TË FUNDIT

Prokuroria e Speciales: Thaçi mund të dënohet me mbi 26 vjet burg

Prokuroria e Speciales: Thaçi mund të dënohet me mbi 26 vjet burg

Prokuroria e Specializuar e Hagës po vazhdon ta kundërshtojë lirimin e ish-presidentit Thaçi nga paraburgimi.

Organi i akuzës po mohon çdo faktor që Thaçit do t’ia siguronte mbrojtjen në liri, duke argumentuar në drejtim të asaj që sipas tyre, ish-presidenti është vënë në dijeni të identiteteve të dëshmitarëve dhe akuzave ndaj tij, andaj një mbrojtje në liri do të ishte e rrezikshme për procesin, shkruan lajmi.net.

Prokuroria e Speciales paragjykon rastin, duke thënë se Thaçi mund të dënohet edhe më shumë se Salih Mustafa, të cilit në shkallë të parë iu hoqën 26 vjet liri.

“Në prag të gjykimit, më shumë tani se kurrë, Thaҫi ka një ndërgjegjësim më të menjëhershëm për akuzat serioze të konfirmuara kundër tij, që përfshijnë 10 akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, dhe dënimin e mundshëm të gjatë me burgim që mund të rezultojë prej tyre. Në të njëjtën kohë, përmes procesit të vazhdueshëm të zbulimit, ai vazhdimisht po fiton më shumë njohuri për provat që duhen paraqitur në lidhje me krimet e dyshuara të kryera prej tij. Këta faktorë marrin një rëndësi të shtuar në kontekst të fillimit të gjykimit, duke përshpejtuar më tej zbulimin e informacionit gjithnjë e më të ndjeshëm. Sa i përket dënimit, dënimi i të akuzuarit në rastin Mustafa me 26 vjet burgim për krimet e akuzuara edhe në këtë rast nuk mund të mos rrisë, në sytë e Thaçit, mundësinë e një dënimi më të gjatë për veten e tij. Kjo, e kombinuar me faktin se Thaҫi kishte njohuri të plotë për objektin e çështjes dhe provat kundër tij për në prag të gjykimit, rrit largimin e rrezikut të tij në mënyrë që të jetë një “mundësi mjaftueshëm reale”, thotë prokuroria.

Tutje, Prokuroria thotë se në Kosovë ekziston ende sipas tyre klima e frikësimit të dëshmitarëve.

Ata thonë gjithashtu se Thaçi tanimë ka njohuri për 40 dëshmitarët e parë të prokurorisë dhe kjo mund të jetë faktor determinues në këtë çështje.

Prokuroria, vazhdimin e paraburgimit e ka kërkuar edhe për ish-kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli.

Ndryshe, të hënën e 3 prillit në Gjykatën Speciale do të fillojë gjyqi ndaj krerëve të UÇK-së.

Të njëjtën ditë në Hagë, nga bashkëatdhetarët është organizuar një protestë paqësore tek objekti i Dhomave të Specializuara të Hagës.

Ndërkohë, një marsh në mbështetje të krerëve të UÇK-së është paraparë të mbahet edhe më 2 prill në Prishtinë. /Lajmi.net/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *