TË FUNDIT

Borrell: Çdo përpjekje për të vënë në dyshim marrëveshjen është e kotë, do të ndjekim nga afër kush e zbaton

Borrell: Çdo përpjekje për të vënë në dyshim marrëveshjen është e kotë, do të ndjekim nga afër kush e zbaton

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell ka deklaruar sot se marrëveshja e Ohrit duhet të zbatohet në tërësi nga Kosova dhe Serbia.

Ai, para samitit të liderëve të Bashkimit Evropian që do të mbahet nesër dhe pasnesër në Bruksel, është shprehur se do të ndjekin nga afër se kush po e zbaton marrëveshjen dhe kush nuk po e zbaton.

Ai ka këshilluar Kosovën dhe Serbinë që të mos fajësojnë askënd, por siç ka potencuar “të bëjnë punën e tyre”.

“Takimi ynë i Ohrit dhe marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Më lejoni të them se çdo përpjekje për të vënë në dyshim marrëveshjen është e kotë, marrëveshja është dakorduar. Duhet të zbatohet dhe nuk ka vend për zgjedhje, duhet të zbatohet në tërësi, dhe ne do të ndjekim nga afër kush po e zbaton dhe kush nuk po e zbaton. Dhe unë do t’i këshilloja ata të mos fajësojnë askënd, por të bëjnë punën e tyre”, ka thënë Borrell.

Kujtojmë që, Kosova dhe Serbia më 18 mars janë pajtuar mbi aneksin e zbatimit të planit evropian, i cili do të jetë i obliguar për të dyja palët në momentin e publikimit të tij.

Kështu ka thënë përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell në një deklaratë për media, pas dialogut 12 orësh në mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nën ndërmjetësimin e BE-së, në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se kanë arritur pajtim publik me Serbinë për zbatimin e aneksit të marrëveshjes së propozuar nga Bashkimi Evropian. Mirëpo, ai ka thënë se Serbia sërsh nuk e ka nënshkruar të njëjtin. Sipas tij, i takon BE-së tani që të gjejë mekanizma për të detyruar Serbinë të firmosë ujdinë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *