Kodi Civil i Kosovës: Rrënjët e Ndryshimit në Marrëdhëniet Pronësore dhe Trashëgimia
Në edicionin e emisionit “Kallxo Përnime”, u diskutuan hollësitë e Kodit Civil të Kosovës me njërin nga hartuesit e tij, profesorin Haxhi Gashi. Ky dokument, i cili konsiderohet si një nga aktet ligjore më të rëndësishme pas Kushtetutës, sjell ndryshime thelbësore në rregullimin e pronës dhe trashëgimisë.
Sipas prof. Gashi, Kodi Civil rregullon të drejtat civile të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe garanton mbrojtjen e tyre, përfshirë procedurat gjyqësore.
“Dokumentet e rregullojnë jetën e përditshme të qytetarëve. Prej mëngjesit deri në mbrëmje, çdo punë e përditshme e secilit qytetar të Republikës së Kosovës duhet të kalojë përmes rregullave që i parasheh Kodi Civil”, tha Gashi.
Libri i parë i Kodit Civil përmban 82 nene dhe është hartuar tërësisht nga e para, duke përdorur si referencë kryesore Kodin Civil Gjerman, ndërsa janë përfshirë edhe rregulla nga legjislacionet e tjera për çështjet e parregullura në të drejtën e Kosovës.
Pjesa e përgjithshme e kodit përcakton parime themelore si: mirëbesimi dhe keqbesimi; ndalimi i shkaktimit të dëmit; respektimi i së drejtës nga palët.
Gashi theksoi se Kodi parasheh mënyrën e interpretimit të dispozitave ligjore, duke nënvizuar se “një nen nuk duhet të interpretohet i shkëputur nga pjesa tjetër e ligjit”.
“Pra, nuk mund ta marrësh një nen të izoluar dhe t’i harrosh nenet tjera”, sqaroi profesori.
Libri i dytë i Kodit Civil, që trajton detyrimet, hap rrugë për një mekanizëm të ri: mundësinë që qytetarët të kërkojnë përgjegjësi nga shteti kur u cenohen të drejtat private.
Kur konstatohet se një person ka keqpërdorur pushtetin në ushtrimin e funksionit të tij, qytetarët do të kenë mundësi të kërkojnë mbrojtje juridike për dëmin ose cenimin e shkaktuar. “Kur arrihet në përfundimin se dikush ka abuzuar me pushtetin, në kuptimin e funksionit që e ka, jo vetëm që do të marrë përgjegjësi, por edhe do të paditet shteti për cenim të të drejtave të qytetarëve”, deklaroi Gashi.
Një nga sfidat më të mëdha që adreson Kodi Civil është formalizimi i marrëdhënieve pronësore në familjet ku jetojnë së bashku shumë anëtarë dhe ku të drejtat mbi pronën nuk janë të përcaktuara qartë.
Kodi parashikon një mekanizëm përmes të cilit familjarët mund t’i formalizojnë të drejtat e tyre pronësore me kontratë te noteri, pa pasur nevojë të ndahen fizikisht ose të ndërprasin jetesën e përbashkët. Qëllimi është që secili anëtar ta ketë të përcaktuar pjesën e tij në pronë, duke shmangur konfliktet e mëvonshme dhe kontestet gjyqësore mes familjarëve.
Gashi vlerëson se ky formalizim do të ndihmonte edhe pasardhësit, pasi do të qartësonte të drejtat pronësore dhe do të zvogëlonte paqartësitë që mund të trashëgohen ndër breza.
Intervista zbuloi probleme të mëdha që lidhen me moszhvillimin e procedurave të trashëgimisë dhe regjistrimin e pronave në emër të personave që kanë vdekur. Mungesa e procedurave të rregullta të trashëgimisë ka ndikuar në krijimin e një numri të madh të lëndëve në gjykata.
“Shumë transaksione pronësore janë kryer në mënyrë joformale, ndërsa personat që i posedojnë pronat nuk figurojnë domosdoshmërisht si pronarë në regjistrat zyrtarë”, tha Gashi.
Ai sqaroi se “ligji nuk njeh shitje të posedimit” dhe se krejt transaksionet e ndodhura janë joformale, duke kërkuar që të gjendet paraardhësi para 50-60 vjetësh për të zhvilluar procedurën zinxhirore të trashëgimisë.
Në fund të intervistës, prof. Gashi bëri thirrje që Kodi Civil të pranohet nga Kuvendi i Kosovës në lexim të parë. Dokumenti është rezultat i një pune shumëvjeçare dhe kontribut i ekspertëve vendorë e ndërkombëtarë. Në hartimin e Kodit kanë kontribuar profesorë universitarë, gjyqtarë, avokatë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, ndërsa dokumenti është diskutuar ndër vite nga qeveri të ndryshme.
“Nëse ka ndonjë çështje kontestuese, Kuvendi do ta merr përgjegjësinë sepse është sovrani që vendos për çështje madhore, mirëpo pa e pranuar në lexim të parë, nuk mundesh as me propozu amandamente”, theksoi Gashi.
Miratimi në lexim të parë do të mundësonte shqyrtimin e mëtejshëm të Kodit Civil dhe propozimin e amendamenteve për çështjet që mund të konsiderohen kontestuese. /KosovaNews/
