Arabia Saudite zgjat pezullimin e operacioneve në aeroportin e Riadit pas sulmeve të Houthëve
Arabia Saudite njoftoi të hënën se kishte zgjatur pezullimin e operacioneve në Aeroportin Ndërkombëtar "King Khalid" në Riad, pas një sërë sulmesh ndaj këtij objekti.
Në një deklaratë, Autoriteti i Përgjithshëm i Aviacionit Civil bëri të ditur se pezullimi u zgjat për të përfunduar procedurat e nevojshme për verifikimin e sigurisë së objekteve të aeroportit dhe gatishmërisë së tyre operacionale, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Autoriteti nuk specifikoi se kur do të rifillonin operacionet.
Vendimi pasoi sulmet e kryera ndaj aeroportit gjatë fundjavës.
Të dielën pasdite, një predhë e paidentifikuar goditi Terminalin 4 të aeroportit, duke vrarë një banor pakistanez dhe duke plagosur 11 persona të tjerë, sipas autoriteteve saudite.
Koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite njoftoi gjithashtu se kishte “kapur” dhe shkatërruar një raketë pranë aeroportit.
Një ditë më parë, të shtunën, një sulm i Houthëve goditi një terminal pasagjerësh në aeroport, duke vrarë 13 persona dhe duke plagosur 309 të tjerë, sipas autoriteteve saudite.
Koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite akuzoi Houthi-të për kryerjen e sulmit të së shtunës dhe e cilësoi goditjen si një "krim lufte të mirëfilltë".
Sulmet ndodhin në një kohë përshkallëzimi të armiqësive midis Arabisë Saudite dhe Houthëve të Jemenit, ku aeroportet dhe objekte të tjera civile e të energjisë janë vënë në shënjestër ditët e fundit. / Telegrafi /
