POLITIKATË FUNDIT

LIVE: Pas deklaratës së Konjufcës në OKB, aleatët e Kosovës kërkojnë përgjegjësi për Banjskën: Autorët të dalin para drejtësisë

Përfaqësuesja e Mbretërisë së Bashkuar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB) ka mirëpritur zhvillimet institucionale në Kosovë, duke riafirmuar mbështetjen e shtetit të saj për zhvillimin demokratik të vendit dhe duke bërë thirrje për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur dhe vënien para drejtësisë të përgjegjësve për sulmin në Banjskë.

Ajo theksoi se Mbretëria e Bashkuar mirëpret bashkëpunimin me Kosovën dhe institucionet e saj, me synimin për të mbështetur zhvillimin e mëtejshëm të vendit si shtet gjithëpërfshirës dhe demokratik.

Si shtet që e njohu pavarësinë e Kosovës ndër të parët, Mbretëria e Bashkuar u bëri thirrje vendeve që ende nuk e kanë njohur Kosovën që t’i bashkohen shumicës së shteteve njohëse.

Duke folur për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përfaqësuesja britanike theksoi se normalizimi i tyre mbetet thelbësor për stabilitetin afatgjatë dhe të ardhmen evropiane të të dyja vendeve. Ajo u bëri thirrje palëve të zbatojnë marrëveshjet ekzistuese dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian, përfshirë Marrëveshjen e Ohrit.

Ajo gjithashtu theksoi rëndësinë e mbrojtjes së të drejtave të komuniteteve joshumicë në Kosovë, duke nënvizuar se garancitë për këto të drejta duhet të zbatohen në praktikë, në përputhje me sundimin e ligjit.

Një pjesë të deklaratës ia kushtoi edhe çështjes së personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë. Përfaqësuesja britanike kërkoi nga Serbia qasje në arkivat dhe të dhënat përkatëse, në mënyrë që të përparojë procesi i zbardhjes së fatit të më shumë se 1.500 personave që vazhdojnë të jenë të pagjetur.

Në fund, ajo rikujtoi sulmin në Banjskë dhe vrasjen e rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, duke përsëritur thirrjen që përgjegjësit të dalin para drejtësisë. Në këtë kontekst, përmendi edhe Milan Radoiçiçin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *