PDK: Shpëtuam KPK-në nga kthetrat e Albin Kurtit
PDK: Shpëtuam KPK-në nga kthetrat e Albin Kurtit
Partia Demokratike e Kosovës (PDK), përmes një konference për media, ka thënë se mirëpret vendimin e Gjykatës Kushtetuese për ta shpallur të pavlefshëm Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK), pas kërkesës dhe vërejtjeve që ajo i ka dorëzuar.
Shefi i Grupi Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se kanë arritur të mbrojnë rendin kushtetues të vendit nga, siç e quajti ai, tendencat e qeverisë dhe kryeministrit Albin Kurti për ta vënë nën kontroll Këshillin Prokurorial të Kosovës.
“Gjykata Kushtetuese ka bërë publike njoftimin që ky ligj e ka nxjerrë si ligj në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe rendin kushtetues gjë që është lajm shumë i mirë për drejtësinë në Kosovë që pushteti i madh i Albin Kurtit nuk arriti të vendosë nën kthetra edhe një institucion kaq të rëndësishëm siç është KPK. Miratimi i një ligji të tillë do të ishte një përmbysje, apo një kapje e fuqishme e KPK, që sot mund të jetë nga Albin Kurti e nesër nga një kryeministër tjetër apo një mazhorancë tjetër, si GP dhe si PDK jemi jashtëzakonisht të përkushtuar që institucionet tona kushtetuese ato të cilat ju garantojnë drejtësi të barabartë të gjithëve qytetarëve, ju garantojnë qasje të lehët në drejtësi, t’i mbrojmë dhe t’i ruajmë dhe të vazhdojmë të funksionojnë në përputhje me kushtetutën e vendit tonë”, tha Tahiri.
Tahiri shtoi se Kushtetuta, si bazament i parimeve të drejtësisë, nuk mund dhe nuk do të lejojnë kurrë që të shkelet nga pretendimet uzurpuese të pushtetit.
Ai i quajti Ministrinë e Drejtësisë si të paaftë dhe paralajmëroi se edhe Ligji për Byronë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikuar dhe ai për Zyrtarët publikë do të rrëzohen nga Gjykata Kushtetuese.
“Janë njerëz të padijshëm, të paaftë, që paguhen me dhjetëra-mijëra euro, pra një tufë e njerëzve që shtetit të Kosovës mund t’i kushtojë 50-60 mijë euro në muaj, të vazhdojë mandatin është e papranueshme. Këta njerëz është shumë lehtë t’i sfidosh vetëm ne të dy, vetëm me këshilltarin tim dhe avokatin Faton Fetahu, se janë të padijshëm, janë shumë të padijshëm. Po bëhen tre vjet në dy qeveri të cilat asnjëherë asnjë iniciativë e tyre në drejtësi s’jep asnjë efekt, për çfarë drejtësie mund të flasin ata njerëz kur i ulin pagat e gjyqtarëve, kur i ulin pagat e prokurorëve”, tha Tahiri.
Avokati i PDK-së, Faton Fetahu, si hartues i këtij rasti në Gjykatën Kushtetuese, ka thënë se ligji i rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese prekte në thelb funksionimin e rendit kushtetues të vendit.
“Katër nenet të cilat ne i kemi kontestuar, të cilat me saktësi milimetrike i konstatoi si të tilla edhe Gjykata Kushtetuese, e të cilat rezultuan me shkeljen e gjashtë neneve të Kushtetutës, janë shkelje të cilat preknin në thelb funksionimin e rendit tonë kushtetues. Përçka, kjo fitore është fitore e të drejtës tonë kushtetuese përballë përpjekjeve për të ndërhyrë, për ta kapur dhe nënshtruar këtë sistem”, tha Fetahu.
Ai shtoi se në këtë ligj ka pasur një dispozitë e cila jo vetëm që zvogëlonte numrin e anëtarëve aktual të Këshillit Prokurorial, por, nga shtatë anëtarë të propozuar, dy prej tyre do t’i zgjidhte shumica parlamentare sipas këtij ligji.
“Në projektligj ka pasur një dispozitë e cila jo vetëm që zvogëlonte numrin e anëtarëve aktual të Këshillit Prokurorial, por, nga shtatë anëtarë të propozuar, dy prej tyre do t’i zgjidhte shumica parlamentare sipas këtij ligji. Kjo dyshe, e zgjedhur nga shumica parlamentare, do të kishte një fuqi mbizotëruese nga votat e anëtarëve të tjerë, në mënyrë që votimi për kryeprokuror, votimi për avancimin, shkarkimin, largimin, transferimin, degradimin e prokurorëve të merrej vetëm nga kjo dyshe”, ka thënë Fetahu.
Fetahu tha se të dy opinionet e Komisionit të Venecias kanë qenë kundër ndryshimeve por mazhoranca i ka keqinterpretuar opinionet e këtij komisioni.