POLITIKATË FUNDIT

Zelensky bisedoi me Sekretarin e Shtetit të SHBA-së për tri “çështje me rëndësi” – para takimit me të dërguarin e Trump

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka biseduar këtë mëngjes me Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio.

Dhe biseda e tyre erdhi pak orë para se i dërguari i posaçëm amerikan, Steve Witkoff, do të zhvillojë bisedime me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Oslo, të martën.

Takimi organizohet nga Norvegjia dhe Finlanda, si pjesë e përpjekjeve të reja diplomatike për t'i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Zelensky dhe Rubio u përqendruan në "çështje që kanë rëndësi", tha lideri ukrainas në një postim në internet.

E para thuhet se ishte rreth sistemeve për “kapjen” e raketave balistike.

Siç vënë në pah mediat, Ukraina prej muajsh përballet me një mungesë kritike të këtyre sistemeve, gjë që e lë atë të pambrojtur ndaj sulmeve me raketa ruse.

E dyta, siç thuhet më tej, ishte paralajmërimi i hershëm për sulmet ruse – gjë të cilën Zelensky e përshkroi si "jetike".

Pas raportimeve se SHBA-ja kishte kufizuar shkëmbimin e informacioneve të zbulimit, Kievi filloi të raportonte se aleatët kishin ndaluar paralajmërimet për sulmet e ardhshme ruse.

Dëshmitarë në kryeqytet thanë se sirenat dëgjoheshin vetëm pasi ndodhnin goditjet.

Megjithatë, Uashingtoni ka deklaruar se shkëmbimi i informacioneve të zbulimit vazhdon.

Dhe e treta, bëjnë të ditur mediat, situata me Starlink/Starshield.

Lidhur me këtë, Zelensky kishte deklaruar më parë se vazhdonte të mungonte qasja e pakufizuar në sistemin jetik Starlink/Starshield, i cili është thelbësor për mbrojtjen dhe operacionet sulmuese të Ukrainës.

Veç këtyre, raportojnë mediat, Zelensky përsëriti dëshirën e Ukrainës për paqe, por nuk përmendi ndonjë përparim apo marrëveshje të arritur gjatë bisedimeve.

Në vend të kësaj, ai tha se të dy do të bisedojnë sërish së shpejti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *