“Ëndërr gjithnjë e kam pasur Kosovën”, Erblin Osmani rrëfen emocionet e debutimit te Bayerni dhe “Dardanët”
Erblin Osmani ka rrëfyer emocionet e debutimit me ekipin e parë të Bayern Munichut, si dhe ndjenjën e veçantë që përjetoi kur veshi fanellën e Kombëtares së Kosovës.
Talenti kosovar tregoi se gjithçka nisi në fillim të këtij viti, kur, ndonëse ishte pjesë e ekipit U17, mori mundësinë të stërvitej me ekipin e parë të gjigantit gjerman.
“U paraqita mirë në ato stërvitje dhe më pas u shpërbleva menjëherë me paraqitjen time të parë me ekipin profesionist”.
Ai e cilësoi këtë moment si realizim të një ëndrre të fëmijërisë, duke theksuar krenarinë për mënyrën se si ka nisur të zhvillohet karriera e tij.
“Besoj se kjo është diçka që çdo fëmijë e ëndërron, ta bëjë debutimin si profesionist në një klub kaq të madh. Jam jashtëzakonisht krenar që gjithçka ka shkuar kaq mirë dhe që karriera ime ka marrë një drejtim kaq pozitiv”.
Osmani foli edhe për debutimin me Kombëtaren e Kosovës, të cilin e përshkroi si një nga momentet më të veçanta të karrierës së tij.
“Që kur kam qenë fëmijë i vogël, gjithmonë kam ëndërruar të luaj për Kombëtaren e Kosovës. Duke qenë se edhe prindërit e mi vijnë nga Kosova, ishte një ndjenjë e jashtëzakonshme të isha atje”, përfundoi talenti kosovar për faqen zyrtare të Bayernit.
Përndryshe, Osmani shënoi gol për Bayern Munichun të mërkurën ndaj Arsenalit në Ligën e Kampionëve për të rinj, aty ku ishte në stol edhe prurja e re e Kosovës, Yll Gashi./ Telegrafi /
