TË FUNDIT

Aleanca kërkon dorëheqjen e Gërvallës dhe Sveçlës pas rastit të Arlinda Zekajt

Aleanca ka kërkuar dorëheqjen e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, duke iu bashkuar thirrjeve të bëra gjatë protestës së mbajtur sonte në Prishtinë për drejtësi në rastin e Arlinda Zekajt.

Në një njoftim, Aleanca e ka cilësuar të dështuar Strategjinë Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Dhuna ndaj Grave, duke kërkuar ndryshimin e saj të plotë dhe të menjëhershëm.

Sipas Aleancës, përgjegjësia për dështimin e strategjisë i takon Ministrisë së Drejtësisë, ndërsa për ministrin Sveçla ka kërkuar dorëheqje për atë që e ka cilësuar si “menaxhim fatal të rastit të Arlinda Zekajt”.

“Aleanca i bashkohet kërkesës së grave të Kosovës për dorëheqjen e ministres Gërvalla. Aleanca po ashtu kërkon dorëheqjen e ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, për menaxhim fatal të rastit të Arlinda Zekaj”, thuhet në njoftim.

Aleanca ka theksuar se përgjegjësia për rastet e tilla nuk duhet të kufizohet vetëm te zyrtarët e nivelit të ulët në polici apo prokurori, por duhet të përfshijë edhe përgjegjësit politikë.

“Është e papranueshme që të shkarkohen vetëm vartësit, ndërsa përgjegjësit politikë të vazhdojnë të bëjnë sehir, duke mbrojtur një strategji që ka dështuar. Përgjegjësia duhet të nisë nga lart”, thuhet në reagimin e Aleancës./Telegrafi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *