TË FUNDIT

Dëshmitari në gjykimin për spiunazh: Muharrem Qerimi nuk ka qenë informator i Policisë së Kosovës

Sot, në seancën e radhës gjyqësore për të akuzuarit Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi, të cilët akuzohen për veprën penale “Spiunazh”, ka dëshmuar një zyrtar policor i identifikuar si A.K., i cili gjatë dëshmisë së tij mohoi se Qerimi ka qenë informator i Policisë së Kosovës, raporton KosovaPress.

Dëshmitari, i marrë në pyetje nga prokurori Bekim Kodraliu, deklaroi se me Qerimin kishte punuar në një ekip hetimor për rreth dy vjet, pasi ky i fundit ishte transferuar nga rajoni i Ferizajt në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës, përkatësisht në Departamentin e Hetimeve në Prishtinë.

Ai shtoi se pas largimit të Qerimit nga Policia e Kosovës, mes tyre nuk kishte pasur kontakt për një periudhë të gjatë, ndërsa takimet kishin rifilluar në vitin 2022.

Dëshmitari shpjegoi se një nga detyrat e tij në polici kishte qenë trajtimi i burimeve të informacionit. Sipas tij, Qerimi gjatë takimeve i kishte thënë se kishte informacione për t’i dhënë, por ato nuk kishin qenë të sakta ose të plota.

“Një ndër detyrat e mia ka qenë tregimi i burimit të informacionit. Herë pas here më ka takuar dhe më ka thënë se ka ndonjë informacion. Jo se ka dhënë ndonjëherë shumë informacion ose diçka të veçantë, por zakonisht si arsyetim për takim ka qenë dhënia e informacionit. Kur ka thirrë ka thënë se ka me dhënë diçka. Shumica e informacioneve ose nuk kanë qenë informacione të sakta ose jo të plota për punën. Jo, Muharremi nuk ka qenë informator i Policisë së Kosovës”, deklaroi dëshmitari.

Dëshmitari tregoi edhe për një bisedë me Qerimin, gjatë së cilës, sipas tij, ia kishte bërë të qartë se pas largimit nga policia nuk mund të diskutonin më në të njëjtën mënyrë si më parë.

“Kjo ka ndodhur në këtë takimin që e potencova në vitin 2012, pak kohë kemi qenë në pauzë, pasi isha duke analizuar për të nxjerrë përfundime nga biseda me të, për një moment Muharremi më ka thënë se unë ty po të tregoj gjithçka, ti mua nuk po më tregon gjithçka. Ka ndryshuar mënyra e komunikimit pasi më nuk je pjesë e policisë. Nuk është më zyrtar policor dhe nuk mund t’i diskutojmë më, por nëse ki diçka me ia dhënë policisë mundesh me na dhënë, gjithmonë në cilësinë e një burimi të paregjistruar”, tha ai.

Duke folur për dyshimet lidhur me bashkëpunimin e Qerimit me Shërbimin Sekret Serb, BIA, dëshmitari tha se për këtë kishte mësuar nga mediat pas arrestimit të tij.

Ai shtoi se, duke parë më vonë akuzat ndaj Qerimit, kishte krijuar përshtypjen se takimet me të mund të kishin shërbyer për të mbuluar aktivitetin për të cilin akuzohet.

“Sa i përket bashkëpunimit të tij me BIA, atë e kam mësuar nga mediat pas arrestimit të tij. Me Muharremin, pas takimit të parë që e kemi bërë pas 10 viteve, ka qenë ai që më ka thirrur, nuk ka qenë asnjë informacion që nuk ka pasur rëndësi. Gjatë kësaj kohe që jemi takuar pas 10 viteve, zakonisht ka qenë insistimi i tij me u taku. Pas arrestimit të tij, kuptova nga mediat për çka akuzohet, ku është një konkluzion i imi që një ndër arsyet që ky ka ardhë me u taku me mua, nëse e ka kryer aktivitetin që akuzohet, ta ketë si mbulesë takimi me mua”, tha ai.

Aktakuza ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit kishte kaluar përfundimisht në fazën gjyqësore pas vendimit të Gjykatës së Apelit, për të cilin mediat raportuan . Ky vendim parapriu seancat që po zhvillohen aktualisht, përfshirë dëshminë e zyrtarit policor A.K.

Sipas raportimit të asaj kohe, Gjykata e Apelit vërtetoi vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila kishte vërtetuar aktakuzën e Prokurorisë Speciale. Apeli refuzoi si të pabazuara ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve avokatit Besnik R. Berisha, mbrojtës i Shabanit, dhe avokatit Betim Shala, mbrojtës i Qerimit, duke vërtetuar aktvendimin e Themelores të datës 20 prill 2025.

Mbrojtja kishte kërkuar që Apeli të hudhte akuzën ndaj dy të akuzuarve, ndërsa Prokuroria e Apelit kishte propozuar refuzimin e ankesave dhe vërtetimin e vendimit të shkallës së parë.

Në vendimin e shkallës së dytë thuhet se ankesat nuk përmbajnë argumente bindëse dhe asnjë bazë ligjore që akuza të hudhet ashtu siç kërkon Kodi i Procedurës Penale. Sipas Apelit, shkalla e parë ka vendosur drejt kur ka konstatuar se ekzistojnë prova të mjaftueshme të pranueshme në aspektin ligjor procedural për të vazhduar me gjykim.

Apeli ka theksuar se bazuar në shkresat e lëndës ekzistojnë elementet qenësore të veprave penale për të cilat ngarkohen Shabani dhe Qerimi dhe se të gjitha provat janë marrë në mënyrë të ligjshme. Gjykata ka sqaruar se gjatë shqyrtimit gjyqësor provat e siguruara do të administrohen dhe palëve do t’u jepet mundësia t’i kundërshtojnë ato, ndërsa vendimi meritor do të merret bazuar në zhvillimin e shqyrtimit.

Pas këtij vendimi, pritej që Gjykata Themelore të caktonte seancat gjyqësore ndaj Shabanit dhe Qerimit. Seanca e 5 marsit 2025 ishte ndërprerë me kërkesë të të akuzuarit Shabani për afat shtesë për lexim dhe analizim të aktakuzës, në mënyrë që më pas të deklarohet lidhur me fajësinë.

Sipas aktakuzës, Shabani dhe Qerimi ngarkohen se kanë mbledhur dhe dërguar informacione e dokumente tek BIA serbe lidhur me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, eprorët e pjesëtarët e saj, Policinë e Kosovës, Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë dhe Inspektoratin Policor të Kosovës, si dhe për ngjarje e objekte specifike, përfshirë edhe masakrën e Reçakut.

Përmes këtyre veprimeve, sipas PSRK-së, synohej shkaktimi i një konflikti të gjerë ndëretnik në territorin e Republikës së Kosovës, krijimi i një narrative të pavërtetë që ta ndërlidhte Spitalin Ushtarak të UÇK-së me të ashtuquajturën “Shtëpia e Verdhë” për kinse trafikim organesh, si dhe vënia në dyshim e së vërtetës së masakrës.

Bedri Shabani akuzohet se nga një datë e pacaktuar e deri në momentin e arrestimit më 5 qershor 2024 e ka ndihmuar Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Republikës së Serbisë (BIA) në formën e mbledhjes dhe dërgimit të informacioneve, dokumenteve dhe materialeve që lidhen me UÇK-në, përfshirë eprorët e saj, si dhe me ngjarje e objekte specifike si Spitali Ushtarak i UÇK-së në fshatin Mollopolc të Shtimes dhe masakra e Reçakut.

Aktakuza thotë se Shabani këto të dhëna ua kishte transmetuar zyrtarit të lartë të BIA-s, Sërgjan Rosiç, përgjegjës për Regjionin e Pançevës, si dhe kolonel Bogoljub Janiçeviq, ish-komandant i Policisë së Serbisë për Regjionin e Ferizajt gjatë kohës së luftës në Kosovë dhe udhëheqës i operacionit policor-ushtarak në masakrën e Reçakut, përmes komunikimeve telefonike, postës elektronike dhe takimeve fizike të zhvilluara në territorin e Serbisë. Me këto veprime, sipas aktakuzës, i akuzuari ka rrezikuar dhe dëmtuar rëndë rendin juridik kushtetues dhe sigurinë e Republikës së Kosovës, duke e ndihmuar BIA-n në krijimin e narrativës së pavërtetë, si dhe duke kërkuar nga zyrtari i BIA-s dhe Janiçeviqit ndërmarrjen e veprimeve operacionale që do të shkaktonin një konflikt të gjerë ndëretnik.

Muharrem Qerimi akuzohet se nga viti 2012 e në vazhdimësi deri në arrestimin e tij më 5 qershor 2024 e ka ndihmuar BIA-n në formën e mbledhjes dhe dërgimit të informacioneve, dokumenteve dhe materialeve të ndryshme që kanë të bëjnë me luftën dhe pjesëtarët e UÇK-së, emrat e eprorëve të Policisë së Kosovës, AKI-së e IPK-së, si dhe emrat e dëshmitarëve tashmë të njohur të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë në lidhje me veprat penale të krimit të organizuar e korrupsionin. Këto informacione, sipas aktakuzës, ai ia ka transmetuar zyrtarit të lartë të BIA-s, Sërgjan Rosiç, përmes komunikimeve telefonike dhe takimeve fizike të zhvilluara në territorin e Serbisë.

Për këto veprime, të dy të akuzuarit ngarkohen me veprën penale “Spiunazh” nga neni 124, paragrafi 3 i Kodit Penal: “Kushdo që hyn në shërbimin informativ të huaj, mbledh të dhëna për të apo në ndonjë mënyrë tjetër e ndihmon punën e shërbimit të tillë, dënohet me jo më pak se pesë (5) vjet burgim”.

Në pikën e tretë të aktakuzës thuhet se më 5 qershor 2024, gjatë zbatimit të urdhëresës së Gjykatës për urdhër kontroll, të pandehurit Qerimi i është gjetur në posedim pa autorizim një revole e tipit “Ekol Tuna”, një karikator, gjashtë fishekë, njëzet fishekë të tjerë me mbishkrimin 11/53, si dhe katër karikatorë të tjerë me shenjën e gjysmëhënës dhe një rrumbullak, të cilat janë sekuestruar nga Policia e Kosovës. Për këtë, Qerimi ngarkohet me veprën penale Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366, paragrafi 1 i Kodit Penal: “Kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet”.

Të dy të akuzuarit konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Burimet: KosovaPress (raportim nga seanca gjyqësore), “Betimi për Drejtësi” (vendimi i Gjykatës së Apelit dhe aktakuza, raportime).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *