Lifestyle Conference 2026: Nga ndërgjegjësimi te veprimi për një shëndet më të mirë
Edicioni i dytë i Lifestyle Conference , organizuar nga Chester Group në Hotel Emerald në Prishtinë, mblodhi profesionistë shëndetësorë, ekspertë dhe përfaqësues institucionalë për të diskutuar sfidat aktuale të shëndetit dhe rëndësinë e parandalimit, reduktimit të dëmit dhe promovimit të një stili jetese më të shëndetshëm.
Nën moton “Përtej ndërgjegjësimit: Shëndeti i së ardhmes nis me veprime konkrete.” konferenca solli në vëmendje nevojën për ta kthyer ndërgjegjësimin në veprime konkrete, përmes edukimit, zgjedhjeve të informuara dhe bashkëpunimit ndërmjet profesionistëve shëndetësorë, institucioneve dhe qytetarëve.
Përmes tri paneleve të diskutimit dhe prezantimeve individuale, konferenca trajtoi shëndetin mendor, reduktimin e dëmit (Harm Reduction), parandalimin e sëmundjeve kronike, shëndetin e gruas dhe rolin e inteligjencës artificiale në mjekësi.
Shëndeti mendor: Nga ndërgjegjësimi te veprimi
Paneli i parë u përqendrua te shëndeti mendor dhe ndikimi i stresit, ankthit dhe traumave në mirëqenien individuale.
Diskutimet theksuan rëndësinë e identifikimit të hershëm të vështirësive psikologjike, edukimit që nga fëmijëria, mbështetjes familjare dhe krijimit të një mjedisi ku kërkimi i ndihmës profesionale nuk shoqërohet me paragjykime.
Dr. Faton Kutllovci, psikiatër, theksoi se identifikimi i hershëm i problemeve të shëndetit mendor dhe qasja në shërbime profesionale janë thelbësore për përmirësimin e mirëqenies dhe parandalimin e përkeqësimit të gjendjes.
Reduktimi i dëmit në praktikë: Rishikimi i qasjeve ndaj shëndetit, rrezikut dhe zgjedhjes
Një nga temat qendrore të konferencës ishte reduktimi i dëmit , një qasje që synon zvogëlimin e pasojave negative shëndetësore që lidhen me sjellje dhe faktorë të caktuar të rrezikut.
Paneli i dytë trajtoi veçanërisht rreziqet që lidhen me përdorimin e duhanit dhe substancave të tjera, rëndësinë e edukimit të të rinjve dhe rolin e familjes, shkollës, profesionistëve shëndetësorë dhe institucioneve në parandalim.
Dr. Besim Morina, specialist i pulmologjisë, theksoi se, ndonëse mjekët kanë rol të rëndësishëm në identifikimin e faktorëve të rrezikut dhe edukimin shëndetësor, praktika shpesh mbetet më shumë e orientuar drejt trajtimit sesa këshillimit parandalues.
Ai nënvizoi nevojën për forcimin e qasjeve parandaluese, duke vënë në dukje ndryshimet në modelet e përdorimit të duhanit dhe produkteve alternative të nikotinës. Sipas tij, përpjekjet për zvogëlimin e dëmeve të lidhura me duhanin dhe nikotinën kërkojnë masa institucionale, edukim të vazhdueshëm dhe komunikim të hapur me fëmijët që nga mosha e hershme.
Parandalimi para trajtimit: Stili i jetesës dhe sëmundjet kronike
Paneli i tretë u fokusua në rëndësinë e parandalimit të sëmundjeve kronike përmes ushqyerjes së shëndetshme, aktivitetit fizik, kontrolleve të rregullta dhe diagnostikimit të hershëm.
Diskutimet vunë në pah se ndryshimet e qëndrueshme në stilin e jetesës mund të kontribuojnë në zvogëlimin e faktorëve të rrezikut dhe në përmirësimin afatgjatë të shëndetit.
Dr. Valdet Elshani, specialist i mjekësisë familjare, theksoi se parandalimi dhe ndërhyrja e hershme, të shoqëruara me zgjedhje më të shëndetshme të stilit të jetesës, mund të ndihmojnë në uljen e rrezikut ose vonimin e shfaqjes së sëmundjeve kronike.
Në këtë kuadër, u theksua edhe rëndësia e diagnostikimit laboratorik dhe kontrolleve periodike në identifikimin e hershëm të problemeve shëndetësore.
Shëndeti i gruas dhe inteligjenca artificiale në mjekësi
Përveç diskutimeve në panele, konferenca solli prezantime të veçanta mbi shëndetin e gruas, parandalimin dhe zbulimin e hershëm të sëmundjeve, si dhe mbi zhvillimet teknologjike që po transformojnë kujdesin shëndetësor.
Vëmendje e veçantë iu kushtua rolit të inteligjencës artificiale në mjekësi dhe mundësive që ajo ofron për analizimin e të dhënave, mbështetjen e diagnostikimit dhe identifikimin e hershëm të rreziqeve shëndetësore.
Gjatë prezantimit u theksua se teknologjia duhet të shërbejë si mbështetje për profesionistët shëndetësorë, duke plotësuar ekspertizën dhe gjykimin klinik të mjekut, jo duke i zëvendësuar ato.
Edicioni i dytë i Lifestyle Conference* riafirmoi rëndësinë e një qasjeje gjithëpërfshirëse ndaj shëndetit, ku parandalimi, edukimi, reduktimi i dëmit dhe bashkëpunimi ndërinstitucional zënë një vend të rëndësishëm krahas trajtimit mjekësor.
Mesazhi kryesor i konferencës mbetet i qartë:
E ardhmja e shëndetit fillon me veprimet që ndërmarrim sot.
