TË FUNDIT

24-vjetori i masakrës në Krushë të Vogël, kërkohet drejtësi për të vrarët e të zhdukurit

24-vjetori i masakrës në Krushë të Vogël, kërkohet drejtësi për të vrarët e të zhdukurit

Pas Krushës së Madhe në Rahovec, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, bashkë me përfaqësues të institucioneve të ndryshme të vendit sot ka bërë homazhe edhe në Krushë të Vogël të komunës së Prizrenit.

Me këtë rast, Osmani ka theksuar se nuk do të ndalen asnjëherë duke kërkuar drejtësi për të gjithë të vrarët e të zhdukurit nga Serbia.

Ajo ka thënë se kurrë nuk do të falen krimet që janë kryer kundër popullit të pafajshëm të Kosovës.

“Edhe sot 60 nga më të dashurit tuaj janë në mesin e të zhdukurve më dhunë, njësoj sikur edhe mbi 1 mijë e 600 të tjerë në gjithë Kosovën. Kjo mbetet një ndër plaget më të thella, të hapura të vendit tonë dhe me ngul e vendosmëri do të bëjmë çmos e nuk do të ndalemi asnjëherë, duke kërkuar që ta zbardhim fatin e tyre, sepse paqja e qëndrueshme, jo vetëm në Kosovë, por gjithë Ballkanin Perëndimor është i mundur vetëm atëherë kur zemrat e nënave të gjejnë qetësi, e zemrat e neve të Kosovës ende nuk kanë qetësi, sepse mbi 1 mijë e 600 qytetarë tanë, akoma janë të zhdukur me dhunë. Lufta për lirinë e Kosovës ka qenë e drejtë, luftë për të mbrojtur pragun e shtëpisë, prandaj kjo është e vërteta e vetme, e vërtetë për një populli që ka sakrifikuar çdo gjë për lirinë e vendit”, ka thënë Osmani.

Kryetari i komisionit qeveritar për personat e zhdukur, Andin Hoti, në një fjalë rasti ka lexuar një mesazh nga një vajzë, që ka humbur më të dashurit e saj, përmes të cilës kërkon drejtësi për familjarët e saj.

Hoti para të pranishmëve është shprehur se do luftojnë për zbardhur fatin e gjithë të pagjeturëve.

“Ne ende jemi në luftë me kriminelët serbë, që ne nuk mund të falim e as të harrojmë, kjo tregon se ne duam drejtësinë dhe për këtë do të luftojmë o në Bruksel, Paris ose kudo në botë. Janë plot 24-vjet ku falë gjakut të gjithë atyre që kanë rënë, falë sakrificës të të gjithë burrave e grave, që i dolën zot vendit dhe i thanë ndalo kriminelit serb…Sot fatkeqësisht ne ende duhet të përballemi nëpër tavolina të Brukselit me po ata që i kanë kryer këto krime. Por, ne nuk mund të falim, sepse gjaku ynë nuk falet, ne do të kërkojmë drejtësinë dhe nuk do të ndalemi derisa të gjejmë atë. Krusha kërkon vetëm drejtësinë, kërkon ndëshkimin e kriminelit serb që vranë e maskaruan të reja e të rinj, burra, gra e pleq, kërkojmë zbardhjen e fatit të të zhdukurve me forcë nga shteti serb 24 vjet më parë…Të rënët e Krushës janë themeli i shtetit tonë të ri”, ka thënë Hoti.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj është shprehur se dëshmia më e mirë e lirisë është gjaku i të rënëve për liri.

“Të përkujtojmë barbarizimin e një regjimi, i cili i takon të kaluarës, të përkujtojmë sakrificat e gjithë atë terror, të cilin disa prej nesh e kemi përjetuar, sepse kemi qenë në këto treva. Kemi humb fëmijë, nxënës dhe kemi akoma të pagjetur, andaj gjithë kjo e vështirëson një lëvizje përpara pa u zbardhur fati. Në anën tjetër, jemi dëshmitarë se liria jonë, shteti, institucionet nuk ka pikë nga qielli, janë rezulat i një sakrifice, lufte e beteje luftarake, po ashtu edhe politike”, ka thënë Totaj.

Kryetarja e fshatit në Krushë të Vogël, Shpresa Shehu ka kujtuar gjithë dëshmorët e rënë për liri, në mesin e tyre edhe të zhdukurit që ende nuk dihet për fatin e tyre.

“Edhe ky përvjetor na gjenë në ankthin e pritjes. Edhe sot sikur 24 vite me parë jemi mbledhur për të kujtuar 113 familjarë të moshave të ndryshme që u vranë e u zhdukën pa asnjë gjurmë….Krusha ende jeton me dhimbjen se a do të gjenden edhe 60 të tjerë…Fatkeqësisht edhe pas 24 viteve, Kosova po vazhdon të paguajë çmimin e lirë, me të vetmin qëllim që vlera e UÇK-së të mbetet e pastër dhe e paprekshëm”, ka thënë Shehu.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *