Janevska: Numër rekord prej mbi 1.800 asistentëve arsimorë
Mbi 1.800 asistentë arsimorë janë angazhuar në arsimin fillor dhe të mesëm këtë vit shkollor, që është një numër rekord në krahasim me vitin 2024, kur kishte pothuajse 800, informoi sot ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska në shënimin e Ditës ndërkombëtare të shkopit të bardhë që u mbajt në Kuvend në organizim të Grupit parlamentar ndërpartiak për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara dhe organizatës “Zeta – Organizatë për aftësi të kufizuara dhe drejtësi”, në bashkëpunim me Shkollën shtetërore për rehabilitimin e fëmijëve dhe të rinjve me dëmtim të shikimit “Dimitar Vllahov” dhe Lidhjen kombëtare të të verbërve.
Ajo theksoi se gjatë këtij viti shkollor është angazhuar numri më i madh i asistentëve arsimorë deri më tani: 1.602 në shkollat fillore në mbarë vendin dhe 176 në arsimin e mesëm. Gjithashtu, është në zhvillim e sipër procedura për angazhimin e një numri shtesë të personave profesionistë për asistencë arsimore.
“Në drejtim të rritjes së gjithëpërfshirjes është edhe forcimi i shërbimeve profesionale në shkolla, përmes angazhimit të kuadrit të nevojshëm. Paralelisht, po përmirësojmë qasjen në objektet shkollore përmes vendosjes së rampave dhe ndërtimit të tualeteve për nxënësit me nevoja të veçanta. Gjithashtu, kemi prezantuar dy kategori të reja të bursave studentore, të dedikuara për studentët me aftësi të kufizuara dhe ata me sëmundje të rralla”, shtoi ministrja.
Shkolla shtetërore për rehabilitimin e fëmijëve dhe të rinjve me dëmtim të shikimit “Dimitar Vllahov”, që nga viti i kaluar funksionon si qendër burimore dhe aty punojnë edukatorë specialë dhe rehabilitues, mësimdhënës dhe profesionistë të cilët janë të trajnuar për edukimin e këtyre nxënësve me nevoja të veçanta arsimore.
“Këtë vit shkollor, në këtë shkollë të vetme të këtij lloji në nivel shtetëror, janë regjistruar më shumë nxënës se vitin e kaluar. Kjo dëshmon njohjen e cilësisë së punës edukativo-arsimore, mundësinë për të marrë ndihmën e duhur profesionale dhe rritjen e besimit që prindërit kanë tek institucioni”, theksoi ministrja Janevska.
Shkolla është e pajisur me teknologjinë më moderne asistive, falë angazhimit të përbashkët dhe bashkëpunimit me kompani me përgjegjësi shoqërore. Kjo praktikë duhet të vazhdojë, sepse është shumë e rëndësishme që fëmijët me nevoja të veçanta arsimore të kenë qasje në mjetet dhe zgjidhjet më të fundit teknologjike, të cilat do t’u mundësojnë të mësojnë më lehtë, të jenë më të pavarur dhe të marrin pjesë në mënyrë më të barabartë në procesin arsimor dhe në jetën e përditshme.
“Burimet e kufizuara janë pengesa kryesore për krijimin e kushteve më të mira për zhvillimin e mësimdhënies cilësore. Megjithatë, kjo mund të kompensohet përmes trajnimeve më cilësore, komunikimit më të mirë ndërmjet të gjithë faktorëve dhe natyrisht, përmes avancimit strategjik të sistemit arsimor gjithëpërfshirës”, shtoi ministrja Janevska,duke theksuar gjithashtu nevojën për ngritjen e ndërgjegjësimit publik se aftësia e kufizuar nuk e përcakton personalitetin e njeriut dhe se duhet të ndërtojmë një shoqëri në të cilën çdo i ri do të ketë mundësinë të zgjedhë të ardhmen e tij.
