POLITIKATË FUNDIT

Samiti i Berlinit mblodhi liderët e Ballkanit Perëndimor mblidhen në Mal të Zi, flet Kurti: Koha që Kosova të marrë statusin e vendit kandidat dhe të hapë negociatat me BE’në

Liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor do të takohen sot në Miloçer të Malit të Zi, në kuadër të samitit të Procesit të Berlinit, ku pritet të diskutojnë për thellimin e bashkëpunimit rajonal, zhvillimin ekonomik dhe përshpejtimin e rrugës drejt Bashkimit Evropian.

Në këtë takim do të marrin pjesë përfaqësuesit e Kosovës, Shqipërisë, Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinës, së bashku me përfaqësues të institucioneve evropiane dhe vendeve partnere.

Samiti do të bashkëkryesohet nga kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiq, dhe kancelari gjerman, Friedrich Merz. Pjesëmarrjen e ka konfirmuar edhe komisarja evropiane për zgjerim, Marta Kos.

Kosova në këtë takim do të përfaqësohet nga kryeministri Albin Kurti, i cili ka udhëtuar të mërkurën drejt Malit të Zi. Përveç pjesëmarrjes në samit, Kurti pritet të zhvillojë edhe takime dypalëshe me drejtues dhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare.

Një ndër çështjet kryesore që pritet të trajtohet është forcimi i bashkëpunimit ekonomik ndërmjet vendeve të rajonit, përfshirë lehtësimin e tregtisë, rritjen e konkurrueshmërisë dhe krijimin e kushteve më të favorshme për investime.

Po ashtu, liderët pritet të diskutojnë për sfidat e sigurisë rajonale dhe nevojën për koordinim më të madh ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në fokus do të jetë edhe zbatimi i marrëveshjeve ekzistuese rajonale, si dhe vlerësimi i hapave të ndërmarrë deri më tani në kuadër të afrimit me tregun evropian.

Procesi i Berlinit dhe integrimi evropian

Procesi i Berlinit është iniciativë e nisur në vitin 2014, me synimin për të forcuar bashkëpunimin ndërmjet gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe për të mbështetur integrimin e tyre në Bashkimin Evropian.

Një prej mekanizmave kryesorë të kësaj nisme është Tregu i Përbashkët Rajonal, që synon lehtësimin e qarkullimit të mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe njerëzve, duke krijuar mundësi më të mëdha për zhvillim ekonomik.

Në kuadër të këtij procesi janë ndërmarrë edhe hapa për njohjen reciproke të kualifikimeve profesionale dhe lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve në rajon.

Takimi i sotëm pritet të shërbejë si një mundësi për të shqyrtuar përparimin e arritur dhe për të përcaktuar hapat e ardhshëm në drejtim të bashkëpunimit rajonal dhe integrimit evropian.

Megjithatë, përtej objektivave ekonomike, rëndësia e këtij procesi lidhet edhe me forcimin e stabilitetit politik dhe të marrëdhënieve ndërmjet vendeve të rajonit, në një kohë kur integrimi evropian mbetet një nga synimet kryesore të Ballkanit Perëndimor.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *