Conceicao zbulon prapaskenat: Shkova në Arabi për para, lojtarët nuk dilnin në stërvitje për ta falur namazin
Sergio Conceicao ka shkaktuar polemika me deklaratat e tij për periudhën e kaluar te Al-Ittihad, duke kritikuar kulturën e punës, disiplinën dhe përkushtimin e disa futbollistëve sauditë.
Trajneri portugez foli hapur për vështirësitë që kishte hasur gjatë punës në Arabinë Saudite, duke theksuar se investimet e mëdha financiare nuk shoqërohen domosdoshmërisht me standardet e profesionalizmit me të cilat ishte mësuar në Evropë.
Gjatë një paraqitjeje në podcastin “La Tripletta”, Conceicao pranoi gjithashtu se aspekti financiar kishte ndikuar në vendimin e tij për të shkuar në Arabinë Saudite, por përvoja atje i kishte sjellë sfida të papritura.
“Lojtarët vendas nuk janë kërkues ndaj vetes. Nuk është se nuk e bëjnë këtë sepse janë të këqij apo sepse nuk duan. Është thjesht çështje kulture. Nuk ekziston një kulturë e mirëfilltë e kërkesës ndaj vetes, e punës dhe e përkushtimit”.
Portugezi pretendoi se kjo qasje e bënte më të vështirë menaxhimin e skuadrës, duke treguar se kishte pasur raste kur disa lojtarë nuk i ndiqnin udhëzimet e stafit ose nuk paraqiteshin fare në stërvitje.
“Ata nuk e kanë atë mentalitet dhe është e vështirë t’i menaxhosh. Ndonjëherë, disa lojtarë nuk bashkëpunojnë ose madje nuk paraqiten fare në stërvitje. Futbolli ende nuk konsiderohet si një profesion i mirëfilltë”.
“Ata gjithmonë gjejnë një arsye: një familjar që nuk është mirë ose fenë, për shembull namazin që duhet ta falin në orën pesë të mëngjesit. Nëse caktojmë një stërvitje në atë orar, disa thjesht nuk vijnë”.
Ai pranoi se përvoja në Arabinë Saudite e kishte sfiduar mënyrën e tij të të menduarit dhe të menaxhimit, duke theksuar se përshtatja me një kulturë të ndryshme pune nuk kishte qenë aspak e lehtë.
“Për mua, me mënyrën se si i shoh gjërat, e gjithë kjo është shumë e vështirë për t’u menaxhuar. Vërtet shumë e vështirë. Kjo përvojë më mësoi jashtëzakonisht shumë”, përfundoi Conceicao./ Telegrafi/
