TË FUNDIT

Krime lufte në Zveçan, Miljojko Gjorgjeviq përballet sot me drejtësinë në Prishtinë

Miljojko Gjorgjeviq, i dyshuar për krime lufte kundër popullsisë civile shqiptare gjatë luftës së viteve 1998–1999, pritet të dalë sot para Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Seanca fillestare ndaj tij është paraparë të mbahet në departamentin special, nën udhëheqjen e gjyqtarit Kushtrim Shyti.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës e ngarkon Gjorgjeviqin me vepra të rënda penale, të cilat dyshohet se janë kryer në komunën e Zveçanit gjatë luftës në Kosovë.

Sipas aktakuzës së ngritur më 12 tetor 2026, ai dyshohet se, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore serbe, ka marrë pjesë në vrasje, trajtim çnjerëzor, frikësim, shkatërrim të pasurisë, dëbim masiv dhe spastrim etnik të popullsisë civile. Aktakuza e përfshin të pandehurin në bazë të përgjegjësisë individuale dhe komanduese. Gjatë periudhës për të cilën ngrihen dyshimet, Gjorgjeviq dyshohet se ka ushtruar funksionin e komandantit të repartit policor në përbërjen rezervë në Zveçan.

Në seancën e sotme pritet të lexohet aktakuza, pas së cilës i akuzuari do të ketë mundësinë të deklarohet lidhur me fajësinë për veprat që i vihen në barrë.

Shënim: I akuzuari prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *