Gërvalla në Samitin e Demokracisë: Një ish-agjent serb krenohej me organizimin e vrasjes së babait tim
Gërvalla në Samitin e Demokracisë: Një ish-agjent serb krenohej me organizimin e vrasjes së babait tim
Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla ka përmendur vrasjen e babait të saj gjatë fjalimit të saj në panelin “Media and Freedom” të Samitit të Demokracisë.
Ajo ka përmendur faktin që vrasja e babait të saj u krye nga shërbimi secret jugosllav, i dominuar nga Serbia.
Gërvalla ka deklaruar se në vitin 2022, në televizionin serb të kontrolluar nga qeveria, një ish-agjent, sipas saj, përgjegjës për planifikimin e atyre vrasjeve, krenohet për vrasjen e babait të saj dhe vrasjeve të tjera.
“Ky është realiteti në Serbi, Evropë, në vitet 2022 dhe 2023 dhe është e rëndësishme ta njohim këtë realitet. E përmend këtë për të treguar se nuk është çështja tek fjalët e bukura apo tek qëllimet abstrakte, por kërcënimi për lirinë, demokracinë dhe mediat e lira është real”, është shprehur Gërvalla.
E para e MPJ-së tha se njëjtë si Putini sot në Ukrainë, në vitin 1999 ka bërë edhe Serbia kundër Kosovës, duke u përpjekur që popullatën shqiptare ta debojë nga vendi.
“Ministër serb i informacionit – pra i lajmeve të rreme dhe gënjeshtrave – gjatë periudhës së gjenocidit ishte Vuçiçi. Sot, Kosova është një vend i pavarur dhe ne jemi duke strehuar gazetarë ukrainas”.
“Iu ndihmuam të krijojnë një qendër të fuqishme të gazetarisë dhe në të njëjtën kohë një qendër të fuqishme për të luftuar lajmet e rreme që lidhen me Ukrainën dhe Rusinë. Pasi që kjo iniciativë u tregua e suksesshme, tani jemi duke strehuar edhe gazetarë afganë”, tha Gërvalla.