TË FUNDIT

Kroos mahnitet nga Mourinho pas El Clasicos, zbulon si e shkatërroi lojën e Barcelonës

Legjenda e Real Madridit, Toni Kroos, ka vlerësuar lart punën taktike të Jose Mourinhos pas fitores 2-1 ndaj Barcelonës në El Clasico, duke theksuar se strategjia e trajnerit portugez ishte vendimtare për triumfin e madrilenëve.

Ish-mesfushori gjerman analizoi paraqitjen e Real Madridit në Camp Nou, duke lavdëruar guximin e skuadrës, organizimin defensiv dhe mënyrën se si lojtarët arritën të shfrytëzonin dobësitë e rivalëve katalunas.

Kroos kujtoi se Barcelona kishte dominuar përballjet e fundit mes dy skuadrave, por theksoi se këtë herë situata ishte krejtësisht ndryshe.

“Gjatë dy viteve të fundit, El Clasico ka shkuar në favor të Barcelonës. Fatkeqësisht, kështu kishte ndodhur në gjashtë apo shtatë përballjet e fundit dhe këtë e prisnim edhe para ndeshjes, duke marrë parasysh se Madridi kishte pranuar mesatarisht katër gola në ato takime”, deklaroi Kroos.

“Por gjërat kanë ndryshuar dhe duhet ta lavdëroj punën e Mourinhos. Ata luajtën shkëlqyeshëm dhe ai përgatiti një plan fantastik. Të luash me top kundër kësaj Barcelone është një arritje e madhe, sepse katalunasit kanë vështirësi kur nuk e kontrollojnë posedimin”, shtoi gjermani.

Kroos u ndal edhe te organizimi taktik i madrilenëve, duke veçuar mënyrën se si skuadra neutralizoi disa prej lojtarëve kryesorë të Barcelonës.

“Lojtarët e Real Madridit ishin të pozicionuar shumë mirë. U befasova kur pashë Huijsenin duke mbuluar Ferminin. Futbollistë si Pedri dhe Raphinha dukeshin të parehatshëm, ndërsa Madridi i detyroi të bënin gabime që zakonisht nuk i bëjnë”.

“Real Madridi fitoi pothuajse të gjitha duelet sepse ishte më intensiv. Skuadra mbrohej si një grup i bashkuar dhe zhvilloi një paraqitje të shkëlqyer, si në aspektin defensiv, ashtu edhe në lojën me top”, vazhdoi ai.

Megjithatë, ish-mesfushori nuk hezitoi ta vlerësonte Barcelonën si skuadrën që aktualisht luan futbollin më dominues, por identifikoi edhe dobësinë kryesore të katalunasve.

“Barcelona është skuadra më e mirë sa i përket lojës së futbollit, sepse arrin t'i dominojë ndeshjet më shumë sesa Madridi. Megjithatë, ata kanë vështirësi kur presingu i tyre nuk funksionon dhe detyrohen të mbrohen”.

“Real Madridi i gjeti zgjidhjet për t'i mposhtur. Barcelona u përball me një presing të vërtetë, diçka që zakonisht nuk e përjeton nga skuadrat e tjera”, përfundoi Kroos.

Fitorja 2-1 në El Clasico ishte një sukses i rëndësishëm për Real Madridin, ndërsa analiza e Kroosit nxjerr në pah ndikimin e Mourinhos në përgatitjen taktike dhe organizimin e skuadrës përballë rivalit të përjetshëm. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *