TË FUNDIT

Kurti në Pejë: Serbia të ballafaqohet me të kaluarën e saj kriminale

Kurti në Pejë: Serbia të ballafaqohet me të kaluarën e saj kriminale

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, deklaroi sot se Serbia duhet të ballafaqohet me të kaluarën e saj kriminale në Kosovë, dhe se Prokuroria Speciale duhet të punojë ditë e natë në mënyrë që përgjegjësit të identifikohen dhe të nxirren para drejtësisë. Sipas tij, tha se vetëm në këtë mënyrë do të fillojë rehabilitimi për viktimat e luftës së fundit në Kosovë.

Pas homazheve tek lapidari i masakrës në lagjen “Dardania” në Pejë, Kurti theksoi se drejtësia dhe e vërteta janë të domosdoshme për paqe afatgjatë për siguri për të gjithë dhe për marrëdhënie të mira fqinjësore e normale.

“Këtu në Pejë bëmë homazhe te lapidari duke u përulur e përkujtuar 40 të vrarët gjatë luftës së fundit në Kosovë nga forcat serbe këtu në lagjen ‘Dardania’. Drejtësia dhe e vërteta janë të domosdoshme për paqe afatgjatë, për siguri për të gjithë dhe për marrëdhënie të mira fqinjësore e normale. Serbia duhet të ballafaqohet me të kaluarën e saj kriminale në Kosovë, ndërkaq Prokuroria e Kosovës, Prokuroria Speciale duhet të punojë ditë e natë në mënyrë që përgjegjësit të identifikohen, të nxirren para drejtësisë dhe në këtë mënyrë të fillojë rehabilitimi për viktimat, ku dihet se viktima nuk janë vetëm të vrarët e të rrëmbyerit por edhe familjet e tyre, farefisi e mbarë shoqëria jonë”, tha Kurti.

Ndërkaq, të zhgënjyer nga puna e institucione në lidhje me organizimin e këtyre përvjetorëve, janë shprehur familjarët e dëshmorëve.

Familjar i dëshmorit, Ismet Nikqi, Besimi është shprehur i zhgënjyer me punën e institucioneve. Ai tha se duhet më shumë punë në këtë drejtim.

“Është vra me 15 mars të vitit 1999-të, tash është 24-vjetori… Por, mendoj se (institucionet) mund të bëjnë më shumë dhe në mënyrë më të organizuar…Në një përvjetor është organizimi qendror, në një tjetër i komunës, tek një tjetër i organizatës së veteranëve, por kryesisht më të përkushtuar kanë qenë OVL-të dhe ajo e familjarëve të dëshmorëve”, tha Nikqi.

Kushtrim Gashi, familjar i pesë familjarëve të vrarë tha se institucionet përgjegjëse nuk kanë bërë sa duhet, pavarësisht që dëshmorët kanë dhënë jetën e tyre për liri.

“Kam ardhur për xhaxhain, por i kemi pesë anëtarë të familjes të vrarë… Tash ka filluar të bëhet pak në këtë drejtim, sepse deri tash nuk i kanë dhënë rëndësi kësaj lagjeje edhe pse janë të vrarë 67 persona… Si qytetar i lagjes ‘Dardania’ jam shumë i zhgënjyer edhe sa i përket përmendores, nuk i kanë dhënë rendësi”, tha Gashi.

Bashkë me kryeminsitrin Kurti në homazhe pranë lapidarit të masakrës në lagjen “Dardania” në Pejë, ishin edhe kryetari i Komisionit qeveritar për persona të zhdukur, Andin Hoti dhe kryetarja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari.

Në këtë 24 vjetor sot kujtohen dhe nderohen 69 viktimat e lagjes Dardania 1,2 dhe 3.

Më 27 marsin e vitit 1999, banorët e lagjes Dardania në Pejë kishin përjetuar një tmerr kur paramilitarët serbë, kishin filluar t’i ndanin burrat nga familja e tyre dhe më pas i kishin pushkatuar dhe hynë edhe në shtëpitë e këtyre lagjeve ku kryen masakra të rënda.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *