POLITIKATË FUNDIT

Vetëvendosje akuzon Komunën e Prishtinës për publikim të vendimeve të kundërligjshme

Lëvizja Vetëvendosje – Qendra në Prishtinë ka reaguar ndaj kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, duke e akuzuar për publikimin e vendimeve që, sipas kësaj partie, janë vlerësuar si të kundërligjshme nga ministritë përkatëse.

Sipas Vetëvendosjes, Komuna e Prishtinës ka publikuar në faqen e saj zyrtare vendimin për dhënien në shfrytëzim për 50 vjet të hapësirës së Tulltores dhe vendimet për caktimin e lokacioneve për projekte të ndryshme, megjithëse ministritë përkatëse i kanë vlerësuar si të kundërligjshme dhe e kanë njoftuar Komunën brenda afatit ligjor.

“Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, duhet të japë përgjegjësi për publikimin e këtyre vendimeve pa u rregulluar kundërligjshmëritë e konstatuara”, thuhet në reagimin e Vetëvendosjes.

Sipas kësaj partie, kjo qasje shpreh një mendësi të papranueshme të qeverisjes lokale.

“Çfarë mesazhi u jepet qytetarëve kur vetë Komuna vepron sikur vlerësimet e institucioneve përgjegjëse nuk kanë rëndësi? Prishtina nuk mund të qeveriset sipas logjikës se vullneti dhe interesi i kryetarit qëndron mbi ligjin”, thuhet në komunikatë.

Vetëvendosje ka theksuar se publikimi në faqen zyrtare nuk ia largon kundërligjshmërinë një vendimi dhe se vlerësimet e ministrive kërkojnë trajtim institucional dhe përgjigje ligjore.

Sipas saj, Ligji nr. 08/L-284 për Shqyrtimin Administrativ të Akteve të Komunave e përcakton qartë procedurën, duke kërkuar rishqyrtimin e aktit kur konstatohet mospërputhje me ligjin, e jo publikimin e tij.

“Të trajtosh si të parëndësishme vlerësimet e ligjshmërisë do të thotë të sfidosh autoritetin e institucioneve të Republikës. Autonomia komunale nuk është leje për arbitraritet dhe as nuk duhet të jetë mundësi për t’i vënë interesat personale e shoqërore mbi ligjet e shtetit”, thuhet më tej në reagim.

Në fund, Vetëvendosje ka theksuar se Përparim Rama ka mandat për ta qeverisur Prishtinën brenda ligjit, por jo për t’i caktuar vetë kufijtë e tij.

“Prishtina është kryeqyteti i Republikës. Nuk është republikë e Përparim Ramës!”, përfundon reagimi i Lëvizjes Vetëvendosje – Qendra në Prishtinë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *