një vend të izoluar në Ugandë, kur Kanye u bë paranojak dhe i shqetësuar”, shkruan Van Meter.
Sipas rrëfimit të Farjamit, West dyshohet se e kishte bindur policinë lokale se dikush po përpiqej ta drogonte. Si pasojë, policët kishin mbërritur në vendngjarje me armët e nxjerra dhe, me kërkesën e tij, kishin hyrë me forcë në dhomat e të gjithë anëtarëve të ekipit.
Van Meter shton se, në një moment, “njëri prej policëve ia drejtoi armën Kim Kardashianit në kokë”.
Farjam e ka përshkruar situatën si jashtëzakonisht të tensionuar, duke treguar se ishte detyruar të merrte me qira një avion privat për të larguar ekipin nga vendi.
Sipas librit, Farjam përfundimisht e kishte falur Westin për incidentin, pasi ai vuan nga çrregullimi bipolar dhe, në atë periudhë, dyshohet se ndodhej në një fazë maniake.
Page Six bëri të ditur se kishte kontaktuar përfaqësuesit e Westit për të marrë një koment lidhur me këto pretendime, por deri në publikimin e artikullit nuk kishte marrë përgjigje.
Kim Kardashian, 46 vjeçe, dhe Kanye West, 49 vjeç, u martuan në vitin 2014 dhe e finalizuan divorcin në vitin 2022. Ata kanë katër fëmijë: North, 13 vjeçe, Saint, 10 vjeç, Chicago, tetë vjeçe, dhe Psalm, shtatë vjeç.
Në librin e ri, Kardashian flet hapur edhe për vështirësitë e bashkëprindërimit me ish-bashkëshortin.
“Vazhdoj të shqetësohem për të. Gjatë gjithë ditës. Ai është babai i fëmijëve të mi dhe gjithmonë do të shqetësohem për të”, i ka thënë ajo autorit.
“Është një barrë e rëndë kur ke fëmijë me dikë me të cilin nuk pajtohesh aq mirë. Fëmijët e mi nuk duhet ta dinë kurrë këtë”, ka shtuar Kardashian.
Ajo ka pranuar se po përpiqet t’i lërë pas “të gjitha gjërat negative që kanë ndodhur”, por njëkohësisht ka vendosur kufij të qartë në marrëdhënien me Westin.
“Prej një kohe gjërat kanë qenë mjaft të qeta. Ndoshta sepse nuk flasim shumë. Por, kur takohemi, përqafohemi”, ka deklaruar Kardashian. /Telegrafi/
