TË FUNDIT

​Haxhiu për vendimin e Kushtetuese për Ligjin për KPK: Absurditet, por reforma nuk ndalet

​Haxhiu për vendimin e Kushtetuese për Ligjin për KPK: Absurditet, por reforma nuk ndalet

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e quajti absurde vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të shpallur Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK) kundër kushtetues, e që rrjedhimisht i njëjti duhet të shpallet i pavlefshëm në tërësinë e tij. Haxhiu tha se Kushtetuesja ka injoruar në tërësi të dy opinionet e Komisionit të Venecias në lidhje me këtë ligj duke i dhënë një goditje të rëndë Kosovës por edhe duke penguar reformën në drejtësi.

Haxhiu u shpreh se qëllimi i institucionit që drejton ka qenë që me ligjin e propozuar për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për KPK të reformojë KPK-në për të eliminuar grupet e interesit e korporatizmin që sipas saj aktualisht mbizotëron në përbërjen e këtij Këshilli.

Sipas ministres së Drejtësisë, ky sistem korporatist ka bërë që prokurori i shtetit të mos jetë në nivel të detyrës ashtu si i kërkohet në kushtetutë dhe të jetë i ndikuar nga interesat e ngushta, përfshirë edhe ato politike.

“Jemi të vetëdijshëm dhe kemi qenë gjithmonë për pavarësinë e sistemit të drejtësisë, pra si atij prokurorial, po ashtu edhe atij gjyqësor, sipas asaj që përcakton kushtetuta e Republikës, por asesi nuk mund të pranojmë që në petkun e pavarësisë të legjitimohet korporatizmi. Objektivi ynë ka bënë që të bëhet një ligj që siguron që KPK ka përbërje pluraliste dhe është në gjendje të ushtrojë kompetencat e tij kushtetuese e jo të kapim, ose cenojmë pavarësinë e sistemit prokurorial, siç u interpretua mbrëmë qëllimshëm nga disa parti politike, ish-anëtarë të të cilëve sot janë në pozita të larta menaxheriale në po këtë sistem të drejtësisë”, tha Haxhiu.

Haxhiu tha është paradoksale se si në pikën e parë të njoftimit, Gjykata Kushtetuese thekson se përbërja aktuale e KPK-së është korporatiste, por në pikën e fundit të njoftimit, thotë që nuk mund t’i ndërpritet anëtarëve të KPK mandati përmes shortit siç e ka paraparë Ministria e Drejtësisë.

Sipas Haxhiut, për Gjykatën Kushtetuese është më e rëndësishme interesi individual i anëtarëve të KPK se sa interesi i përgjithshëm dhe se sa ndalimi i korporatizmit në një institucion të rëndësishëm për qytetarët dhe për vet sistemin prokurorial e atë të drejtësisë në përgjithësi.

Po ashtu, Haxhiu e quajti befasuese edhe faktin që është gjetur jokushtetuese delegimi i një anëtari jo prokuror nga Avokati i Popullit duke marrë parasysh se vet Komisioni i Venecias në opinionet e tij ka sugjeruar që në një numër i caktuar i anëtarëve jo prokurorë mund të rezervohen për përfaqësuesit e institucioneve të jashtme që janë të pavarura duke përmendur në veçanti Avokatin e Popullit.

“Absurditeti qëndron edhe në interpretimin jo korrekt të Gjykatës me standardet ndërkombëtare dhe respektimin e dispozitave kushtetuese me qëllim të pengimit të reformës në drejtësi. Për të bërë të pavlefshëm një ligj kaq të rëndësishëm thuhet se është në kundërshtim me kushtetutën përderisa ky ligj sipas vlerësimeve të Komisioni të Venecias është në përputhje me standardet ndërkombëtare, ato janë pjesë e kushtetutës së Kosovës, pra jemi shkëputur nga bota demokratike dhe uniteti i standardeve ndërkombëtare kur bëhet fjalë për pengimin e reformës në drejtësi”, vijoi Haxhiu.

Haxhiu shtoi se edhe sa i përket faktit që ndërlidhet me ndërprerjen e parakohshme të një numri të caktuar të anëtarëve përmes shortit ka qenë vet Komisioni i Venecias ka konstatuar që parimi i mbajtjes së mandatit nuk është absolut dhe ndërprerja e parakohshme e mandatit mund të arsyetohet nëse sjellë përparim të dukshëm të sistemit në përgjithësi.

Haxhiu u shpreh habi që pse iu deshën Kushtetueses 9 mauj për të rrezuar Ligjin për KPK-në kur arsyetimi ka qenë kaq i thjeshtë. Ajo tha se përpos që ka pasur dy opinione nga “Venecia”, në këtë ligj kanë kontribuar edhe ekspertët e Bashkimit Evropian, të Shteteve të Bashkuara dhe të Mbretërisë së Bashkuar.

“Për këtë reformë kanë qenë kundër vetëm opozita në Republikën e Kosovës e tani siç duket kjo po i pengon edhe Gjykatës Kushtetuese…. Te fjalët ‘vetting’, ‘byro’, ‘ligj’, ‘drejtësi’, natyrisht që reagojnë partitë që kanë keqqeverisur me vendin sepse ato më së miri e dinë se çfarë kanë bërë e si zyrtarë të tyre janë pasuruar kaq shumë për një kohë kaq të shkurtër. Vetëm duke qenë politikanë. Vetëm duke pasur pozita të larta në Republikën e Kosovës. Kështu janë pasuruar. Prandaj, fshihen në emër të Kushtetutës dhe ndarjes së pushteteve”, vijoi Haxhiu.

Në fund, Haxhiu tha se i garanton qytetarët dhe të dëshpërojë opozitën se reformën në drejtësi nuk mund ta ndalojnë.

“Ne nuk do të ndalemi, ne do ta presim fillimisht aktgjykimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese në raport me Ligjin për KPK, dhe pastaj siç e dini, ne jemi duke punuar ende në reformën në drejtësi po presim vlerësimin po ashtu nga Gjykata për çështjen e amendamenteve kushtetuese sikurse edhe për Projektligjin për Byronë, janë reforma të mëdha, janë reforma të rëndësishme dhe janë çelësi i vetëm sesi Kosova mund të bëhet shtet i së drejtës, jam e bindur, nuk ka asnjë dilemë, do të vazhdojmë me punën tonë, do të shohim aktgjykimin dhe do ta bëjmë reformën që e kemi nisur”, përfundoi Haxhiu.

Haxhiu tha se nuk ka pse të jap dorëheqje, një kërkesë kjo e partive opozitare PDK dhe LDK, pas këtij vendimi të Gjykatës Kushtetuese.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *