TË FUNDIT

Sot në Speciale paraqitet dëshmitari i parë kundër Pjetër Shalës

Sot në Speciale paraqitet dëshmitari i parë kundër Pjetër Shalës

Dëshmitari i parë i prokurorisë, në rastin kundër Pjetër Shalës, do të paraqitet sot para Dhomave të Specializuara në Hagë.

Me të fillon edhe paraqitja e provave nga Zyra e Prokurorit të Specializuar e cila e bën përgjegjës ish-pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë e vrasje të paligjshme.

Krejt këto prokuroria pretendon se kanë ndodhur në periudhën maj-qershor të vitit 1999 në ish-Fabrikën e Metalit në Kukës.

Sipas ZPS-së, Shala ngarkohet edhe si kryes fizik lidhur me krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe torturës.

Këto pretendime janë kundërshtuar nga mbrojtja e Pjetër Shalës duke deklaruar se kjo çështje është e mbështetur në thashetheme.

Gjatë deklaratës hyrëse të tij, avokati kishte thënë se i akuzuari nuk ka qenë asnjëherë në dijeni për ekzistencën e ndonjë qendre të ndalimit në ish-Fabrikën e Metalit në Kukës.

Edhe Pjetër Shala ishte deklaruar pa betim në fillim të këtij procesi gjyqësor duke thënë se është plotësisht i pafajshëm.

Ai kishte theksuar se ka luftuar kundër një makinerie ushtarake e policore të regjimit kriminal të Millosheviqit dhe asnjëherë kundër civilëve.

Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kishte thënë se nëse ka drejtësi në Gjykatën Speciale ai do të shpallet i pafajshëm.

Në këtë çështje gjyqësore do të zhvillohen seanca gjatë tërë javës ndërsa do të vazhdojnë javën e parë dhe të fundit të muajit maj.

Pjetër Shala po mbahet në qendrën e paraburgimit në Hagë prej marsit të vitit 2021.

Sipas Speciales “Krimet për të cilat akuzohet z.Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës(Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *