Eliminim turpërues dhe tensione te Arsenali, Arteta kritikohet për sjelljen ndaj 16-vjeçarit
Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, është përballur me kritika të shumta për mënyrën se si reagoi ndaj përjashtimit me karton të kuq të talentit 16-vjeçar Max Dowman, gjatë eliminimit të skuadrës londineze nga Kupa e Ligës angleze.
Arsenali pësoi një eliminim befasues të martën mbrëma nga Fleetwood Town, skuadër e kategorisë së katërt angleze, pasi koha e rregullt përfundoi 1-1, ndërsa vendasit triumfuan 4-3 pas ekzekutimit të penalltive.
Një nga momentet më të diskutueshme të takimit ndodhi në minutën e 85-të, kur Dowman u ndëshkua me karton të kuq direkt pas një përplasjeje me mesfushorin kundërshtar Harrison Neal.
Ky i fundit ndërhyri ashpër nga prapa ndaj talentit të Arsenalit pranë vijës anësore, ndërsa 16-vjeçari reagoi duke e goditur me këmbë.
Situata shkaktoi tensione mes futbollistëve, me gjyqtarin Michael Salisbury që vendosi ta përjashtonte Dowmanin për sjellje të dhunshme.
Ishte kartoni i parë i kuq në karrierën profesionale të talentit anglez, i cili po zhvillonte ndeshjen e tij të dytë si titullar këtë sezon. Në rundin e mëparshëm të Kupës së Ligës, ai kishte shkëlqyer duke realizuar dy gola ndaj Ipswich Townit.
Megjithatë, ajo që tërhoqi më shumë vëmendje ishte reagimi i Artetës ndaj futbollistit të ri.
Teksa Dowman po largohej nga fusha, trajneri spanjoll iu afrua dhe i tha disa fjalë, përpara se ta ndiqte drejt tunelit që çonte në dhomat e zhveshjes.
I pyetur në konferencën për shtyp se çfarë i kishte thënë lojtarit, Arteta refuzoi të zbulonte detajet.
Sipas Sky Sports , trajneri deklaroi vetëm se bëhej fjalë për diçka që e kishin diskutuar përpara ndeshjes.
Ai shtoi se incidenti nuk shihej qartë në pamjet televizive dhe se do ta analizonte situatën përpara se të jepte një vlerësim përfundimtar.
Kur u pyet nëse Dowman mund të nxirrte mësime nga ky incident, duke marrë parasysh moshën e tij, Arteta u përgjigj se të gjithë mësojnë nga çdo situatë.
Can anyone make out what Arteta said to Dowman after being sent off? https://t.co/iYeNhsDMlS — Connor Humm (@TikiTakaConnor) October 27, 2026
Reagimi i trajnerit nuk u prit mirë nga ish-futbollisti i Arsenalit, Paul Merson, i cili kritikoi ashpër mënyrën se si spanjolli e trajtoi 16-vjeçarin.
Sipas Mersonit, Arteta duhej ta mbështeste talentin e ri në atë moment, në vend që ta priste me një reagim të tillë gjatë largimit nga fusha.
Ish-mesfushori anglez theksoi gjithashtu se trajneri nuk do të kishte reaguar në të njëjtën mënyrë nëse një veprim të tillë do ta kishte bërë një futbollist me përvojë si Viktor Gyokeres.
Kritikave iu bashkua edhe ish-futbollisti Jobi McAnuff, i cili vlerësoi se Dowman mund të jetë një nga lojtarët më të rëndësishëm të së ardhmes së Arsenalit dhe se situata duhej të menaxhohej ndryshe.
Për shkak të kartonit të kuq, Dowman pritet të mungojë në tri ndeshjet e ardhshme të Arsenalit në Ligën Premier, përfshirë edhe përballjen e së dielës në udhëtim ndaj Liverpoolit.
Ky incident ka hapur diskutime në Angli rreth mënyrës se si trajnerët duhet t'i menaxhojnë futbollistët e rinj, veçanërisht në momente të vështira gjatë zhvillimit të tyre profesional. /Telegrafi/
