Zvicra ndryshon rregullat për patentë shofer nga 2027, provim me më shumë pyetje dhe dokumente digjitale
Personat që planifikojnë të marrin patentë shoferin në Zvicër do të përballen me ndryshime të reja nga janari i vitit 2027. Ndryshimet përfshijnë rritjen e numrit të pyetjeve në provimin teorik, detyrimin për përfundimin e kursit të teorisë së trafikut para testimit dhe digjitalizimin e dokumenteve të nevojshme për aplikim. Sipas një raportimi të World Radio Switzerland , të publikuar më 15 tetor 2026, autoritetet zvicerane synojnë të thjeshtojnë procedurat administrative dhe të modernizojnë procesin e marrjes së patentë shoferit. Një nga ndryshimet kryesore është rritja e numrit të pyetjeve në provimin teorik, nga 50 sa janë aktualisht në 55 pyetje. Paralelisht, do të rritet edhe numri i përgjigjeve të gabuara të lejuara, në mënyrë që kandidatët të kenë një tolerancë më të madhe gjatë testimit. Me rregullat e reja, kandidatët do të duhet ta përfundojnë kursin e teorisë së trafikut përpara se t’i nënshtrohen provimit teorik. Deri më tani, ky kurs mund të ndiqej edhe pas kalimit të provimit. Ndryshimi synon që kandidatët të kenë njohuri të nevojshme për rregullat e komunikacionit dhe sigurinë rrugore para testimit. Një tjetër risi lidhet me digjitalizimin e dokumentacionit. Nga janari i vitit 2027, dëshmitë për përfundimin e kursit të ndihmës së parë dhe kontrollin e shikimit pritet të regjistrohen në një bazë elektronike të të dhënave, në vend që të dorëzohen në formë fizike. Çdo kandidat do të identifikohet përmes një kodi personal, i cili do të mundësojë lidhjen e dokumenteve përkatëse me aplikimin e tij. Sistemi i ri synon të reduktojë përdorimin e dokumenteve në letër dhe të lehtësojë procedurat administrative. Ndryshimet do të prekin personat që planifikojnë të nisin procedurat për marrjen e patentë shoferit gjatë vitit 2027, veçanërisht të rinjtë që do t’i nënshtrohen për herë të parë provimeve. Kandidatët këshillohen të informohen pranë autoriteteve kantonale të qarkullimit rrugor për kërkesat dhe procedurat që do të zbatohen nga fillimi i vitit të ardhshëm. Rregullat e reja pritet të hyjnë në fuqi në janar të vitit 2027, duke sjellë ndryshime në testimin teorik dhe në mënyrën e administrimit të dokumenteve për marrjen e patentë shoferit në Zvicër ./Telegrafi/
