TË FUNDIT

Të paktën 7 të vdekur nga zjarri në një bazë ushtarake në Kanada

Të paktën shtatë persona kanë humbur jetën nga një zjarr i madh në bazën ushtarake kanadeze Wainwright, në provincën e Albertës, raportojnë mediat kanadeze.

“Situata është shumë, shumë aktive dhe delikate”, deklaroi Ministri i Mbrojtjes i Kanadasë, David McGuinty, duke shtuar se nuk kujton një ngjarje të ngjashme në kohët e fundit.

Edhe kryeministri kanadez, Mark Carney, reagoi përmes një postimi, duke e cilësuar ngjarjen si një incident serioz dhe duke shprehur mbështetjen për pjesëtarët e personelit të prekur.

Sipas autoriteteve lokale, zjarri u përhap me shpejtësi për shkak të erërave të forta dhe depërtoi përtej gardheve rrethuese të bazës.

Banorëve u është kërkuar të shmangin zonën, ndërsa autoritetet provinciale dhe federale po bashkëpunojnë për menaxhimin e situatës.

Baza Wainwright është një nga qendrat kryesore të stërvitjes ushtarake në Kanada.

Sipas CBC-së, në një ditë të zakonshme aty ndodhen rreth 690 pjesëtarë të personelit ushtarak dhe 300 punonjës civilë.

Shkaqet e zjarrit dhe numri përfundimtar i viktimave ende nuk janë bërë të ditura zyrtarisht. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *