TË FUNDIT

“Një betejë e vështirë” – avokati zbulon çfarë e pret Man Cityn në apelin për 115 shkeljet e bëra

Manchester City përballet me një betejë të vështirë për ta përmbysur vendimin që e shpalli fajtor për shkelje të rregullave financiare të Ligës Premier, ka paralajmëruar një avokat i njohur i së drejtës sportive.

Klubi anglez u shpall fajtor për shumicën e akuzave të ngritura nga Liga Premier, pas shqyrtimit të çështjes nga një komision i pavarur.

Sipas gjetjeve të komisionit, City kishte përdorur edhe marrëveshje të konsideruara fiktive për të fryrë të ardhurat dhe për të ulur kostot, duke organizuar marrëveshje të maskuara financimi me partnerë komercialë në vlerë deri në rreth 1.04 miliardë euro, gjatë periudhës 2009-2018. Gjatë kësaj kohe, klubi fitoi tri tituj të Ligës Premier.

Manchester City mund të përballet me një sërë sanksionesh, përfshirë pezullimin nga garat e kampionatit, zbritjen e pikëve, përsëritjen e ndeshjeve, përjashtimin nga liga, detyrimin për të paguar kompensim ndaj klubeve të tjera, rënien automatike nga kategoria, madje edhe heqjen e titujve të fituar.

Pavarësisht vendimit, klubi vazhdon të këmbëngulë në pafajësinë e tij dhe ka paraqitur ankesë, për të cilën pritet të ketë një vendim brenda 12 javësh. Kampionët anglezë pretendojnë se kanë një “sasi gjithëpërfshirëse provash të pakundërshtueshme” që mbështesin qëndrimin e tyre.

Megjithatë, avokati i njohur i së drejtës sportive, James Severn, partner në firmën Penningtons Manches Cooper dhe anëtar i Shoqatës së Avokatëve të Çështjeve Gjyqësore në Londër (LSLA), ka thënë për BBC Sport se City përballet me pengesa të konsiderueshme për ta ndryshuar vendimin.

Sipas Severn, klubi do të argumentojë se shumat e përfituara nga marrëveshjet e sponsorizimit ishin legjitime dhe jo të fryra artificialisht. Megjithatë, për ta përmbysur vendimin, City duhet të dëshmojë se ka pasur një gabim thelbësor në interpretimin e ligjit, parimeve apo fakteve, ose një padrejtësi serioze procedurale që ka ndikuar në vendimin e komisionit.

“City do të duhet të identifikojë një gabim thelbësor në ligj, parim apo fakte, ose një padrejtësi serioze procedurale, që ka ndikuar materialisht në vendimin e komisionit”, deklaroi Severn.

Ai shtoi se bordi i apelit ka kompetenca të gjera për ta pranuar ose refuzuar ankesën, për ta ndryshuar vendimin ose për të marrë çfarëdo mase tjetër që e konsideron të përshtatshme. Kjo do të thotë se beteja ligjore e Cityt mbetet e hapur, por përmbysja e vendimit nuk do të jetë aspak e lehtë./ Telegrafi /

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *