Arrestohen katër persona në Korishë të Prizrenit për gjueti të paligjshme dhe armëmbajtje pa leje
Policia e Kosovës ka arrestuar katër persona të dyshuar për gjueti të paligjshme dhe armëmbajtje pa leje në fshatin Korishë të Prizrenit.
Sipas njoftimit të Policisë, në mesin e të dyshuarve janë dy shtetas të Kosovës dhe dy shtetas të Shqipërisë.
Rasti është zbuluar pas pranimit të një informacioni inteligjent, pas të cilit zyrtarët policorë të Drejtorisë Rajonale në Prizren kanë ndërmarrë veprime hetimore dhe kanë ndaluar katër personat.
Gjatë kontrollit, policia ka konfiskuar tri pushkë gjuetie dhe 24 fishekë të armëve të gjuetisë, të cilat dyshohet se janë përdorur për kryerjen e veprave penale.
Me urdhër të prokurorit kujdestar, të dyshuarit janë dërguar në ndalim policor.
Policia ka bërë thirrje që qytetarët të raportojnë çdo veprim të dyshimtë apo shkelje të ligjit, duke theksuar përkushtimin për parandalimin e krimeve mjedisore dhe ruajtjen e mjedisit. / Telegrafi /
