Netanjahu humbi zgjedhjet në Izrael, ja kush po prinë?
Sondazhet e para pas daljes nga qendrat e votimit (exit poll) në Izrael tregojnë se nuk ka një fitues të qartë të zgjedhjeve, siç raporton CNN.
Blloku i kryeministrit Benjamin Netanjahu ka humbur shumicën e deritanishme parlamentare, ndërsa blloku opozitar që udhëhiqet nga ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Gadi Ejzenkot, ka një avantazh të lehtë, por as ai për momentin nuk ka një rrugë të qartë drejt formimit të qeverisë.
Zgjedhjet u mbajtën me pjesëmarrjen më të lartë që nga viti 1999, dhe sipas sondazheve të Kanalit 12 izraelit, blloku i Ejzenkotit mund të fitojë 52 mandate, ndërsa blloku i Netanjahut do të binte në 50.
Për të siguruar shumicën në Kneset (Knesset), i cili ka 120 deputetë, nevojiten të paktën 61 vende.
Rezultatet përbëjnë një goditje të rëndë për Benjamin Netanjahun, blloku i të cilit me aleatët ultraortodoksë dhe të djathtës extreme në përbërjen e mëparshme kishte 68 mandate.
Ejzenkot: Mosbesim i plotë ndaj qeverisë së Netanjahut
Pasi u publikuan sondazhet e para, Ejzenkot tha se rezultatet tregojnë “mosbesim të plotë ndaj Netanjahut” dhe qeverisë së tij. “Nëse sondazhet dalin të sakta, do të veproj menjëherë për të përmbushur vullnetin e popullit dhe për të zëvendësuar sa më shpejt të jetë e mundur qeverinë e Netanjahut”, tha Ejzenkot.
Blloku i tij aktualisht ka avantazh ndaj atij të Netanjahut, por matematika paszgjedhore mbetet shumë e komplikuar. Partitë opozitare së bashku, sipas projeksioneve, do të kishin rreth 70 mandate, por CNN vë në dukje se ky bllok është thellësisht i ndarë.
Partitë cioniste izraelite të opozitës kanë rreth 52 mandate, ndërsa partitë arabe mund të fitojnë një shifër rekord prej 18 mandatesh. Disa udhëheqës partish nga blloku i Ejzenkotit e kanë përjashtuar tashmë mundësinë e formimit të një qeverie që do të varej nga mbështetja e partive arabe, gjë që e vështirëson ndjeshëm përpjekjen për të shkarkuar Netanjahun.
Rezultat rekord i partive arabe
Një nga ngjarjet kryesore të natës së zgjedhjeve është rritja e fuqishme e mbështetjes për partitë arabe. Sipas tri sondazheve kryesore, “Lista e Përbashkët” dhe partia “Raam” së bashku mund të fitojnë ndërmjet 17 dhe 18 vendeve deputetësh, gjë që do të përbënte rezultatin e tyre më të mirë deri më sot. Rekordi i mëparshëm kishte qenë 15 mandate, ndërsa në përbërjen e deritanishme të Knesetit partitë arabe kishin gjithsej dhjetë. Në selinë e “Listës së Përbashkët” në Nazaret, mbështetësit nisën të këndonin e të kercenin pas publikimit të rezultateve. “Me siguri mund të thuhet: e dërguam qeverinë fashiste të së djathtës në koshin e plehrave të historisë”, tha “Lista e Përbashkët” në një deklaratë. Rritja e pjesëmarrjes midis qytetarëve palestinezë të Izraelit, të cilët përbëjnë rreth 20 për qind të popullsisë së vendit, është veçanërisht domethënëse. Në zgjedhjet e vitit 2022, pjesëmarrja midis votuesve arabë ishte 53 për qind, ndërsa vlerësimet e para tani tregojnë se ajo ka kaluar 78 për qind. CNN thekson se kjo rritje e pjesëmarrjes shihet si një votë proteste kundër qeverisë së Netanjahut dhe aleatëve të tij të së djathtës extreme, ministrit të Sigurisë Kombëtare Itamar Ben Gvir dhe ministrit të Financave Bezalel Smotriç. Bllokim i mundshëm, qeveri pakice ose qeveri e unitetit kombëtar Meqenëse as Netanjahu dhe as Ejzenkot aktualisht nuk kanë një rrugë të qartë drejt 61 mandateve, disa skenarë mbeten të hapur. Janë të mundshëm bllokimi politik, formimi i një qeverie pakice, një qeveri e unitetit kombëtar, si dhe shpallja e zgjedhjeve të reja. Pjesëmarrja e lartë ia vështirëson më tej pozitën partive të vogla, sepse për kalimin e pragut zgjedhor prej 3.25 për qind tani nevojitet marrja e një numri më të madh votash. Sondazhet e daljes përfaqësojnë vetëm projeksione dhe raporti i forcave mund të ndryshojë gjatë numërimit të votave. Rezultatet përfundimtare priten në 48 orët e ardhshme, por negociatat për formimin e koalicionit mund të zgjasin me ditë apo edhe me javë. Rënia e mbështetjes për Netanjahun dhe reagimi i Uashingtonit CNN kujton gjithashtu se presidenti amerikan Donald Tramp e ka mbështetur së fundmi Benjamin Netanjahun. Duke pasur parasysh se blloku i Netanjahut, sipas sondazheve, mund të bjeri nga 68 në rreth 50 mandate, Kevin Liptak nga CNN vlerëson se ky rezultat me gjasë nuk do të pritet mirë në Shtëpinë e Bardhë. Sidoqoftë, pasqyra e plotë e parlamentit do të dihet vetëm pasi të jenë numëruar të gjitha votat, e më pas do të pasojnë negociatat për formimin e qeverisë së re izraelite.(INA)
