TË FUNDIT

Ardita Repishti: Pa të vërtetën dhe drejtësinë, falja është harresë e keqpërdorur

Një fotografi e panjohur, fëmijëria e ndërprerë e të atit dhe dëshmitë e zbuluara në arkiva janë vetëm një pjesë e rrëfimit. Ardita Repishti flet për përndjekjet nën dy regjime, historitë e shqiptarëve të mbetur në harresë, lidhjen e veçantë me Kosovën dhe trashëgiminë e profesor Sami Repishtit

Një djalë trembëdhjetëvjeçar, përballë dëbimit nga shtëpia familjare në Shkodër, përpiqet të marrë me vete librat e shkollës. Ende nuk e di se rruga do ta çojë pas telave me gjemba të kampit të Tepelenës. Në ato çaste, mes frikës dhe pasigurisë, librat janë e vetmja vazhdimësi e botës që po i rrëmbehej.

Vite më vonë, vajza e tij do të përpiqet të rindërtojë historinë që babai e kishte mbajtur kryesisht në heshtje. Pas vdekjes së tij, një fotografi e panjohur, e shoqëruar me një shënim në anën e pasme, do të zbulojë një dëshmi të rrallë të viteve të internimit.

Ajo është Ardita Repishti, studiuese, kërkuese shkencore, aktiviste dhe ndërmjetësuese kulturore, njohëse e dokumenteve të përndjekjes politike. Rrugëtimin e saj profesional e ka lidhur me kërkimin e së vërtetës historike dhe rikthimin e dinjitetit të njerëzve që diktatura u përpoq t’i fshinte edhe nga kujtesa.

Në këtë intervistë për Telegrafin, ajo rrëfen historinë e familjes Repishti, kujtimet për xhaxhain e saj, profesor Sami Repishtin, dhe përkushtimin e tij të palëkundur ndaj çështjes së Kosovës. Flet për dosjet e ish-Sigurimit, dokumentet që fshehin po aq sa zbulojnë, të përndjekurit që ende presin drejtësi dhe fatet e shqiptarëve që vazhdojnë të mbeten të shpërndara në arkivat evropiane.

Rrëfimi shtrihet nga Shkodra e Tirana në Kosovë, Itali dhe Amerikë, duke sjellë në vëmendje lidhjet kulturore ndërmjet shqiptarëve, edukimin e brezave të rinj, përvojën e mërgimit dhe fuqinë e artit për ta mbajtur gjallë kujtesën.

Përtej historisë së një familjeje, kjo intervistë ngre një pyetje që vazhdon të rëndojë mbi ndërgjegjen e shoqërisë: A mund të ketë falje të vërtetë, kur e vërteta ende kërkohet dhe drejtësia mbetet e papërmbushur?

Një fëmijëri e internuar dhe kujtesa që nuk shuhet

Znj. Repishti, historia e familjes suaj zë një vend të veçantë në rrugëtimin tuaj njerëzor dhe intelektual. Keni rrëfyer se babai juaj, Vehbi, vetëm 13 vjeç, gjatë dëbimit drejt internimit në Tepelenë, u përpoq të merrte librat e shkollës. Çfarë përfaqëson për ju ky kujtim, ku përballë humbjes së shtëpisë qëndronte dashuria për dijen?

Historia e babit fëmijë që internohet nga shtëpia dyqindvjeçare në mes të Shkodrës diku në mes të askundit, në kampet e Tepelenës, – pa faj, pa peshë, por i kategorizuar jo për zgjedhje të vetat – është shumë më tepër se kujtim. Është një strukturë, të cilën e kam ndier me kohë se duhet ta zbërthej, dhe elementet e së cilës ende i marr me vete.

E vetmja gjë që babi, Vehbi Repishti, kishte në dorë të bënte kur kamioni i ushtrisë ndaloi te dera për t’i internuar duke u lënë vetëm një orë kohë për t’u përgatitur, ishte të vijonte atë që dinte të bënte në atë moshë, në atë shtëpi, jetim që rritej me nanën e motrën 15 vjeçe, me një vëlla në burg politik e një tjetër mësues në malësi, që u arratis e për shkak të të cilit, e gjithë familja u etiketua “armike” e duhej të shlyente dënimin e vet.

Ai kishte nevojë për vazhdimësi. Këtë e shihte te librat, gjuhët e huaja, dritaret që hapte përmes dijes e ai s’mund ta dinte se atje ku po i çonin, rrethimi do të ishte me tela me gjemba. Jeta, dhuratë e vdekja, bashkëshoqëruese. Pafajësia, taban e padrejtësia, kamzhik mbi gra, vajza, fëmijë e pleq, familjarë të kundërshtarëve politikë të sistemit.

Babi që vrapon të mbushë çantën me libra para se ta deportojnë, është babi i kthyer në Shkodër pas tre vjetësh internim, i përjashtuar rregullisht nga shkolla si “i deklasuar”, punëtor i zhytur deri në bel në gëlqere, që njëkohësisht, ngjiste në mur fletë me fjalë të reja e mësonte përditë gjuhë të huaja, rusisht, frëngjisht, italisht, anglisht… Babi im që e sfidonte botën me etjen për dije është më shumë se model. Është rrënja e fortë që më ushqen e më shtyn ta dua sa më shumë dritën e të hapem sa më shumë në botë.

Pas vdekjes së babait zbuluat një fotografi të fëmijërisë së tij, me një dëshmi të shkruar në anën e pasme për internimin në Tepelenë. Si e përjetuat këtë përballje me kujtimet që ai i kishte ruajtur në heshtje dhe cilat pyetje do të kishit dashur t'ia bënit, por që mbetën përgjithmonë pa përgjigje?

Para se të niseshim në Tiranë për operacionin nga i cili nuk doli më, në heshtje, babi kishte riprodhuar 4 kopje të së njëjtës foto të panjohur për ne, në anën e pasme të së cilës kishte lënë një shënim në vetë të tretë, në të vërtetë, e vetmja dëshmi e tij e shkruar për ne të tre dhe nanën.

Shumë pak më kishte folur për Tepelenën, për të ishte dhimbje e ta kujtonte dukej se i rrezikonte ekuilibrin e panatyrshëm të mosthënies. Për fëmijët, për punën, për ditën e nesërme. Heshtja për të e për të gjithë si ai ishte mbrojtje. Që më pas u bë zakon. E kur e ke pranë njeriun tënd të duket sikur do të kesh kohë ta pyesësh për gjithçka e kështu jeta rrjedh e nuk kthehet më…

Pyetjet që do t’i kisha bërë një njeriu si babi që nuk u dorëzua kurrë e ishte gjithnjë buzagaz ishin pa fund. Sidomos të lidhura me atë periudhë të jetës së tij, të cilën na e kishte mbajtur gati të fshehtë dhe kam arritur ta zbardh nga kujtimet e bashkëkohësve me të cilët ndau kampin e dënimet e tjera. Kujtime që më kanë bërë të njoh një baba që nuk e dija kush ishte e më kanë ndihmuar të vlerësoj më shumë detajet, njerëzit, momentet.

Në vitin 2022 shkrova me të tjerë përmbajtjen për memorialin e ish-kampit të Tepelenës, si studiuese, sigurisht. Por që prej ikjes së babit, Tepelena nuk ka qenë thjesht një vend në hartë a histori.

Përtej kujtimeve personale, arkivat mund të ruajnë të vërteta që nuk janë përcjellë ndër breza. A keni zbuluar dokumente që kanë ndryshuar mënyrën si e njihni historinë familjare? Sa ka ndikuar kjo përvojë, si bijë e një familjeje të përndjekur, në orientimin tuaj drejt kërkimit shkencor?

Sigurisht. Çdo dokument i ri është një element më shumë që rikrijon historinë e familjes, sidomos pas bastisjes së shtëpisë kur u internuan apo edhe kur u arrestua axha. Historia jonë familjare është gjithnjë e lidhur me vendin e dëshirën për liri, që me pjesëmarrjen e stërgjyshit në strukturat e Lidhjes së Prizrenit, praninë e gjyshit imam në mbrojtjen e Shkodrës në 1913 nga malazezët, pastaj përfaqësimin e tij në parlamentin shqiptar me grupin Ora e Maleve, rezistencën ndaj pushtetit e pushtuesit… Deri në shtator 1943 kur ushtarë fashistë e torturuan në shtëpi, për shkak të nipit komunist që kërkonin e nuk e gjenin (i cili në fakt fshihej në shtëpinë tonë, ndërkohë e u nxor jashtë saj nga gratë e familjes). Të nesërmen në mëngjes, pas largimit të ushtarëve, gjyshi, Brahim Repishti, vdiq nga hemorragjia cerebrale. Nipi 17-vjeçar, Zyhdi Repishti, u kap, iu dorëzua gjermanëve e përfundoi në Mauthausen.

Axha Sami, pjesëmarrës në demonstrata antifashiste, që ndërkohë studionte histori në Firence, u kthye në shtëpi si kryefamiljar e pas një kohe të shkurtër u dënua si antikomunist. Një pjesë e mirë e pasurisë dhe shtëpisë u konfiskua nga shteti, familja përfundoi pas telave me gjemba, ndër breza “armiq të popullit”…

Të përndjekur nga fashizmi sepse mbronim një “komunist”. Të përndjekur nga komunizmi si armiq. Si i shpjegohet kjo një fëmije që lind e rritet “armik”?

Sigurisht, historia familjare me ngjyrimet e veta kundërshtuese të regjimeve ka ndikuar në qasjen ndaj dokumentit, dëshmive, rrethanave, dritëhijeve, kërkimit shkencor. Gjykoj të më ketë bërë më korrekte e këmbëngulëse. Por ruaj ende brishtësi…

Sami Repishti, zëri i Kosovës dhe i Shqipërisë

Xhaxhai juaj, profesor Sami Repishti, ishte intelektual dhe mbrojtës i të drejtave të njeriut, i angazhuar edhe për Kosovën. Si e kujtoni përtej figurës publike, në marrëdhëniet familjare dhe bisedat e përditshme? Cilat vlera, këshilla apo kujtime me të kanë lënë gjurmët më të thella në jetën tuaj?

Për botën, Sami Repishti ishte profesori, disidenti, zëri i Kosovës e i Shqipërisë në Amerikë. Për ne ishte të gjitha këto dhe i miri e i pakrahasueshmi axha Sami.

Me axhën, në shtëpinë e tij në SHBA, dhjetor 2018

Axhën tim të rrallë e kam njohur nga kronikat e Zërit të Amerikës që i dëgjonim fshehtas në shtëpi. Kur isha 10 vjeçe, babi më mori në Tiranë prej ku për herë të parë arriti të bënte një telefonatë me të vëllanë, pas më shumë se 30 vitesh arratisje. Edhe unë isha me babin e dëgjova axhën tim të urtë e me humor të rrallë të më fliste ngrohtë e që atëherë kjo lidhje mbeti e tillë. Pavarësisht diferencës së madhe të moshës, ai dinte të ishte shok i një fëmije, adoleshenteje, studenteje, më pas profesionisteje, në çdo kohë. Një prani e përhershme, e ngrohtë, e dashur, pa kushte, e rrallë, për shumë e shumë vite. Axha im i mirë mbylli sytë gati dy vjet më parë, pak pa bërë 100 (batutat tona me 100 ishin të pafundme që pas 85-vjetorit) me zemrën plot, me një familje të bukur që e rrethonte me dashuri, në Amerikë e në Shqipëri, e me respektin e gjithkujt që pati fatin ta takonte e të merrte nga urtësia e tij, largpamësia, dashuria për jetën, për vendin e për njeriun. Sado të them për të nuk është mjaftueshëm, se lidhja jonë ishte sa familjare, aq profesionale (redaktova e botova një pjesë të librave të tij në Shqipëri, ndiqja çdo detaj për të cilin kishte nevojë të ishte i pranishëm në vend).

Intervistë e axhës në SHBA, dhjetor 2018

Zemra e tij e madhe, dashuria për Shqipërinë e Kosovën, kontributi i tij në dekada për çështjen kombëtare në mbrojtje të të drejtave të njeriut dhe autoriteti i dinjitetshëm i atij që e di ku është e rrugën që duhet bërë, më bëjnë ta ndërmend e të buzëqesh. Ne ishim me fat që njohëm e morëm nga drita e një shpirti të bukur, që provoi mbi vete dhunën, torturën, brutalitetin e u përgjigj në çdo kohë e mënyrë me maturi, respekt për tjetrin e dashuri për njeriun.

Dosjet e Sigurimit: Kur dokumenti nuk e thotë të vërtetën

Në studimin tuaj të vitit 2024 në revistën italiane RiMe, dalloni autenticitetin e dosjeve të ish-Sigurimit nga besueshmëria e përmbajtjes së tyre. Si mund të zbulohet e vërteta historike përmes dokumenteve të një aparati represiv, kur dëshmitë mund të jenë deformuar nga frika, presioni apo manipulimi?

Një dosje mund të jetë plotësisht autentike dhe njëkohësisht e pabesueshme. Këtu nis gjithçka.

Autentike do të thotë: është vërtet dokument i Sigurimit. Vulat, numrat, firmat, letra e kohës. Por kjo nuk do të thotë që çfarë shkruhet brenda është e vërtetë. Një deklaratë e marrë pas javësh në birucë. Një raport bashkëpunëtori që shkruan atë që oficeri do të lexojë. Një akuzë e ndërtuar që në fillim, ku dëshmitë vijnë pas dhunës.

Si arrihet tek e vërteta? Jo duke i besuar verbërisht dokumentit. Duke e analizuar, lexuar mes rreshtave, zbërthyer shtresat: Kush e shkroi? Për kë? Çfarë i duhej sistemit në atë moment? Pastaj e kryqëzon. Me dosje të tjera të të njëjtit rast. Me arkiva të tjera, për periudhën e pushtimit, ose me ato ndërkombëtare. Me dëshmi të gjalla të familjarëve. Dhe me gjuhën vetë: shpesh gjuha e tradhton dokumentin. Edhe detaje të tjera që, me përvojë, identifikohen pa vështirësi.

E vërteta nga këto dosje rrallë është ajo që thonë. Është ajo që zbulojnë pa dashur: si funksiononte frika, si prodhohej një “armik”, si një jetë kthehej në procesverbal.

Për këtë arsye, mund të them se puna me këto dosje ka qenë e rëndësishme, gati shëruese e një traume familjare në breza, por gjithnjë ka kaluar nëpërmjet dhimbjes, në të gjitha format.

Si ish-drejtoreshë e Kërkimit Shkencor dhe Edukimit Qytetar në Autoritetin e Dosjeve, jeni përballur me dëshmi për dënime, përndjekje dhe familje të ndara. A ka pasur ndonjë dosje apo histori njerëzore që ju ka tronditur aq shumë, sa ta keni pasur të vështirë të ruani distancën profesionale edhe pasi e keni mbyllur dokumentin?

Po. Dhe nuk ishte vetëm një. Edhe dosjet që duket se janë më të qartat në fabrikimin e tyre e atë që presin të thonë, rezervojnë të papritura. E gjithë qenia njerëzore shpaloset në shëmtinë e bukurinë e saj në dosje e në marrëdhëniet me pushtetin politik.

Mund të mbash distancë nga akuza, nga procesverbali, vendimi i gjykatës. Gjuha e tyre është e ftohtë, e të krijon iluzionin se mund të jesh e ftohtë gjithashtu. Por dinamikat që zbulohen pas strukturës së akullt janë të vërteta, agresive, bëjnë zhurmë edhe kur duket se kanë kaluar në heshtje e mendoj se kjo është detyra e leximit dhe zbulimit të tyre në këtë kohë. Dhënia e kontekstit, vizibiliteti i atyre që kujdesen të mos duken e rehabilitimi i viktimave.

Viktimat, dhunuesit dhe drejtësia e munguar

Për viktimat e diktaturës flitet gjerësisht, por më pak për përgjegjësinë e atyre që ushtruan përndjekjen. Si e vlerësoni mënyrën si është trajtuar lustracioni në Shqipëri dhe çfarë do të thotë për familjet e viktimave të jetojnë në një shoqëri ku mund të ndeshen ende me njerëzit që dikur i përndoqën?

Lustracioni në Shqipëri erdhi vonë, i maskuar e gjithnjë u pa si armë politike. Jo pak veta arritën ta kalojnë, pavarësisht faktit, e kjo është dhuna me të cilën u mësua e u detyrua të jetojë viktima e familjet e viktimave, me dhunuesin në pushtet politik, legjislativ, gjyqësor, vendor, ekonomik… Me ligjet e viteve të fundit u bënë hapa para, por koha ricikloi për gati 3 dekada figura që u fshehën pas lustracionit dhe arritën ta shmangnin kur deshën.

Për disa vite kam punuar brenda këtyre dinamikave. Të dish është një formë drejtësie. Por nuk është e gjithë drejtësia. Një sistem që i jep viktimës të drejtën të lexojë (edhe kjo me kufizimet e veta), por nuk i kërkon asgjë atij që e vuri përditë në punë makinerinë e shtypjes, a është i balancuar? Sa është materializuar hapja si rezultat i qenësishëm dhe sa kjo hapje e ka ndihmuar viktimën dhe e ka pastruar nga balta?

Edhe pas 30 vjetësh, viktima vijon të jetë e tillë. Shumë syresh ende kërkojnë vetëm të dëgjohen. Ndërkohë që ata që e shkaktuan këtë mbeten pas një fashe mbrojtëse ligjore, politike, interesash, kohe, historie, të paprekur, të palëvizur e sigurisht të pandëshkuar.

Ka ende njerëz që flasin për falje, ndërkohë që dhunuesi nuk e ka artikuluar kurrë atë. Si mund t’u kërkohet viktimave të falin, kur dhunuesit nuk pranojnë veprimet e veta, e as e çojnë ndërmend të kërkojnë ndjesë?

Në botimin "Të zhdukur nga diktatura – Dëshmojnë familjarët" (2022), përgatitur me dr. Mirela Sinanin, u jepet zë familjeve që ende kërkojnë përgjigje. Çfarë ju kanë mësuar këto dëshmi për dhimbjen që nuk përfundon me kalimin e viteve dhe cila histori ju ka mbetur veçanërisht në kujtesë?

Të zhdukurit kanë një dhimbje të veçantë. Nuk ka varr. Nuk ka trup a eshtra. Në shumë raste nuk ka datë. Nuk ka vend ku të shkosh me lule, a të ndalesh kur gjithçka rreth teje lëviz me shpejtësi.

Me dr. Mirela Sinanin e një ekip të tërë është punuar me mbledhjen, regjistrimin e zbardhjen e shumë dëshmive, në të gjithë vendin. Dhe me fotot që u kanë dhënë fytyrë këtyre zërave e kësaj këmbënguljeje. Njerëz që për dekada kanë jetuar me pyetjen: ku është? Disa kanë ndjekur çdo zë për një varr pa emër. Të tjerë kanë vdekur duke pritur, dhe pyetjen ua kanë lënë fëmijëve. Kuptova se koha nuk e shëron këtë plagë, njeriu mësohet ta mbajë dhimbjen që nuk plaket me të. Thjesht ndërron formë. Bëhet ritual, heshtje, zakon, një foto mbi tavolinë, amanet.

Simbolet e diktaturës sot shfaqen edhe si atraksione turistike, ndërsa filmat e realizmit socialist vazhdojnë të transmetohen, jo gjithmonë të shoqëruar me kontekst kritik. A ekziston rreziku që kjo mënyrë e paraqitjes së së kaluarës ta zbehë kujtesën historike dhe ta banalizojë vuajtjen e mijëra familjeve të përndjekura?

Rreziku ekziston, te propaganda, politika, interesat. Është mes nesh dhe bën pjesën e vet. Por zgjidhja nuk është te fshehja e së kaluarës.

Këtë vjeshtë, me kolegët e AMIR në Firence, po zhvillojmë një vizitë transkulturore në ekspozitën “Broken” në Palazzo Strozzi. E kam lidhur me damnatio memoriae : fshirjen e kujtesës. Rasti shqiptar është domethënës. Statujat e ngritura në të gjithë vendin e më pas të rrëzuara. Ndalimi i fesë më 1967. Objekte të shkatërruara. Mësimi është i thjeshtë: fshirja, anulimi ishte metoda e regjimit. Nuk mund të jetë edhe metoda jonë.

Ndërmjetësim kulturor në Firence

Problemi nuk është bunkeri. Problemi është bunkeri pa pyetje, pa kontekst. Turisti që bën foto para tij dhe nuk mëson kurrë sa njerëz ishin në burg ndërkohë që ai ndërtohej, sa “vullnetarë” punonin për të e simulimet e pafundme kundër “armikut imperialist”. Filmi i Kinostudios që shfaqet të shtunën pasdite, me heronj partizanë e armiq klase ballistë, shpesh të ridikulizuar, pa asnjë fjali para apo pas, pa titra shpjeguese të batutës së qëllimshme “armike”, e që nuk tregon se pas asaj narrative të stisur ka fate njerëzore të vërteta, burgime, internime, dënime të përditshme e fikje të jetëve në heshtje, vijon të bëjë dëm…

I kemi studiuar filmat, artistikisht të realizuar me njerëz të talentuar, që në skenarë të qëllimshëm të pushtetit i kanë dhënë formë asaj që u bë kultura jonë. Propagandë, dezinformim, krijim intencional strukturash përçarëse. Shikuesi i ri ka të drejtë ta dijë edhe këtë.

Personalisht, kur punuam për përmbajtjen për memorialet e Tepelenës dhe të Maliqit, ideja ishte që vendi të fliste me zërin e atyre që vuajtën aty. Jo me zërin e atyre që e ndërtuan. Edhe mbi këto vende ndëshkimi ka filma që ende orientojnë perceptimin e atyre që janë rritur me ta.

Shqiptarët e harruar në arkivat evropiane

Në studimet mbi internimet gjatë pushtimit italian, përfshirë Ventotenen, keni trajtuar edhe figura nga Kosova, si Gani Kryeziu. Çfarë zbulojnë këto dokumente për fatet e intelektualëve dhe veprimtarëve shqiptarë përtej kufijve të sotëm shtetërorë? Cilat histori ende nuk e kanë marrë vendin e merituar në historiografinë shqiptare?

Në Ventotene shqiptarët nuk vinin nga Shqipëria e hartës së sotme, ishin nga Tirana, Korça, Shkodra, Dibra e Madhe, Kosova, Mali i Zi… Për fashizmin ishin një kategori e vetme: kundërshtarë politikë. Dokumentet italiane e shohin hapësirën shqiptare si një të tërë, edhe pas vendimeve për krijimin e Shqipërisë së Madhe, me përdorimin e dy gjuhëve në dokumente zyrtare, shqip e italisht.

Dokumenti ku Pertini kërkon lirimin e Fundos e Kryezinjve nga Ventotene

Në listë ka profesorë të shkolluar në Francë, Austri, Gjermani, Itali, Zvicër. Siç ka fshatarë e malësorë që zbresin në port me kostume kombëtare, të klasifikuar edhe ata si “shumë të rrezikshëm”. Kriteri nuk ishte ideologjia. Ishte refuzimi i pushtuesit.

Gani dhe Said Kryeziu kaluan aty rreth dy vjet në Ventotene. Hasen në kujtimet e Spinellit e Pertinit, presidentit të mëpasshëm italian. Pas lirimit nga ishulli, vendimi për t’u rikthyer në Kosovë për të luftuar pushtuesin, lufta e aleancat, misioni britanik. Me ta ishte edhe Llazar Fundo, që u largua prej partizanëve komunistë nga rrethi i tyre, për t’u vrarë në shtator 1944. Dy herë i dënuar: një herë në ishull, një herë nga ata që e quanin tradhtar. Ashtu si Kryezinjtë dinjitozë…

Çfarë mungon në historiografinë tonë? Pikërisht ata që nuk futen vetëm në një kategori. Antifashistë që nuk ishin komunistë. Komunistë që “tradhtuan”. Kosovarë të dënuar në Itali dhe pastaj të harruar në të dyja anët e kufirit. Dhe fshatarët me kostume: ende pa profile në tekste, por me emër në regjistrat e ishullit. Historiografisë i mungojnë kundërshtarët e nuanca e tyre.

Shqipëria dhe Kosova kanë përjetuar forma të ndryshme represioni, ndërsa shumë dëshmi ruhen në arkiva të huaja. Si mund të bashkëpunojnë studiuesit dhe institucionet e të dy vendeve për të zbuluar histori të panjohura dhe për të ruajtur kujtesën e viktimave? Ku i shihni boshllëqet më të mëdha në njohjen e së kaluarës sonë të përbashkët?

Një pjesë e madhe e historisë sonë nuk ndodhet në Tiranë apo në Prishtinë. Ndodhet në Romë, në Beograd, në Stamboll, në Vjenë, në Londër, në Uashington. Asnjë institucion i vetëm nuk mund ta mbulojë.

Do të ndihmonin veprimet konkrete, jo thjesht deklaratat. Baza të përbashkëta të dhënash për viktimat, me të njëjtat kritere. Digjitalizim me fonde të përbashkëta. Studiues të rinj nga të dy vendet që punojnë në të njëjtin arkiv të huaj dhe bashkëndajnë gjetjet.

Boshllëqet më të mëdha janë aty ku historitë takohen dhe politika apo interesat i kanë mbajtur qëllimisht në kapërcyell. Kosovarët që erdhën në Shqipëri pas lufte dhe shpesh u trajtuan me dyshim. Shqiptarët e Kosovës në dosjet e Sigurimit. Dosjet e shërbimit jugosllav për shqiptarët. Vitet e pushtimit me dokumente dygjuhëshe që mund të zbulojnë shumëçka. Shpesh vullneti ka ekzistuar te njerëzit e ekspertët. Ka munguar struktura e mirëmenduar.

Tirana dhe Prishtina: Lidhjet që mbijetojnë përtej projekteve

Keni mbështetur projekte kulturore e arsimore mes të rinjve të Tiranës dhe Prishtinës. Si e vlerësoni sot këtë bashkëpunim? A kemi ndërtuar një hapësirë të qëndrueshme kulturore e arsimore mes dy vendeve, apo bashkëpunimi vazhdon të mbështetet më shumë në iniciativa individuale sesa në politika institucionale?

Që në fillim të viteve 2000 ka pasur lëvizje të vazhdueshme nga Tirana në Prishtinë e anasjellas e nisma kulturore me të rinjtë. Ina Kasimati, shoqe e mike, i dha jetë shfaqjes teatrale “Kush e solli Doruntinën” me të rinj nga Tirana, Kosova e Bullgaria. Ka qenë në këtë rast që jam njohur me bashkëpunëtorët tanë më të mirë, me të cilët kemi punuar për vite me radhë në të dyja anët e kufirit, duke e zhbërë atë.

I jam mirënjohëse me zemër Fatmir Krasniqit, profesorit të urtë e të palodhur të shkollës “Elena Gjika” në Prishtinë, gjithnjë i gatshëm, me grupe pune, me të rinj të motivuar, me mësues të tjerë pas vetes, në udhëtime pa fund në Shqipëri e në Kosovë. Të gjithë drejtuesve e mësuesve e nxënësve e madje edhe prindërve të shkollës “Elena Gjika”. I sjell ndërmend aktivitetet dypalëshe në art, teatër, letërsi, muzikë, kërcim, pikturë, grupe debati a shkëmbime të çdo lloji dhe ende sot nuk gjej dot aq shumë vërtetësi, sinqeritet, dëshirë për të ndërtuar e për të mbetur e për të mbjellë sa në këto iniciativa. Shumë përmbajtje, shumë punë për ta ngritur e gjithnjë rezultate, te fëmijët, te të rinjtë, tek ata që sot kanë krijuar lidhje të pandashme, edhe pse gjenden në të gjitha anët e botës. Në vitin 2018, një grup u vlerësuam institucionalisht me mirënjohje nga Bashkia Prishtinë, për kontributin shumëvjeçar në krijimin e bashkëpunimeve, besoj një nga momentet më të dritshme e të thjeshta të jetës sime. Të paktën tre veta nga ai grup idealistësh optimistë nuk jetojnë më sot. Ndikimi i veprës së tyre është ende i gjallë e konkret. Te lidhjet që krijuam kur u dhamë hapësirë të rinjve. E problemi është se hapësirën shpesh nuk e jep sistemi. E japin njerëzit.

Vlerësimi në Prishtinë, nëntor 2018

A kemi ndërtuar një hapësirë të përbashkët? Pjesërisht. Ka shumë më tepër lëvizje se njëzet vjet më parë: studentë, artistë, gazetarë. Por shumica e projekteve vdesin kur mbaron financimi ose kur largohet personi që i nisi. Institucionet nënshkruajnë marrëveshje. Pak prej tyre i mbajnë gjallë.

Do të doja programe të qëndrueshme: shkëmbime mes shkollave, materiale të përbashkëta për historinë, arkiva të hapura. Jo një aktivitet në vit. Një strukturë të qëndrueshme e bashkëpunuese.

Brezat e rinj nuk e kanë përjetuar diktaturën në Shqipëri apo luftën në Kosovë dhe përballen me rrëfime kundërshtuese në internet. Si mund t'i ndihmojë edukimi historik të dallojnë faktet nga manipulimi, pa e kthyer të kaluarën në një mësim të ngurtë politik, por në burim të mendimit kritik dhe përgjegjësisë qytetare?

Do të arrinim edhe në këtë kohë, që diktatura dhe lufta të plazmohen në distancë vitesh në duart e atyre që mund të nxjerrin produkt e sigurisht, përfitim. Në botën e sotme të informacionit pa kufi, që nënkupton edhe atë të pakontrolluar e të pavërtetë, të rinjve u vihet përballë ajo histori që orienton drejtimin politik të aktualitetit. Nëpërmjet të shkuarës kontrollohet e sotmja.

Besoj se ajo që funksionon është dokumenti në dorë. Vizita në vendet ku ngjarjet kanë ndodhur. Jo një përmbledhje, jo një slogan. Një fletë e vërtetë: një procesverbal, një letër nga burgu, terreni, një raport informatori. Një objekt, një rrugë, një shtëpi, një institucion represioni… Dhe pika të ndryshme vështrimi, sa më shumë zëra që rrëfejnë një histori… Pastaj pyetjet që krijojnë kontekstin dhe i japin kuptim dokumentit, objektit. Kush e shkroi? Për kë? Çfarë fsheh? Çfarë do të kishe bërë ti?

Të njëjtat pyetje që i duhen sot për një video në rrjet. Kush e bëri? Pse? Çfarë mungon? Kush fiton nëse unë e besoj? Të edukosh mendimin kritik është të dish cilat pyetje të bësh. Dhe kjo është diçka që mësohet.

Në aktivitetet participative që kemi bërë në Firence, në qelitë e ish-burgut të Murateve, pjesëmarrësit zgjedhin një fletë nga qelitë dhe e lexojnë me zë të lartë. Diçka ndryshon kur e lexon vetë, me zërin tënd, emrin e një njeriu të dënuar, apo mendimin e tij, apo reflektimin mbi një veprim që mundej, por nuk e bëri kurrë. Nuk është më histori. Është përgjegjësi.

Burgu i Murateve në Firence – aktivitet transkulturor mbi totalitarizmat dhe lirinë e mendimit, qershor 2026

Përvoja juaj në gazetari, mësimdhënie dhe institucione kulturore, së bashku me studimet në letërsi e gjuhësi, ju ka dhënë një këndvështrim të veçantë mbi fuqinë e fjalës. Çfarë zbulon gjuha e dokumenteve të ish-Sigurimit për mekanizmat e kontrollit ideologjik, frikën dhe shtypjen e mendimit të lirë?

Gjuha e dosjeve është e orientuar e të bie menjëherë në sy.

Duket sikur gjithçka ndodh vetvetiu. “U zbulua veprimtaria armiqësore.” “U asgjësua grupi.” “Vdiq në dhomat e izolimit.” Kush zbuloi? Kush survejoi? Kush asgjësoi? Kush e mbylli në atë dhomë? Pasivi është arma më e qetë dhe e stisur e aparatit. Fsheh duart. Edhe pse të gjithë emrat/ingranazhet e makinerisë shtypëse janë, paguhen, vlerësohen, ngrihen në detyrë. Por në dosje gati janë opakë.

Pastaj etiketimet: “Armik i popullit.” “Element i deklasuar.” “Biografi e keqe.” “Kontingjent.” Njeriu nuk ka më emër, ka kategori e cila trashëgohet: te fëmija, te nipi, me breza.

Në historikun e Sigurimit të Tepelenës, Ahmet Jegeni përmendet si “lidhje e komplotistëve në fushën e ekonomisë”, që “vdiq në dhomat e izolimit”. Kaq. Një rresht. Pas atij rreshti është një njeri që kishte studiuar në Modena, që refuzoi betimin fashist, që ishte internuar në Ventotene, që kishte luftuar. Dhe që vdiq në tortura në hetuesi. Gjuha e Sigurimit nuk e shkruante vetëm historinë. E plazmonte kundër armikut të klasës. Puna e studiuesve është ta zhveshin nga kodet, simbolikat e hijet e qëllimshme e ta deshifrojnë. Në emër të një të ardhmeje që hapet edhe për viktimën.

Vizitë në muzetë fiorentine, me këndvështrime dhe paralele me Shqipërinë

Në Itali keni studiuar dokumente që lidhin historinë shqiptare me atë evropiane. Si e trajtojnë studiuesit italianë përndjekjen politike në Shqipëri dhe çfarë sjell krahasimi i arkivave italiane me ato shqiptare? A keni hasur ndonjë dokument që ju ka shtyrë të rishikoni një ngjarje apo interpretim të mëparshëm historik?

Në Itali, studiuesit e njohin pushtimin e 1939–943 dhe më pak historinë e ushtarëve italianë që u strehuan nga familjet shqiptare pas shtatorit 1943. Mbetet shumë për t’u bërë për t‘i zbardhur këto histori përtej barrierave që historiografia ka ngritur që në krye të herës. Personalisht po punoj me një grupim serioz që do t’i studiojë në shumë plane këto marrëdhënie mes vendeve, në një qasje dekoloniale. Ndërkohë, përndjekja komuniste në Shqipëri njihet më pak, shpesh vetëm nga specialistët, por ka përpjekje edhe në këtë drejtim.

Është interesante kur e njëjta jetë del në dy arkiva. Në dosjen e policisë fashiste, njeriu është “antifashist i rrezikshëm”. Në dosjen e Sigurimit, pak vite më vonë, i njëjti njeri është “armik”. Dy regjime, dy gjuhë, një njeri. Kur i vë krah për krah, kupton se dokumentet flisnin më pak për njeriun dhe më shumë për regjimin që i shkruante.

Në Ventotene, shqiptarët nuk ishin kryesisht komunistë. Ishin nacionalistë, socialdemokratë, liberalë, profesorë, nxënës, malësorë. Kjo prek dy narrativa njëherësh: atë që e kujton Ventotenen vetëm si ishullin e së majtës italiane, dhe atë të regjimit tonë, që antifashizmin e shpallte pronë të Partisë.

Në vitin 2023 këto gjetje hynë në Memorialin e Konfinimit Politik në Ventotene, si kontribut i kërkimeve të mia. Ishte si t’u ktheje emrin, por mbetet një hap i parë.

Mërgimi, gjuha dhe arti si urë e kujtesës

Në maj 2026 morët pjesë në projektin teatror Tracce në Firence, kushtuar migrimit, kujtesës dhe përkatësisë së grave. Çfarë përfaqësoi kjo përvojë për ju dhe si ndikon largimi nga vendlindja në marrëdhënien me gjuhën, kujtimet dhe identitetin kulturor? A mund të bëhet arti një urë mes përvojës personale dhe kujtesës kolektive?

Është e vërtetë, kjo përvojë në skenë duke i dhënë përparësi trupit e më pas fjalës, në italisht, por edhe në shqip, ka qenë interesante. Kam dalë nga zona e komfortit, por më ka bërë mirë. E gjithë eksperienca ishte diçka e re. Largimi e ndryshon marrëdhënien me gjuhën. Në italisht jam më e saktë, më e kujdesshme, por edhe më e brishtë. Në shqip jam më e lirë dhe me kontroll të fjalës, batutës, ngjyrimeve. E ka fjalë që nuk i them dot në italisht pa i humbur.

Në një nga përvojat e mia mbajta shënim: jam brenda, por gjithmonë jashtë. Si reflektim i dikujt që ka ikur e që nuk e humb vendin e vet, fiton një të dytë. Gjithsesi i pranishëm, pa qenë më plotësisht në asnjërin.

A mund të bëhet arti urë? Sigurisht. Në aktivitetin tonë në Murate, një mike performere italiane punonte me grep emrat e shqiptarëve të internuar në Ventotene, në heshtje, ndërsa njerëzit lexonin dokumentet në italisht dhe shqip, të regjimit fashist dhe atij komunist. Askush nuk shpjegonte asgjë. Të gjithë e kuptonin.

Arti bën shumëçka që nuk e bëjnë dokumentet e propaganda. E shndërron natyrshëm “unë”-n në “ne”, pa e anuluar atë.

Mes Shkodrës, Tiranës dhe Italisë, jeta juaj ka njohur mjedise e përvoja të ndryshme. Çfarë ju mungon më shumë kur jeni larg vendlindjes? Cilat janë ato gjëra të vogla, kujtime, aroma apo rituale të përditshme që ju sjellin buzëqeshjen dhe ju bëjnë të ndiheni në shtëpi, kudo që ndodheni?

E vërteta është që Firence ka shumë gjëra që më kujtojnë Shkodrën, sa i takon mendësisë, mënyrës se si njerëzit shohin veten e të tjerët. Nga ana tjetër më mungon gjuha e qytetit, shkodranishtja e tregut, e kojshisë, e shtëpisë. Një xhiro me biçikletë nga liqeni a në Piacë, akullorja te Beqoja, një kafe te Çinari… Apo një kafe vetëm poshtë shtëpisë në Tiranë…

Mungesa vjen kur nuk e pret. Në një dyqan në Firence, nga një aromë. Dhe për një çast je atje.

Firence më ka dhënë shumë. Edhe mundësinë profesionale për t’i paraqitur secilin prej detajeve më lart në projekte transkulturale, në një kontekst evropian të lidhur me një Shqipëri tërheqëse, të fortë, të qëndrueshme e që në shumë raste ka çfarë t’u thotë vendeve të mëdha.

Diplomimi në programin master për Ndërmjetësim Transkulturor të Trashëgimisë dhe Bashkëkohores, Firence, 2026

E vërteta, drejtësia dhe falja

Pas gjithë këtij rrugëtimi mes arkivave, dëshmive dhe fateve njerëzore, si ka ndryshuar kuptimi juaj për të vërtetën, drejtësinë dhe faljen? Çfarë porosie do t'u jepnit studiuesve dhe gazetarëve të rinj në Shqipëri e Kosovë që kërkojnë të zbulojnë historitë që koha, frika apo pushteti i kanë mbajtur në heshtje?

Kur nisa punën kërkimore mendoja në mënyrë naive se e vërteta ishte në dokumente. Duhej vetëm ta gjeje. Sot e di që e vërteta është punë. Ndërtohet ngadalë, nga copëza që nuk përputhen, nga dëshmi që kundërshtojnë njëra-tjetrën. Dhe nuk mbaron kurrë plotësisht.

Drejtësia? Një proces i gjatë e fatkeqësisht, pa rezultate konkrete për shumë nga ne në Shqipëri. Ngandonjëherë drejtësi është edhe t’i kthesh emrin dikujt. Ta nxjerrësh nga “kontingjenti” dhe ta bësh sërish person. Herë të tjera drejtësia ka të bëjë me ridimensionim, lëkundje ekuilibrash e masa të forta. Shumë pak drejtësi kam parë deri më sot në vendet tona. Me raste e simulojmë. Në raste të tjera nuk e marrim mundimin as për këtë…

Falja është më e vështira. Nuk mund ta japë askush në emër të tjetrit. As shteti, as studiuesi, as unë në emër të gjithë familjes sime. Falja i takon viktimës. Dhe për të falur, duhet të dish çfarë e kë po fal, pasi të të ketë kërkuar ndjesë. Pa të vërtetën e drejtësinë, falja është harresë e keqpërdorur.

Nuk e di sa jam në gjendje t’i këshilloj të rinjtë. Fatmirësisht, ata veprojnë me ligjësi të tjera, në një kohë ku presioni është gjithnjë në rritje, por kanë shumë informacion e mekanizma për t’i përdorur në të gjitha drejtimet. Nëse duan të vërtetën e kuptimin, nuk duhet të ndalen në hapat e parë. As të marrin të mirëqenë dokumentin, pohimet. Se jo gjithmonë, e zeza mbi të bardhë është fakt. Shpesh është helm, armë. Duhet durim e dashuri edhe për të dëgjuar njerëzit, sidomos ata që flasin pak. E dhimbja e tjetrit është mirë të mos kthehet në titull.

Dhe po, të revoltohen! Të revoltohen e të reagojnë ndaj padrejtësive, stanjacionit, gënjeshtrës sistemike, dezinformimit, propagandës e pushtetit pa kufi, për ekuilibra të rinj e për më shumë dritë. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *