Nagavci thotë se deklaratat e Daçiqit janë vazhdimësi e pretendimeve territoriale të Serbisë – kur përmend Mlladiqin, Lista serbe lëshon sallën
Shefja e Grupit Parlamentar e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci në deklarimin jashtë rendit të ditës tha se derisa Kosova vazhdon bashkërendimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, BE-në, NATO-n për sigurinë rajonale, Serbia vazhdon me pretendime territoriale, ndërhyrje politike e pandëshkueshmërinë e krimit të organizuar.
Nagavci para deputetëve të Kuvendit të Kosovës tha se më 9 tetor në Kragujevc, kryeterroristi Milan Radoiçiq u shfaq pranë Danillo Vuçiqit, djalit të Aleksandar Vuqiçit, në tubimin e Partisë Progresive Serbe.
“Organizatori i sulmi terrorist të Banjskës, i sanskionuar ndërkombëtarisht për krim të organizuar dhe korrupsion dhe ndaj të cilit është lëshuar fletë-arrest ndërkombëtar përmes Interpolit vazhdon të jetë i lirë në Serbi. Kjo ndodh në kohën kur protestat kundër korrupsionit dhe keqqeverisjes kanë tronditur pushtetin e Vuçiqit, ndërkaq pranë familjes së tij shfaqet një figurë e sanksionuar për lidhje me rrjete kriminale”, tha ajo, raporton Telegrafi.
Tutje Nagavci theksoi se Radoiçiq ka pranuar organizmin e grupit që sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë, ndërkohë që Serbia nuk e ka dorëzuar para drejtësisë së Kosovës.
“Shtet i papërgjegjshëm, i padenjë për çdo lloj marrëdhënie ndërkombëtare”, tha ajo.
Shefja e Grupit parlamentar të LVV-së përmendi po ashtu se më 7 tetor në Rashkë, Ivica Daçiq deklaroi se flamuri serb do të valvitet mbi Prizren.
“Ne nuk habitemi. Këto nuk janë deklarata vetëm elektorale, por vazhdimësi e pretendimeve territoriale nga të cilat Beogradi nuk ka hequr dorë”, tha ajo.
“Por, Prizreni është qytet i Republikës së Kosovës, është kryeqendër historike e kombit shqiptar. Sovranitetin tonë nuk e prekin dot, e provuan humbën, do të humbin çdo herë”, tha ajo.
Nagavci ka përmendur edhe nderimet publike për Ratko Mlladiqin, i dënuar për gjenocid, duke thënë se nderimet në Serbi e dëshmojë këtë trashëgimi politike.
Në kohën kur Nagavci përmendi Ratko Mlladiqin, deputetët e Listës serbe lëshuan sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Ajo po ashtu përmendi rastin në Sharr, ku u publikuan materiale për mobilizim elektoral në mbështetje të Vuçiqit, nga JPG-ja, parti e deputetit Adem Hoxha, përfaqësues i komuniteti goran dhe bashkëpunëtor polik i Listës serbe.
Sipas saj, JPG pas denoncimit deklaroi se tubimi ishte kuvend zgjedhor.
“Pse në një kuvend zgjedhor diskutohet organizimi i transportit për zgjedhjet serbe të 25 tetorit, kush është bartës i të ashtuquajturit Komision komunal të zgjedhjeve për Goren?”, tha ajo.
Nagavci theksoi se institucionet e Kosovës duhet të verifikojnë organizimin dhe financimin e tyre.
“Përfaqësimi i goranëve të Kosovës nuk ka pse të lidhet me Beogradin, por është edhe në dëm të vetë komunitetin goranë”, tha ajo.
Nagavci po ashtu përmendi gjendjen e rëndë të shqiptarëve në Luginë të Preshevës dhe çështjen e pasivizimit të adresave. /Telegrafi/
