LDK e kritikon pushtetin për mosrealizimin e premtimit të 4000 banesave për çiftet e reja
LDK e kritikon pushtetin për mosrealizimin e premtimit të 4000 banesave për çiftet e reja
Paris Guri nga LDK ka kritikuar pushtetin për mosrealizimin e premtimit të 4000 banesave për çiftet e reja. Kryetari i Forumit të Rinisë së LDK-së ka folur për premtimet që pushteti ua bëri të rinjve të vendit. Ai ka pyetur pse po e lëshojnë Kosovën të rinjtë.
“Nëse qeveria është duke e bërë një punë aq të mirë sa po e thonë, pse kaq shumë të rinj po e lëshojnë vendin?” – tha Guri në një video të publikuar në faqen zyrtare të LDK-së në Facebook.
Guri i LDK-së sidomos kritikoi pushtetin për premtimet që ka bërë dhe nuk i ka realizuar, duke përfshirë premtimin për ndërtimin e 4000 banesave për çiftet e reja.
“Pushteti ka bërë premtime të njëpasnjëshme. Po në vitin e tretë të qeverisjes nga ky pushtet: të rinjtë nuk janë në qendrat e premtuara të inovacionit e as të start up-eve. Nuk janë në fakultetin e premtuar për teknologji informative. Madje, nuk janë as në 4000 banesat e premtuara për çiftet e reja. Ata janë duke u endur korridoreve të ambasadave, me qëllimin e vetëm, ikjen nga Kosova”, ka thënë Guri.
Ai po ashtu ka folur edhe për premtimet në projektet inovative por që pushteti dështoi. “Premtuan që Kosova do të vendoset në hartat botërore të inovacionit, por fatkeqësisht prej kur kanë ardhur në pushtet Kosova është vetëm në hartën e kërkesave rekorde për ta lënë vendin”, ka thënë ai përmes kësaj videoje.